eksperti-banner

Me fillimin e seancave dëgjimore para GJND-së, Ministria e Punëve te Jashtme ngarkohet edhe me një barrë të rëndë në supet e veta. Atë të “avokatit” të shtetit tonë të ri. Sidoqoftë, sipas ekspertëve të së Drejtës Ndërkombëtare Publike, Kosova duhet të trokasë në dyert e UE-së duke mos ndalur proceset e integrimit. Fundja, kjo do të ishte dëshmia më e fortë për legjitimitetin e shtetit tonë. Ashtu siç është sot situata me Qipron Greke, e cila edhe pse kaloi neper misionin paqeruajtës ndërkombëtar, pati mungesë të stabilitetit politik (që është kriter kryesor për anëtarësim ne UE) dhe refuzoi planin paqësor te OKB-së, megjithatë sot është me sukses anëtare e UE-së. Pra për Kosovën është me rendësi që ne vazhdën e procesit para GJND-së, MPJ të luftojë për njohje të reja dhe lobim të suksesshëm. Megjithatë, duke e parë zv.ministren e MPJ-së më shpesh ne TV duke komentuar ndeshje futbolli se sa duke kryer punën e një “diplomateje”, vërtet jam pesimist se do të na ecin punët.

Deri më tani integrime të suksesshme mund të quhen anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe në Bankën Botërore(BB). Por, duket se Kosova është akoma larg anëtarësimit në Organizatën Botërore të Tregtisë, NATO-s dhe Unionit Evropian. Katalizator i këtyre proceseve përkrah ministrive përkatëse duhet të jetë Ministria e Punëve të Jashtme. Por, se sa realisht është duke bërë Qeveria dhe MPJ në këtë drejtim flet numri i njohjeve që vijnë. Deri më tani, që nga fillimi i vitit 2009, Kosovën e kanë njohur jo më shumë se 10 shtete. Në total numri i njohjeve që nga shpallja e pavarësisë numëron gjithsej 63 shtete.

Me gjithë anëtarësimin në FMN dhe BB, kur flitet për anëtarësimin në Organizatën Botërore të Tregtisë (WTO) gjërat nuk duken të lehta njësoj. Në këtë rast, përveç procedurave të gjata dhe bisedimeve bilaterale me shtetet anëtare, kriter për tu bërë pjesë e kësaj organizate është shumica prej 2/3 të votave e të gjithë anëtarëve. Nëse deri më sot WTO ka 153 anëtarë, atëherë teorikisht Kosovës i nevojiten së paku edhe 39 njohje të reja për të rrumbullakos 2/3 e votave. Fatkeqësisht me hovin prej 10 njohjeve në vit, duket se Kosovës i duhen edhe 4 vite për të arritur deri te statusi i aplikantit. Të mos flitet pastaj për kohën që merr vet procesi i anëtarësimit.

Megjithatë, diskutimi mbi Raportin e Progresit të Komisionit Evropian në Parlamenti e Kosovës, e në veçanti fjalimi i Kryeministrit, disi më “bindi” se jemi shumë afër integrimit në Unionin Evropian. Ndoshta jo edhe aq tërheqës për mua ishte çështja e integrimit sa ajo e liberalizimit të vizave. Kryeministri tregoi se si e ka vlerësuar Komisioni punën e shkëlqyeshme të Qeverisë në këtë Raport, se si ky Raport i vitit 2009 qenka vlerësim i punës dhjetë vjeçare në Kosovë e jo i vitit 2009 etj. Nuk prisja që të ketë edhe kushedi çfarë debati, nuk prisja që anëtarët e Qeverisë të shfaqin shkallën e lartë të korrupsionit, nivelin e ulët të Gjyqësisë, keqpërdorimet në prokurimin publik respektimin e të drejtave të njeriut etj., që për “koincidencë” janë pikërisht pikat kyçe të Kritereve të Kopenhagës dhe Acquis Communautaire. Por, nga ky debat së paku prisja që të ketë profesionalizëm në temën e ditës. Prisja që deputetët të jenë të vetëdijshëm se integrim nuk do të thotë zyra për integrime, komisioni parlamentar për integrime, zëvendës-kryeministri për integrime e shumë “integrime” tjera përreth. Sidoqoftë, të shpresojmë që po ecën puna mirë!

