A e dini çka është turpi?!

- Letër e hapur e KMDLNJ- së Kryeministrit të Kosovës z. Hashim Thaçi, Kryesisë dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës -
Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa është këmbëngulës që të jetësohet rekomandimi i vjetër që disa herë është tentuar të kontrabandohet, ai për rritje të pagave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Opinioni i gjerë është informuar se deputetët e Kuvendit më pasiv dhe më të papërgjegjshëm në këtë pjesë të Evropës (ndoshta edhe më gjerë) më parë patën kërkuar përfitime përrallore siç janë: rritja thuaja e 100 % e pagave, vetura, zyra me sekretaresha si dhe mundësi për përfitime dhe pas përfundimit të mandatit të tyre!
Këto përfitime nuk i ka asnjë Kuvend i vendeve të rajonit duke filluar nga Sllovenia, Kroacia, Serbia, Maqedoni, Mali i Zi, Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës, Shqipëria e mbase as shumë Kuvende të tjera të botës!
Disa përpjekje për rritje të pagave patën dështuar për shkak të presionit të opinionit dhe refuzimit të kryeministrit të Kosovës, z. Hashim Thaçi. Tash, në fund të vitit fiskal, në intermeco të zgjedhjeve lokale dhe punës së GJND-së në Hagë, duke ditur se vëmendja e opinionit është zhvendosur në këto çështje, përsëri ka përpjekje që kjo kërkesë, krejtësisht e pamoralshme sërish të kontrabandohet pa ndonjë reagim të madh të opinionit!
Republika e Kosovës, me një buxhet afërsisht 1 miliardë euro, me papunësi 65 %, me 50 % varfëri dhe 18 % varfëri të skajshme do të duhej të ishte vendi i fundit i cili do t’i rriste pagat e deputetëve të një Kuvendi i cili, në fakt do të duhej të shërbente se si nuk duhej të funksionojë një Kuvend! Kuvendi i Republikës së Kosovës është Kuvendi më i keq dhe më jofunksional në vendet e rajonit.
Deputetë që miratojnë ligje pa i lexuar fare, që punën në Kuvend e konsiderojnë si punë vullnetare (vijnë kur të duan dhe dalin po ashtu kur të duan!), që janë të kyçur në biznese ilegale dhe të dyshimta duke e keqpërdorur pozitën që e kanë, vallë a meritojnë këta trajtimin material që janë duke e gëzuar tani?!
Në asnjë mënyrë , madje duhet të shqyrtohet mundësia për sanksionimin e tyre për shkak të mospunës , joseriozitetit, joprofesionalizimit etj.
Shikuesit e mediave elektronike që i përcjellin seancat e Kuvendit të Republikës së Kosovës janë dëshmitarë të pamjeve kur salla e Kuvendit është gjysmë e zbrazët, mungon kuorumi andaj Kryesuesi i seancës detyrohet t’i lus këta deputet të kthehen në seancë!
Deputetët shkojnë në Kuvend, në numër të plotë vetëm nëse atyre u drejtohet ndonjë personalitet të cilin e konsiderojnë se u ndihmon të tregojnë përralla për nipërit dhe mbesat e tyre pas pensionimit ose kur marrin ekstra honorar prej 500 eurove siç ishte Honorari i Pavarësisë (nënshkrimi i Deklaratës së Pavarësisë).
Dhe, këtyre t’u rriten pagat?! Ky do të ishte turp dhe vendim shumë i pamoralshëm! Në kohën kur shumica e punëtorëve kosovarë e bëjnë luftën për mbijetesë me paga sociale , kur pensionistët nuk kanë para për barna të domosdoshme, kur segmente shumë të rëndësishëm si, policia, shëndetësia, arsimi heqin të zitë e ullirit të kalojnë muajin me ato paga simbolike, kur 99,9 % e popullatës nuk ka sigurim shëndetësor, a duhet që këtij grupi të përtacëve t’u sigurojmë të ardhura përrallore?! Kurrsesi!
Pas përpjekjeve të pareshtura të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për sigurimin e sa më shumë përfitimeve për ta dhe familjarët e tyre, pas shfaqjes së grykësisë së tyre antologjike, duke mos e marrë fare parasysh mjedisin ekonomiko – social në të cilën kinse punojnë , është e tepërt të llogarisim dhe kërkojmë nga ta ndjesi të solidaritetit me 80 % të popullatës së Kosovës, përgjegjësi, moral, ndërgjegje dhe vetëdije politike, njerëzore, qytetare dhe kombëtare.
Ky, në fakt është test edhe për ata që dikur kanë qenë apo edhe sot hiqen si të tillë: idealistë , ish të burgosur politikë, aktivistë për të drejtat e njeriut dhe humanistë , verbalisht të deklaruar nëse do ta kundërshtojnë këtë kërkesë të çoroditur! Ose, edhe ata do të bëhen pjesë e kënetës së quajtur, interesi personal mbi interesin e qytetarit, me votën e të cilit janë zgjedhur dhe interesat e të cilëve do të duhej t’i përfaqësonin dhe mbronin!
Ky është njëkohësisht edhe testi për kryeministrin e Republikës së Kosovës , z.Hashim Thaçi i cili do të duhej të mbrojë Buxhetin e Kosovës nga grykësit e papërgjegjshëm , në rastin konkret nga deputetët e papërgjegjshëm të Kuvendit të Kosovës!
Dhe në fund një pyetje e thjeshtë: ”A e dini çka është turpi?”


































