Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me zhvillimet në Kuvendin Zgjedhor të Asociacionit të Komunave të Kosovës të mbajtur sot.

"Shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me zhvillimet në Kuvendin Zgjedhor të Asociacionit, të mbajtur sot. Mbledhja e sotme ngre shqetësime serioze lidhur me legaliteti dhe legjitimitetin e organeve të zgjedhura të Asociacionit", ka shkruar ai.


Tutje ai ka thënë se edhe pse Ligji për Vetëqeverisje Lokale, përkatësisht nenet 31 dhe 32, përcaktojnë qartë të drejtën e komunave për t’u organizuar dhe bashkëpunuar në kuadër të asociacioneve për mbrojtjen e interesave të përbashkëta, duke theksuar se "ky organizim duhet të jetë mbipartiak dhe në shërbim të të gjitha komunave në mënyrë të barabartë".

"Procesi i sotëm në fakt shkel mbi këto parime dhe rregulla. Ai, fatkeqësisht, u karakterizua nga një sërë shkeljesh procedurale dhe devijimesh nga normat që rregullojnë funksionimin e Asociacionit. Për më tepër vu re një shmangie e qartë nga respektimi i procedurave të përcaktuara me Statutin dhe Rregulloren e Punës, duke cenuar kështu legjitimitetin dhe integritetin e vendimmarrjes", tha ai.

Po ashtu tha se me theks të veçantë shqetësues është fakti për përpjekjet e hapura për t’i dhënë Asociacionit një ngjyrim politik partiak, në kundërshtim me frymën e ligjit që e përcakton dhe sanskionon qartë natyrën e këtij institucioni. Madje, ekzistojnë indikacione serioze për përpjekje të organizuara të përjashtimit të kryetarëve të komunave të udhëhequra nga një subjekt i caktuar politik, çka përbën cenim të parimit të përfaqësimit të barabartë dhe gjithëpërfshirës.

"Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do t’i shqyrtojë me seriozitet të plotë zhvillimet e sotme, legjimitetin e vendimeve si dhe tutje të vlerësojë raportin e bashkëpunimit me Asociacionin. Çdo bashkëpunim duhet të bazohet në parime të qarta të ligjshmërisë, gjithëpërfshirjes dhe paanshmërisë politike", përfundoi Krasniqi.