LAJMI I FUNDIT:

Ademi: Ka pasur grupe edhe më të vështira, besoj në kualitetin e futbollistëve

Ademi: Ka pasur grupe edhe më të vështira, besoj në kualitetin e futbollistëve

Përfaqësuesja e Kosovës ka mësuar kundërshtarët për kualifikimet e kampionatit evropian Euro 2020.

Ky kampionat evropian për herë të parë në histori do të mbahet në 12 qytete të ndryshme evropiane.


E për shortin kualifikues në një prononcim për Supersport, ka folur kryetari i FFK-së, Agim Ademi.

“Ky është grup solid. Ka pasur grupe më të vështira. E dimë Anglia kush është. Normalisht e Bullgaria dhe Republika Çeke janë ekipe me përvojë. Ne jemi në fillim. Jemi një ekip si ekipi më i ri dhe jemi ekipi më entuziast”, tha Ademi.

Numri një i Federatës së Futbollit të Kosovës ka thënë se beson në futbollistët e tij dhe se pret që do të bëjnë mirë në këtë grup.

“Jemi me këmbë në tokë, por besoj në ekipin tonë. Besoj në futbollistët dhe kualitetin e tyre. Me përkushtimin e tyre pres se do kalojmë mirë në këtë grup”.

Krejt në fund Ademi tha se FFK nuk ka probleme financiare dhe nuk ka rëndësi që dy vendet janë afër.

“Është mirë që jemi afër Malit të Zi dhe Bullgarisë, por Federata nuk ka probleme financiare që të konsiderohet përparësi afërsia me këto vende për të zhvilluar ndeshje. Shpresojmë në rezultate të mira për të dyja edhe për Shqipërinë edhe për Kosovën”, përfundoi Ademi. /Telegrafi/