LAJMI I FUNDIT:

31 aksidente brenda 24 orëve në Kosovë

31 aksidente brenda 24 orëve në Kosovë

Kosova po vazhdon të ketë një numër të madh të aksidenteve brenda ditës.

Vetëm në 24 orët e fundit janë shënuar 31 aksidente, prej tyre 13 janë me të lënduar ndërsa 18 të tjera vetëm me dëme materiale.


Policia e Kosovës po ashtu ka njoftuar se ka shqiptuar edhe 239 tiketa të trafikut. Ndërsa ka arrestuar 9 persona prej të cilëve 7 janë dërguar në mbajtje dhe 1 në vuajtjen e dënimit.

Policia e Kosovës vazhdon të kërkojë nga drejtuesit e automjeteve, të respektojnë dispozitat ligjore, t’i përshtaten kushteve të rrugës dhe atyre atmosferike, të mos drejtojnë automjetet derisa janë në ndikim të lodhjes, gjumit apo nën ndikim të alkoolit, t’i shmangen përdorimit të telefonit gjatë ngasjes si dhe veprimeve tjera që mund të shkaktojnë rrezik dhe pasiguri gjatë drejtimit të automjetit.

“Aksidentet në përgjithësi e sidomos humbja e jetëve njerëzore në aksidente trafiku është shqetësuese jo vetëm për policinë, por edhe për institucionet tjera dhe qytetarët në përgjithësi, prandaj kërkohet një përkushtim dhe qasje më gjithëpërfshirëse proaktive”, thotë policia.

Policia e Kosovës me njësitet e saja policore vazhdon të ketë prezencë të shtuar policore, të monitorojnë dhe të menaxhojnë situatën në trafikun rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit dhe aty ku pjesëmarrësit bien ndesh me rregullat që parasheh ligji në trafik, masa ndëshkuese ligjore po aplikohen dhe do të aplikohen në vazhdimësi me qëllim të parandalimit të rasteve të aksidenteve në veçanti këtyre me pasoja fatale. /Telegrafi/