Nga: Jim Farber / The Guardian
Përktheu: Telegrafi.com
Në shtëpinë modeste të Charles Danielsit – në Somervill të Masaçusetsit, në periferi të Bostonit – nëpër kutitë e filmave të shënjuar me simbole të fshehta dhe me udhëzime që mezi lexohen, rrinë dhjetëra mijëra fotografi të pazhvilluara.
Shumica rrinë ashtu për më shumë se pesë dekada. E, teksa Danielsi nuk është i sigurt për gjithçka që fshihet në depon e tij, e di me siguri se pjesa më e madhe e fotografive janë kronika të ndonjë momenti kyç të kulturës së popit – nga koha kur emrat e rokut, si Who, Faces dhe Jimi Hendrix lanë gjurmët e tyre të para në Amerikë.
Si i ri në vitet 1960, Danielsi bënte fotografi në mënyrë obsesive, duke shkrepur gjithçka që i binte në sy e kudo që endej. Në vitin 1967 e kishte një përparësi për këtë obsesion, falë kohës që kaloi duke ndenjur dhe duke punuar në organizimet e sallës Boston Tea Party – vend ky me rëndësi në revolucionin rokut psikodelik.
Pavarësisht afërsisë me historinë, Danielsi nuk e ka marrë kurrë seriozisht pasionin e tij. “Shumicën e asaj që kam fotografuar, thjesht i kam harruar”, thotë ai gjatë një interviste në Zoom, nga shtëpia e tij. “Shumë gjëra atë kohë i merrnim si të mirëqena”.
Në fakt, në kohën e izolimit të shkaktuar nga koronaviruesi, shoqëruesja e Danielsit, Susan Berstler, më në fund e nxiti për ta nisur detyrën e frikshme – për ta zhvilluar punën e tij. Numri relativisht i vogël i shkrepjeve që janë zhvilluar deri më sot, e shfaqin perspektivën e rrallë të Danielsit për yjet e asaj kohe. “U shoqëruam të gjithë së bashku”, thotë ai. “Kështu që, si askush tjetër e kisha këtë intimitet me grupet”.
Në to shfaqet karakterin jo i sofistikuar i fotografive. Ndryshe nga veprat me ndriçim të kujdesshëm e kompozicion të menduar mirë – si nga Annie Leibovitz, Henry Diltz ose Jim Marshall – fotot e Danielsit janë më shumë si fotot që i merrni nga një mik. Prandaj, ato kapin diçka më të rastësishme, më të afërt e më reale. “Ajo që është unike në lidhje me fotot e Charliet është se ju tregojnë se si ishte në të vërtetë jeta e një grupi në turne – në atë kohë”, ka thënë Steve Nelson, i cili e menaxhoi Boston Tea Party-in në kulmin e famës. “Për shkak se ishte pjesë e ekipit, fotografitë e tij i paraqesin grupet në dritë të re”.
Tea Party ishte vendi i përsosur për këtë punë. Sipas Peter Wolfit – vokalist i grupit të Bostonit, J Geils, – “grupet britanike vinin në Boston Tea Party për ta mbledhur veten përpara se të zbrisnin në Hartford, më pas në Nju-Hevën e në Nju-Jork, ku mediat i prisnin. Ishte terren testimi”.
“Është turp që Tea Party nuk përmendet kurrë në të njëjtën mënyrë si Fillmores në San Francisko e në Nju-Jork, sepse ishte po aq i rëndësishëm”, ka thënë Ryan H Walsh, libri i të cilit “Astral Weeks: The Secret History of 1968” përqendrohet në skenën muzikore të asaj kohe në Boston. “Ishte vend i rëndësishëm”.
Se si Daniels u bë një pjesë e rëndësishme e skenës, kjo ka të bëjë me qëndrimet e asaj kohe. Klubi kurrë nuk e punësoi zyrtarisht, si organizator. Evoluoi natyrshëm në atë rol. “Isha dikush që ishte atje, për çdo fundjavë në skenë”, tha Daniels. “E njihja muzikën. Kështu që, kur ata panë se kishin nevojë për prezantim të vogël për grupet, ishte e lehtë për mua të jem spiker”.
