Afati kalimtar jashtë kontrollit: Klubet po paguajnë deri në 98% më shumë për lojtarët se vlera e tyre reale

Tregu evropian i transferimeve po përjeton një prej periudhave më të shtrenjta në historinë e futbollit. Vera e vitit 2026 ka sjellë një tjetër rritje të ndjeshme të çmimeve, me klubet që po paguajnë shifra marramendëse edhe për futbollistë që nuk konsiderohen pjesë e elitës absolute të futbollit botëror.
Sipas vlerësimeve të Transfermarkt, 10 transferimet më të shtrenjta të kësaj vere janë realizuar mesatarisht për 45.07% më shumë se vlera e tyre e tregut.
Nëse vitet e fundit ishte bërë gjithnjë e më e zakonshme që klubet të shpenzonin mbi 100 milionë euro për futbollistë të nivelit të lartë, tashmë kjo shifër nuk duket më ekskluzive vetëm për superyjet.
Madje, asnjë prej 10 transferimeve më të shtrenjta të kësaj vere nuk përfshin një lojtar që ka përfunduar në Top 30 të edicionit të fundit të Topit të Artë.
Klubet angleze dominojnë tregun
Liga Premier është në qendër të kësaj rritjeje të jashtëzakonshme të çmimeve.
Transferimi më i shtrenjtë deri tani është ai i Morgan Rogers, për të cilin Chelsea ka paguar 138 milionë euro, ndërsa Transfermarkt e vlerëson kartonin e tij në rreth 90 milionë euro. Kjo nënkupton se klubi londinez ka paguar 53.33% më shumë se vlera e tij e tregut.

Një tjetër shembull edhe më ekstrem është Mateus Fernandes. Tottenham ka paguar rreth 99 milionë euro për mesfushorin, ndërsa vlera e tij sipas Transfermarkt është vetëm 50 milionë euro. Diferenca arrin në afro 98%.
Këto nuk janë raste të izoluara. Në dhjetë transferimet më të shtrenjta të kësaj vere, klubet kanë paguar dukshëm më shumë sesa vlera e vlerësuar e futbollistëve.
Dallimi me sezonin e kaluar është veçanërisht i madh. Në 10 transferimet më të shtrenjta të vitit 2025, klubet kishin paguar mesatarisht vetëm 6.18% më shumë sesa vlera e lojtarëve sipas Transfermarkt. Një vit më vonë, kjo diferencë është rritur në 45.07%.
Edhe shuma totale e shpenzuar tregon përmasat e fenomenit. Për 10 transferimet më të shtrenjta të kësaj vere janë paguar rreth 993.78 milionë euro, krahasuar me 817.6 milionë euro një vit më parë.
Megjithatë, paradoksi qëndron te vlera e lojtarëve. Futbollistët e transferuar këtë verë kanë një vlerë të kombinuar prej rreth 685 milionë eurosh, ndërsa në vitin 2025 kjo shifër ishte 770 milionë euro.
Pra, klubet po shpenzojnë më shumë para për futbollistë që, në letër, kanë një vlerë më të ulët tregu.
La Liga tregohet më e kujdesshme
Në këtë treg gjithnjë e më të shtrenjtë, klubet spanjolle duket se po ndjekin një qasje më të matur.
Real Madridi, Barcelona dhe Atletico Madrid kanë qenë aktivë në afatin kalimtar, por shpenzimet e tyre mbeten dukshëm më të kontrolluara krahasuar me klubet angleze.
Në 10 transferimet më të shtrenjta të La Ligës këtë verë janë investuar rreth 509 milionë euro, për futbollistë me një vlerë të kombinuar prej rreth 463 milionë eurosh. Diferenca është rreth 10%, shumë më e ulët se mesatarja e përgjithshme evropiane.

Në disa raste, klubet spanjolle madje kanë arritur të blejnë lojtarë për shifra dukshëm më të ulëta se vlera e tyre e vlerësuar.
Real Madridi është klubi spanjoll që ka shpenzuar më shumë këtë verë, me rreth 225 milionë euro të investuara. Megjithatë, vlera e lojtarëve të transferuar arrin në rreth 252 milionë euro sipas Transfermarkt, që do të thotë se madrilenët, në total, kanë shpenzuar më pak sesa vlera e tyre e vlerësuar në treg.
“Inflacioni” anglez po prek gjithë Evropën
Dominimi financiar i Ligës Premier nuk po ndikon vetëm në tregun anglez. Shifrat rekord të paguara nga klubet angleze po rrisin automatikisht edhe pritshmëritë e klubeve dhe lojtarëve në pjesën tjetër të Evropës.
Kur një klub paguan dhjetëra apo qindra milionë euro për një futbollist, kjo krijon një efekt zinxhir në treg: rriten çmimet e lojtarëve të ngjashëm, kërkesat e klubeve shitëse dhe, në shumë raste, edhe pagat.
La Liga, ndërkohë, duket se po përpiqet të ruajë një qasje më të kujdesshme për të shmangur rreziqet financiare.
Nëse kjo tendencë vazhdon, tregu evropian mund të përballet me një situatë gjithnjë e më të pazakontë: klubet po shpenzojnë shuma rekord për futbollistë që në letër vlejnë dukshëm më pak. /Telegrafi/











































