LAJMI I FUNDIT:

43.4 për qind e familjeve nuk mund të përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 eurove, Hoti: Ndihma e njëhershme nuk është zgjidhje për inflacionin

43.4 për qind e familjeve nuk mund të përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 eurove, Hoti: Ndihma e njëhershme nuk është zgjidhje për inflacionin

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti theksoi sot se ndihma e njëhershme nuk është zgjidhje për zbutjen e pasojave të inflacionit në vend.

Hoti referuar statistikave të ASK-së thotë se 43.4% e familjeve nuk mund të përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 eurove nga burimet e tyre vetanake.


Lexoni të plotë postimin e deputetit të LDK-së:

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës:

43.4% e familjeve nuk mund të përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 eurove nga burimet e tyre vetanake;

49.2% e familjeve nuk mund të mbulojnë shpenzimet e një shujte çdo dy ditë që përfshinë mishin, pulën dhe peshkun;

48.8% e familjeve kanë deklaruar se pagesa e borxheve është barrë e rëndë financiare;

8.1% e familjeve kishin vështirësi të mëdha, ndërkaq 20.1% përballeshin me vështirësi, në kryerjen e pagesave të nevojshme të zakonshme të familjes, marrë parasysh të ardhurat.

Shkaktari burimor i kësaj situate është inflacioni. Por, thellimi i krizës erdhi si rezultat i mungesës së masave adekuate për të zbutur pasojat e inflacionit për familjet.

E kemi ngritur vazhdimisht në Kuvend dhe jashtë Kuvendit, se ndihma e njëhershme nuk është zgjidhje për zbutjen e pasojave të inflacionit. Tani këtë po e dëshmojnë statistikat e Qeverisë.

Zgjidhja është: (1) indeksimi i pensioneve dhe asistencës sociale, së paku aq sa ka qenë inflacioni, në mënyrë që të ruhet standardi minimal i jetës së familjeve më të cenueshme nga inflacioni, si dhe (2) zgjerimi i përkohshëm i listës së mallrave me normë të reduktuar të TVSH-së prej 8 për qind. /Telegrafi/