E bëri këtë në vitin 1968 për grupin e Wolfit – para se të shkonte me J Geils – Hallucinacions. “E takova Charlien tek rrinte në Sheshin Harvard, që ishte si një mekë kulturore”, tha Wolf. “Shiheshim me njëri-tjetrin në raste të ndryshme dhe u bëmë miq të ngushtë”.
Aq miq sa që Wolfi nisi ta angazhonte Danielsin si ndihmës në një emision radiofonik që ai e drejtonte në stacionin kryesor të skenës rok të Bostonit – WBCN. Wolfi e la Danielsin të udhëhiqte në netët kur ai nuk mund të kthehej me kohë nga ndonjë koncert, ndërsa ia vuri pseudonimin “Master Blaster”. Megjithatë, stili i Danielsit si prezantues dhe DJ nuk përshtatej me tonin që pseudonimi nënkuptonte. “Stili i Charliet ishte shumë i butë dhe i lehtë”, tha Wolf. “Ishte mikpritës me njerëzit dhe kjo është arsyeja pse mendoj se ia doli të zhvillojë marrëdhënie miqësore me grupet që i fotografonte”.
Për Berstlerin, zhytja e Danielsit në muzikën e zezë po ashtu ka luajtur rol. “Një nga arsyet pse Charlesi kishte lidhje të menjëhershme me shumë rokerë britanikë, ishte dashuria e tyre për muzikën e zezë”, thotë Berstler. “Për ata djem, kjo muzikë ishte diçka e re. Për Charlesin ishte diçka rreth së cilës u rrit”.
Ajo mendon se fakti që ai nuk po kërkonte t’i publikonte fotot, kjo e rriti raportin e tij me muzikantët. Siç thotë Daniels: “Ishte diçka që e bëja vetëm për veten time”.
Nuk është çudi pse Berstler i konsideron këto fotografi si “ditari vizual i Charlesit”. “Një film që pamë më bëri të qesh”, thotë ajo. “Ishin disa foto të ndonjë të dashure të tij në atë kohë, disa foto të njerëzve në metro dhe të disa njerëzve që ecnin në rrugën Njubëri, e kah fundi i filmit ishin fotot e prapaskenës me Pete Townshendin dhe Keith Moonin. Pra, ishte paksa si, ‘Charles, qëlloja ‘Kush’ (grupi The Who – v.j.). Kjo ishte dita e Charlesit”.
Qasja e tij ishte e rastit, thotë Wolf, sa që “disa njerëz nisën të bëjnë shaka se nuk kishte film në aparatin e tij. Bënte aq shumë shkrepje sa askush nuk i shihte”.
Lidhja e Danielsit me fotografinë ishte e sinqertë. Ndonëse lindi në Alabaman e shquar për segregacion, Danielsi u rrit në lagjen Roksbëri të Bostonit, ku nisi të fotografonte në moshën 12-13 vjeçare, pasi e gjeti një aparat në dollapin e prindërve. “Menjëherë fotografova atë që ndodhte në lagje”, thotë ai.
E konsideronte veten si fotograf rruge, njësoj si Bill Cunningham, i cili më vonë u bë i njohur për shkrepjet e modës që shihte në rrugët e Manhatanit. Nga fundi i viteve 1960, kur kundërkultura definonte brezat, Danielsi e gjeti si zanatin ashtu edhe mjedisin e vet. “Gjërat ndryshonin shpejt”, tha ai. “Kur muzika nisi të ndryshojë, gjithçka ndryshoi”.
U interesua aq shumë për muzikantët e rinj ekzotikë anglezë që vinin në qytet, saqë nisi të vishej si ata. “U bëra interesant vizualisht, sa edhe ata”, tha ai.
E krijoi një lidhje të veçantë me Ron Woodin dhe Rod Stewartin, të cilët i takoi për herë të parë kur ishin në Grupin e Jeff Beckut. “Jeffi e mbante pjesën më të madhe të parave dhe nuk ia jepte sa duhet Rodit e as Woodyit, kështu që ata u larguan dhe e formuan grupin Faces”, tha Daniels.
