LAJMI I FUNDIT:

Arkeologët në qytetin antik të Arnisës

Arkeologët në qytetin antik të Arnisës

Nga: Gëzim Kabashi

Rrënojat e një qyteti antik kanë nisur të evidentohen mbi një prej kodrave të buta mes Divjakës dhe Lushnjës. Grupi i arkeologëve shqiptarë dhe gjermanë, bashkë me hulumtimet në Apolloni është përqendruar në Babunjë të Lushnjës, fshati që tashmë ka dy emra.

“Ne besojmë se qyteti prej 5-6 hektarë, që kemi identifikuar mbi kodër është Arnisa, siç e ka emërtuar Ptolemeu”, tha profesori Bashkim Lahi, arkeolog me përvojë 40-vjeçare.


Sipas tij, qyteti është krijuar si nevojë ekonomike e një grupi banorësh të Apolonisë, të cilët janë shpërngulur këtu diku rreth fillimit të shekullit VI p.e.s.

Peizazhi i mrekullueshëm, terreni i favorshëm bujqësor e blegtoral, si dhe shfrytëzimi i lumit Seman për të lundruar drejt Apolonisë, duket se përbënin avantazhet për një jetesë të mirë të popullsisë që u vendos aty, në vendin ku sot shtrihet fshati Babunjë.

Megjithë emocionin për zbulimin e fundit, Lahi përcjell edhe shqetësimin për mungesën e financimeve publike për kërkimet arkeologjike, e po ashtu edhe domosdoshmërinë për ta kthyer trashëgiminë kulturore në elementin kryesor të turizmit në vend.

Ekipi me arkeologë dhe studentë shqiptarë e gjermanë tashmë ka nxjerrë në dritë rrënojat e një banese, si dhe rrugën pranë saj, në një kuadrat prej 50×60 metra katrorë. Vetëm 200 metra më tej janë zbuluar edhe muret fortifikuese të qytetit të lashtë, i cili duket se dy shekuj pas krijimit ka patur nevojë të mbrohet nga pushtuesit e mundshëm.

Drejtuesit e ekspeditës, të ndihmuar nga teknologjitë e reja, kanë përcaktuar se qyteti kishte një rrugë kryesore, në të dy anët e së cilës degëzoheshin 13 të tjera.

“Në blloqet mes rrugëve ngriheshin banesat”, shpjegon prof. Bashkimi, duke iu rikthyer historisë së zbulimit.

Në këtë zonë për herë të parë ka gërmuar profesor Selim Islami në vitet 1950 dhe deri në vitin 1988, kur bashkëpunëtori Perikli Çuko zhvilloi një sondazh të fundit. Megjithatë, të dhënat arkeologjike për Babunjën kanë qenë të pakta.

“Arnisa – Babunja duket të ketë qenë një qytet i qetë, me marrëdhënie të mira tregtare me qytetin mëmë, Apoloninë”, shton Lahi, i cili thotë se qeramikat e amforave të zbuluara dëshmojnë për prodhime të Italisë së Jugut dhe Korkyrës, si dhe për shkëmbimet intensive mes Apolonisë dhe Arnisës, që ndodheshin pranë njeri tjetrit.

Me zbulimet e fundit në Babunjë, arkeologët shpresojnë ta shtojnë hartën e qyteteve në brigjet e Adriatikut me emra të rinj, duke përfshirë dhe gjurmët e qyteteve të gjetura pak më në veri – në Bishtqukës apo në Kepin e Rodonit.

“Kjo do të mundësojë kushtet për studime më të thelluara për periudhën e kolonizimit helen në bregdetin shqiptar të Adriatikut, deri në Kroaci e Slloveni”, shprehet Lahi.

Megjithëse pronë shtetërore, kodra e vetmuar ku u zbulua qyteti i Babunjës është e mbjellë me pemë ulliri nga disa familje të fshatit. Një nga banorët po përgatitej të ngrinte një lokal pa leje mbi kodër, madje kishte hapur edhe gropat e themeleve. Kjo e ka ndihmuar realizimin pa shumë probleme të ekspeditës, drejtuesit e së cilës patën mbështetjen e pushtetit vendor.