Por praktikisht, gjatë vitit 2009 Qeveria nuk ka arritur që të bind për njohje, asnjë prej 5 shteteve të UE-së të cilat akoma nuk e kanë njohur vendin tonë. Kjo përgjegjësi gjithsesi i takon më së shumti MPJ, por edhe Kryeministrisë dhe Presidencës. Sidoqoftë, ashtu si edhe premtoi në Parlament, duket se Kryeministri i vendit ka vendosur që rrugën e integrimeve ta trasojë përmes një resori të ri qeveritar- Ministrisë së Integrimeve. Kjo ide për themelimin e një Ministrie për Integrime në kuadër të Qeverisë së Kosovës është përfolur shpesh. Në shikim të parë kjo duket si një ide e mirë. Madje nëse jo edhe aq e mire, së paku nuk ka asgjë të keqe. Për më tepër një ministri eventuale për integrime do të shkarkojë nga puna e “madhe” MPJ. Nga kjo mund të paramendohet se MPJ do të ketë më shumë kohë dhe hapësirë për lobim kurse Ministria e Integrimeve do të merret drejtpërdrejtë me proceset e integrimit të vendit në NATO, Union Evropian, Këshillin e Evropës etj. Por a do të jetë vërtet ky synim i Kryeministrit i realizueshëm në praktikë? A do të jetë vërtetë efikas dhe i suksesshëm ky resor i ri?

Së pari, me krijimin e një Ministrie të Integrimeve duhet të ndahet një pjesë e buxhetit për këtë resor. Ky buxhet sado që të jetë, mendoj se nuk do të luaj rol në punën e ministrisë, aq më pak në procesin e integrimit. Në këtë fazë të marrëdhënieve ndërkombëtare që po kalon Kosova, integrimet akoma janë të paarritshme pa pasur njohje të reja dhe intensifikim të marrëdhënie diplomatike. Andaj do të kishte qenë e udhës që ky buxhet dhe ky potencial (njerëzor e financiar) të përdorej në punën më të mirë të MPJ-së.

Së dyti, Kosova akoma është larg proceseve të para-anëtarësimit (Kosova nuk është palë nënshkruese e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim) me UE-në, dhe realisht kompetenca lëndore e kësaj ministrie do të jetë shumë e varfër. Pra thënë troç, çka do të punojë kjo ministri? Në anën tjetër me 5 shtete të UE-së të cilat akoma nuk e kanë njohur zyrtarisht vendin, integrimi tani për tani nuk ka kuptim.

Së treti, dhe çka është më e rëndësishmja, integrimi në familjen e 27 shteteve të UE-së nuk varet vetëm nga puna e MPJ apo Ministria e Integrimeve. Për UE-në me rëndësi është plotësimi i kritereve dhe standardeve që i parashtron secilit shtet duke filluar nga bujqësia e deri tek sporti. Kur jemi te bujqësia, Kosova ka potencial në këtë fushë por është larg standardeve të UE-së. Për të qenë më praktik, Kosova nuk mund të “hyjë” në UE as me trangujt e vet. Kjo për arsye se ekziston Direktivë e posaçme e UE-së për shitjen dhe eksportimin e trangujve me formë të drejtë dhe ambalazh të caktuar. Andaj me trangujt e shtrembër që rriten në Kosovë nuk hyhet në UE. Prej kësaj mund të kuptojmë se për t’u integruar në UE, secili resor qeveritar dhe secila fushë e politikave shtetërore merret parasysh, e më së paku fakti se ka apo jo një shtet Ministri të integrimeve apo zëvendës-kryeministër të integrimeve.

Nëse e kthejmë kokën nga vendet e rajonit dhe shohim përvojën e tyre në këto procese, dy nga shtetet kandidate për në Unionin Evropian- Kroacia dhe Maqedonia, po ashtu shtete të dala nga ish-Jugosllavia, aktivitetet për integrime i kryejnë brenda MPJ-ve. Kroacia e ka të përfshirë Ministrinë e integrimeve së bashku me MPJ-në duke krijuar kështu një ministri të vetme, por të fortë dhe të suksesshme. Serbia që mban statusin e kandidatit potencial ka një zëvendës-kryeministër për integrime në UE dhe jo ministri të veçantë. Nga vendet e rajonit vetëm Shqipëria dhe Mali i Zi kanë Ministri të veçanta për integrime. Megjithatë për integrim ne UE për Kosovën është me rendësi që të forcojë jo vetëm sferën e diplomacisë por çdo sferë tjetër të politikave shtetërorë.

Rasti konkret për t’u marrë si shembull është liberalizimi i vizave me Ballkanin perëndimor. Me gjithë përkushtimin e shteteve të Ballkanit perëndimorë për liberalizim të vizave me UE-në, Parlamenti Evropian votoi në favor të Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi, e së fundi edhe Këshilli i Ministrave e dha dritën jeshile. Duke lënë anash kështu Bosnjë Hercegovinën dhe Shqipërinë. Kjo për arsye se tri shtetet e para i kishin plotësuar kërkesat e Komisionit Evropian, kurse dy të fundit nuk arritën t’i plotësojnë këto kritere. Siç po shihet i tërë kuptimi i integrimit ka të bëjë me plotësimin e një grumbulli kriteresh. Si përfundim, lexojeni mirë Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, lexojini mirë kriteret ngase kriteret e UE-së janë të paarritshme për Kosovën nëse punohet me “avazin e vjetër”.

(Kandidat për magjistër për të Drejtën Evropiane në Universiteti Karl Franzens- Austri)