LAJMI I FUNDIT:

Raci: BE-ja do të duhej të përfshihej në kthimin e trupit të Faton Hajrizit

Raci: BE-ja do të duhej të përfshihej në kthimin e trupit të Faton Hajrizit
Gazmir Raci, analist

Analisti politik, Gazmir Raci, ka thënë se në rastin e kthimit të kufomës së Faton Hajrizit në Kosovë do të duhej të përfshihej edhe Bashkimi Evropian.

Ai tha se Kosova dhe Serbia e kanë një marrëveshje për bashkëpunim të ndërsjellë juridik, e që sipas tij, misioni i EULEX-it në kuadër të kësaj marrëveshjeje e ka një rol lehtësues për raste sikur ai i Faton Hajrizit.

“Do të doja që edhe Bashkimi Evropian të kishte një rol në këtë drejtim, ku të paktën trupi i Faton Hajrizit të kthehej në Kosovë. Unë besoj zyrtari ynë ndërlidhës ka paraqitur shkresa atje, gjë që ministrja jonë e Jashtme do të duhej të na tregonte se a ka nisur ndonjë letër ajo apo ministrja e Drejtësisë”.


“Por, edhe EULEX-i, në momentin kur institucionet tona kanë vështirësi për t’u qasur pran institucioneve serbe, e ka një rol në këtë rast, që do të duhej të involvohej, por në këtë rast Kosova duhet t’ia kërkojë”, tha Raci në Rubikon, të Klan Kosovës.

Ai më tej komentoi edhe qasjen e Serbisë në rastin e Hajrizit, ku tha se kjo tregon nivelin e zhvillimit demokratik që ka shteti serb, e i cili e ka statusin e vendit kandidat për anëtar të BE-së.

“Kjo tregon se ky shtet nuk po arrin të dalë nga e kaluara kriminale e sistemit të Millosheviqit. Fatkeqësisht krerët e shtetit serb janë po ata që i kanë shërbyer denjësisht Milosheviqit, Sheshelit e të tjerëve”, tha Raci.