LAJMI I FUNDIT:

Ylli i Kosovës, Amir Rrahmani nderohet me çmimin “Fadil Vokrri”

Ylli i Kosovës, Amir Rrahmani nderohet me çmimin “Fadil Vokrri”

Kapiteni i Kosovës dhe anëtari i klubit italian, Napoli, Amir Rrahmani është zgjedhur futbollisti më i mirë i vitit 2021 në manifestimin tradicional të FFK-së “Laureatët e Vitit”.

Rrahmani ka treguar formë të jashtëzakonshme gjatë këtij viti, si në paraqitjet me ekipin dardanë, ashtu edhe me klubin e tij, duke e fituar me meritë çmimin “Fadil Vokrri”.


Ai nuk arriti të ishte i pranishëm në këtë ceremoni për shkak të ndeshjes së sotme në Serie A kundër Spezias, por nëpërmjet një video-mesazhi falënderoi FFK-në për vlerësimin ndaj tij.

Amir Rrahmani me fanellën e Kosovës

“Ju falënderoj për besimin e dhënë. Ky çmim për mua është një privilegj i madh dhe një shtysë që të punoj edhe më shumë për të ardhmen. Për mua ka qenë viti më i suksesshëm, ndoshta më i miri në karrierën time, por besoj se është vetëm fillimi, sepse kur arrin në këto nivele gjithmonë mundohesh të përmirësohesh sa më shumë”.

Amir Rrahmani me fanellën e Napolit

“Po e mbyllim një vit jo edhe aq të mirë për kombëtaren sepse kemi pritur rezultate më të mira, por futbolli e ka kështu. Duhet të besojmë që në të ardhmen të kualifikojmë Kosovën në Evropian ose Botëror, pse jo”.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi me çmimin që e fitoi Rrahmani

“Faleminderit edhe njëherë për besimin dhe shpresoj që të kthemi më të fortë në kualifikimet e ardhshme, ju përshëndes të gjithëve”, ka thënë Rrahmani. /Telegrafi/