eksperti ad

Formacioni i Brazilit pritet të pësojë disa ndryshime për ndeshjen e 1/8 së finales kundër Norvegjisë, krahasuar me skuadrën që mposhti Japoninë në fazën e 1/16 së finales.

Arsyeja kryesore është mungesa e mesfushorit Lucas Paquete, i cili është i dëmtuar.


Nga ana tjetër, lajme pozitive vijnë për Raphinhan, i cili është rikthyer në stërvitje të premten pas dy javësh pauze për shkak të një dëmtimi në tendinën e gjurit, të pësuar në pjesën e parë të ndeshjes së fazës së grupeve ndaj Haitit.

Trajneri Carlo Ancelotti konfirmoi se sulmuesi është i gatshëm për ekipin, por ende jo në 100% të formës.

“Raphinha po rikuperohet shumë mirë. Nuk është ende plotësisht i gatshëm, por është në dispozicion për të qenë në stol dhe për të marrë disa minuta ose për të ndihmuar në momente të caktuara”, u shpreh Ancelotti.

Rikthimi i Raphinhas, së bashku me praninë e Neymarit që gjithashtu është i gatshëm, i jep Brazilit më shumë opsione në repartin ofensiv në prag të fazës nokaut.

Megjithatë, brazilianët do të duhet të përballen pa Paquetan, i cili pësoi një dëmtim në muskujt e pasmë të kofshës gjatë fitores 2-1 ndaj Japonisë.

“Nuk kemi një lojtar me cilësitë e Lucas Paquetas, ndaj duhet ta zëvendësojmë me një profil tjetër. Në këtë aspekt kemi karakteristika të ndryshme te lojtarët si Danilo, Gabriel, Matheus Cunha apo Ederson”, shtoi Ancelotti.

Sa i përket yllit norvegjez Erling Haaland, trajneri italian theksoi se mbrojtja e tij është e përgatitur mirë për rrezikun që paraqet sulmuesi.

“Nuk kam nevojë t’ua shpjegoj mbrojtësve të mi si luan Haaland. Ata e njohin shumë mirë, pasi janë përballur shpesh me të”, tha ai.

Ndeshja mes Brazilit dhe Norvegjisë në 1/8 e finales së Kupës së Botës zhvillohet sonte në ora 22:00. /Telegrafi/

telegrafi sport app