Pas ankesave të disa kryetarëve të komunave se nuk janë ftuar në Kuvendin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, si dhe reagimit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal se ky kuvend ka humbur legjitimitetin dhe duhet të rishqyrtohet bashkëpunimi mes ministrisë dhe Asociacionit, AKK ka dalë sot me një reagim të ri publik.

Në reagimin e publikuar, AKK thekson se më 16 prill 2026 ka mbajtur Kuvendin në një proces që e cilëson demokratik dhe transparent, duke nënvizuar pjesëmarrjen e shumicës së delegatëve.


“Kryetari Agim Aliu rikonfirmohet edhe njëherë për Kryetar të AKK-së. Më 16 prill 2026, në një proces plotësisht demokratik dhe transparent, Kuvendi i AKK-së ka zhvilluar punimet e tij, ku nga 129 delegatë, kanë marrë pjesë 98 delegatë, duke siguruar legjitimitet të plotë të vendimmarrjes”, bëhet e ditur në reagimin e tyre në Facebook.

Sipas këtij reagimi, për herë të parë punimet e Kuvendit janë transmetuar drejtpërdrejt në mediumin publik të Republikës së Kosovës, me qëllim rritjen e transparencës.

“Punimet e Kuvendit, për herë të parë, janë transmetuar drejtpërdrejt në mediumin publik të Republikës së Kosovës, duke garantuar transparencë maksimale dhe informim të drejtë për qytetarët”.

AKK bën të ditur se Agim Aliu është rizgjedhur në krye të Asociacionit me besimin e delegatëve për mandatin e ardhshëm.

“z. Agim Aliu është ri-zgjedhur Kryetar i AKK-së, duke marrë besimin e delegatëve për të vazhduar drejtimin e Asociacionit në mandatin e ardhshëm”, thuhet në postimin në rrjetet sociale.

Në këtë Kuvend është marrë edhe vendimi për zgjerimin e Bordit të AKK-së, me qëllim rritjen e përfaqësimit politik.

“Kuvendi ka miratuar gjithashtu vendimin për zgjerimin e Bordit të AKK-së nga 7 në 9 anëtarë, me qëllim rritjen e përfaqësimit dhe balancës politike”.

Sipas njoftimit, përfaqësimi në Bord do të përfshijë kryetarë komunash nga subjektet kryesore politike dhe nga komuniteti serb.

“Përfaqësimi në Bordin e AKK-së do të jetë si vijon: 3 kryetarë komunash nga Lëvizja Vetëvendosje, 2 kryetarë komunash nga PDK, 2 kryetarë komunash nga LDK, 1 kryetar komune nga AAK, 1 kryetar komune që përfaqëson komunitetin serb”, thuhet më tej.

Në fund, AKK thekson se ky proces, sipas tyre, dëshmon përkushtimin ndaj parimeve demokratike dhe përfaqësimit gjithëpërfshirës.

“Ky proces dëshmon përkushtimin e AKK-së ndaj parimeve demokratike, transparencës dhe përfaqësimit të drejtë dhe gjithëpërfshirës të komunave të Republikës së Kosovës. AKK mbetet e përkushtuar të jetë zëri i fuqishëm i komunave dhe partner i besueshëm në zhvillimin e demokracisë lokale”, thuhet mes tjerash. /Telegrafi/