“Sondazhet e para i kryem pikërisht në këto gropa dhe u siguruam që ishim në rrugë të mbarë”, shpjegoi Lai, duke shtruar se tashmë janë shpërngulur përtej ullishtes dhe kanë zbritur drejt mureve fortifikuese.

Aty pranë, arkeologu Edi Shehi dhe kolegët e tij zbuluan vitin e kaluar “Kalorësin e Babunjës”, një kompozim në bronz, 14-15 centimetra i lartë që paraqet një kalorës mbi kalë.

“Një vepër artistike tepër e bukur dhe interesante, e që i përket periudhës arkaike,” tha profesor Bashkim Lahi.

Megjithëse ende e parestauruar, në kompozimin 2500-vjeçar prej bronzi bien në sy detajet e veçanta të dorës së artistit, si yzengjitë apo dhëmbët e kalit, dora e djathtë që kalorësi ka hedhur prapa dhe tjetra që mbahet mbi krifën e kalit.

“Kalorësi i Babunjës” i përket kohës së krijimit të qytetit, në fillim të shekullit VI p.e.s. ndërsa vetë qyteti nisi të braktiset në fund të shekullit IV p.e.s.

“Të ndodhur nën presionin e perandorisë maqedonase, që kërkonte dalje në det, vendasit kanë vendosur të largohen nga qyteti pa e pritur luftën”, shtoi Lahi, duke iu referuar të dhënave të deritanishme arkeologjike.

Pranë njërës prej banesave të zbuluara, bie në sy një grumbull i madh tjegullash të hershme.

“Kushtonin shtrenjtë dhe mesa duket familja ka dashur t’i marrë me vete tjegullat që do t’i shërbenin për të ngritur përsëri banesën në Apoloni, atje prej nga ku ishin larguar gati tre shekuj më parë paraardhësit e tyre”, shpjegoi Lahi.

Në grupin prej 20 punonjësish të arkeologjisë bien në sy studentët. Të rinjtë kanë avantazhin e gjuhëve të huaja, e mbi të gjitha u jepet mundësia të bashkëpunojnë si të barabartë me specialistët e huaj në ekspedita. Megjithatë, Lahi mendon se hapësira për punë e arkeologëve që diplomohen është shumë e vogël. Sipas tij, ekspeditat arkeologjike në Shqipëri financohen thuajse krejtësisht nga fondacionet e huaja.

Në Apollni specialistët vendas punojnë që nga viti 2006 përkrah arkeologëve gjermanë të Universitetit të Berlinit. Lahi nënvijëzon bashkëpunimin e shkëlqyer mes palëve, por nuk ndjehet mirë kur e pyesim për palën shqiptare.

“Arkeologjia është e braktisur nga shteti, ndërsa investimet mungojnë krejtësisht”, tha ai me hidhërim. “Sikur të mos ishin bashkëpunimet me të huajt, me siguri nuk do të kishte gërmime arkeologjike në Shqipëri”.

Duke folur për trashëgiminë kulturore , arkeologu me përvojë shtoi se ajo mbetet fusha kryesore ku duhet të mbështetet turizmi i së ardhmes.

“Nëse sot Apoloninë e vizitojnë qindra turistë në ditë, edhe të ardhurat financiare që sigurohen prej tyre duhet të shkojnë për ekspedita dhe restaurime, të cilat e përmirësojnë imazhin e qytetit”, përfundoi ai. /BIRN/

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
KANGË

KANGË

Poezi
“Komedia”

“Komedia”

Kulture
ALKIMIA E FJALËS

ALKIMIA E FJALËS

Poezi
“Jetë e humbun”, leximi i dytë

“Jetë e humbun”, leximi i dytë

Kulture
Kalo në kategori