Për ta përforcuar imazhin, Faces e kërkuan një banakier t’u shërbente gjatë koncerteve pije në skenë, ndërsa i kërkuan Danielsit të kërcente e t’u binte dajreve me ta. “U bëra personazh në skenë”, tha ai.
“Madje, më ftuan të udhëtoja me ta me Learjet (aeroplan për udhëtime luksoze – v.j.), në koncertet e qyteteve tjera. “Pjesa tjetër e ekipit shkonte me aeroplan ndryshe”, shton Berstler. “Por, Charlie ishte gjithmonë në Learjet”.
Gjatë një turneu, ajo tha: “Charles u ndëshkua [nga menaxheri i turneut] meqë shpenzonte më shumë para në rrugëtime sesa Rod Stewarti”.
“Për të qenë i sinqertë”, buzëqesh Daniels, “kjo kurrë nuk më zmbrapsi”.
Është e qartë se Woodi nuk e kishte problem sepse, kur u bashkua me Rolling Stones më 1975, e ftoi Danielsin thjesht për t’i bërë shoqëri dhe ia mbuloi të gjitha shpenzimet. “Përcjellësit duhej të flinin katër deri në pesë veta në një dhomë”, tha ai. “Por, unë gjithmonë e kam pasur dhomën time”.
Një person që nuk ishte i emocionuar për praninë e Danielsin në turneut e Stones-ave ishte Annie Leibovitz, fotografja zyrtare e turneut. “Ajo bënte gjithçka për të thënë se nuk po bëj fotografi të mira”, tha ai. “Rrinte para meje. Por, unë gjithmonë kapja diçka”.
Sado që i donte Stones-at, idhulli i tij ishte Hendrixi, kështu që ishte si ëndërr kur iu kërkua ta prezantonte dhe ta dokumentonte shfaqjen e tij në Boston Garden. “Donin të dinin sa të më paguanin”, kujtoi Daniels. “Thashë se do ta bëja falas. Por, paguanin më shumë se kushdo tjetër atë kohë: 200 dollarë. Do të doja ta gjeja filmin nga ajo shfaqje”.
Në vitet pas kulmit të rokut klasik, Danielsi ishte punonjës në shfaqjet lokale. U punësua gjithashtu nga një klub bluzi dhe xhazi në Kembrixh, i quajtur “Night Stage”, në mënyrë që artistët – kryesisht me ngjyrë që luanin atje, përfshirë Etta Jamesin dhe Howlin’ Wolfin – të ndiheshin rehat në atë ishte mjedis jashtëzakonisht i bardhë. Më vonë, Danielsi bëri jetë modeste duke xhiruar video kërcimi dhe fitnesi. Disa nga fotot e tij të vjetra u botuan më vonë në një libër luksoz për grupin Faces, ndërsa në 20 vitet e fundit ka ekspozuar dy herë në galeritë lokale.
Gjatë dy viteve të fundit, Berstler e ka nisur procesin e zhvillimit të një laboratori lokal, të cilin çifti e pagoi me paratë e marra nga grantet e artit. Megjithatë, duke e pasur parasysh rëndësinë e projektit, një shoqe e krijoi një fushatë në GoFundMe për t’i mbledhur 40 mijë dollarë. I mblodhi më shumë se 56 mijë dollarë, duke mundësuar angazhimin e kompanisë së specializuar për këto punë – Film Rescue International. Edhe për ta kjo detyrë është dërrmuese. Me mbi 3200 filma – secili me 12 ose 36 shkrepje, përkatësisht në 120 ose 35 milimetra – sasia shkon në mbi 60 mijë foto.
Projekti po e kënaq shpirtin e Daniels, në një kohë sfiduese. Në moshën 79-vjeçare po i nënshtrohet kimioterapisë për shkak të një çrregullimi të gjakut. Shpresa e tij më e madhe është që projekti i restaurimit të dalë në një libër, diçka që nuk do të ndodhte në vitet ’60 kur ai veç po e jetonte dhe po e shkrepte momentin. “Tash këtë punë e marr më seriozisht”, tha ai. “Është e pabesueshme të mendosh se të gjitha këto gjëra rrinin aty gjatë gjithë kësaj kohe, duke pritur që të kthehen në jetë”. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje