“Ai është një ikonë e vërtetë”, Dembele ‘zgjedh’ trajnerin e ardhshëm të Francës


Sulmuesi i Paris Saint-Germain dhe Kombëtares së Francës, Ousmane Dembele, ka shprehur dëshirën e tij që Zinedine Zidane një ditë të marrë drejtimin e kombëtares franceze, duke e cilësuar legjendën e futbollit si një “fitues natyral”.
Dembele ka folur me admirim për Zidane, duke kujtuar edhe takimet me të gjatë kohës kur francezi drejtonte Real Madridin, ndërsa vetë ai ishte pjesë e Barcelonës.
Ai theksoi se Zidane është një ikonë e vërtetë e futbollit francez dhe një trajner i jashtëzakonshëm, i cili ka arritur të fitojë tre tituj radhazi në Ligën e Kampionëve me Real Madridin.
Sipas Dembeles, përvoja dhe mentaliteti fitues i Zidane e bëjnë atë kandidatin ideal për të marrë drejtimin e Francës në të ardhmen, duke shtuar se do të ishte një zgjedhje e shkëlqyer për pankinën e “Gjelave”.

“Sa i përket Zidanes, unë e kam përballur kur ai drejtonte Real Madridin dhe unë isha te Barcelona. Ai është më i madhi, një ikonë e vërtetë e futbollit francez”.
“Ai është një trajner i jashtëzakonshëm që fitoi tre Liga Kampionësh radhazi me Real Madridin”.
“Shpresojmë që një ditë ta mirëpresim në stolin e Kombëtares së Francës. Jam i bindur se do të bënte një punë të madhe, sepse është një fitues natyral”, ka thënë Dembele./Telegrafi/





































