Prokuroria Themelore në Prizren ka arrestuar një person nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim, pas një aksioni të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari me inicialet I.Ç., në cilësinë e pronarit dhe personit përgjegjës të Qendrës për Verifikim të Aftësive Profesionale “A.” në Prizren, dyshohet se ka lëshuar diploma për profesione të ndryshme pa u zhvilluar trajnimet teorike dhe praktike, ndonëse në dokumente figuronin si të përfunduara me sukses.


Hetimet kanë nisur pas informacioneve të pranuara nga një organizatë joqeveritare vendore.

Sipas të dhënave të siguruara deri më tani, diplomat e dyshuara janë përdorur për punësim brenda dhe jashtë Kosovës, si dhe për përmbushjen e kritereve në procedura të ndryshme të prokurimit.

Prokuroria njofton se nga viti 2019 e deri më sot dyshohet se janë lëshuar 1.679 diploma, ndërsa pagesa për secilën prej tyre ka qenë rreth 300 euro.

Bazuar në hetimet paraprake, përfitimi nga kjo veprimtari e kundërligjshme dyshohet se ka arritur në rreth 500 mijë euro.

Gjatë kontrollit të ushtruar me urdhër të Gjykatës Themelore në Prizren, autoritetet kanë sekuestruar 333 diploma profesionale, dy kompjuterë, dy pajisje USB, tri vula të biznesit, një telefon mobil, dokumente që lidhen me pagesat dhe borxhet, 630 euro para të gatshme dhe nëntë kartëvizita.

Sipas Prokurorisë, hetimet kanë treguar se subjekti nuk ka qenë i akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve dhe nuk ka pasur autorizim për ofrimin, vlerësimin dhe certifikimin e kualifikimeve profesionale.

I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria ka bërë të ditur se do të vlerësojë paraqitjen e kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit.

Institucionet u kanë bërë thirrje qytetarëve që dyshojnë se janë mashtruar përmes pajisjes me diploma ose dokumente të aftësimit profesional që ta raportojnë rastin në Prokurorinë Themelore në Prizren ose në stacionin më të afërt policor./Telegrafi.