LAJMI I FUNDIT:

24 nëntor 1968: Çka u tha në komentin redaksional te “Zëri i Popullit”, për zhvillimet në Kosovë?

24 nëntor 1968: Çka u tha në komentin redaksional te “Zëri i Popullit”, për zhvillimet në Kosovë?

Në fundvitet gjashtëdhjeta në relacionet Shqipëri-Jugosllavi ishte zhvilluar një luftë e rreptë propagandistike. Shtizat e dyluftimit propagandistik thyheshin ku tjetër pos në çështjen e Kosovës dhe përgjithësisht të pozitës së shqiptarëve në Jugosllavi. Shteti shqiptar, Qeveria e tij dhe njeriu i parë i PPSH-së, Enver Hoxha, ishin më aktiv se kurdoherë më parë në mbrojtjen e të drejtave legjitime të popullit shqiptar në Kosovë. Shteti shqiptar dhe udhëheqja e tij, në këtë plan kishin dëshmuar vizionaritet dhe guxim historik. Telegrafi më poshtë ju sjell tekstin integral të komentit redaksional të "Zërit të Popullit", të datës 24 nëntor l968, katër ditë para demonstratave të shqiptarëve në Kosovë. Teksti me mestitujt është përgatitur nga Agim Zogaj.

SERBOMEDHENJTË DHE TITOISTËT U DETYRUAN TË LESHOJNË PE

Çdo populli dhe çdo kombi i është i shenjtë dhe i dashur flamuri i tij nacional. Ajo është e dashur dhe e madhëruar edhe për shqiptarët në Kosovë, si simbol i kombi të tyre, i ekzistimit të tyre si tërësi nacionale, në luftërat shekullore që i ka udhëhequr së bashku me mbarë popullin shqiptar, kundër pushtimit të huaj dhe për çlirimin nacional dhe pavarësi, si simbol i krenarisë nacionale dhe të respektimit si shqiptar dhe të popullit trim të pamposhtur para çfarëdo armiku, sfidave, pengesave dhe shtrembërimin e historisë.


Mirëpo, e drejta në flamurin kombëtar në Jugosllavi u është cenuar shumë kohë. Dhe jo vetëm ajo. Secila kërkesë e tyre për këtë të drejtë ligjore pas veti tërhiqte represaljet gjithnjë e më të mëdha e më brutale. Shovinistët serbomedhenj kurrë nuk kanë dashur të dëgjojnë për shqiptarët e Kosovës, për të drejtat e tyre më elementare si popull dhe komb. Synimi dhe preokupimi i tyre i vetëm ishin diskriminimi i shqiptarëve në Kosovë, denacionalizimin i tyre shkatërrimi i tyre si tërësi nacionale dhe asimilimi, duke përdorur të gjitha mjetet, nga ato ekonomike eksploatimi e deri te shpërngulja e dhunshme dhe gjenocidi.

Mbretërit e vjetër serbë ua kanë kontestuar shqiptarëve të Kosovës të drejtën në flamurin kombëtar. Këtë ua kanë kontestuar edhe udhëheqësit titoistë. Kjo, si dhe shumë të drejta tjera, u janë kontestuar si në luftën kundër fashizmit hitlerian, atëherë kur populli shqiptar me pushkë në dorë së bashku me popullin serb, malazez, maqedonas e të tjerë luftoi për çlirimin e Jugosllavisë. Në vend se të pranohet të drejtat ligjore si komb, shqiptarët në Kosovë u janë nënshtruar si në kohën e mbretërive, ndjekjeve, torturave dhe vrasjeve, si akuzuar herë si “mjet dhe bashkëpunëtor] i fashistëve italian dhe gjerman”, veçmas në vitet e para të çlirimit, herë si “nacionalistë” dhe ” shovinistë” etj.

Edhe pse në Mbledhjen e Dytë të KAÇKJ-së, në nëntor të vitit 1943 në Kushtetutën e Jugosllavisë u proklamuar barazia e secilit popull dhe e drejta e tij në vetëvendosje, madje edhe në shkëputje, shqiptarët në Kosovë, si pakicë kombëtare, as sot nuk i kanë fituar të drejtat themelore kombëtare. Pikërisht për këtë arsye populli i Kosovës nuk e ka ndërpre luftën e tij në ruajtjen e identitetit nacional, të gjuhës dhe dokeve të veta,të fitojë të drejtat si popull shqiptar, të drejtën që të ketë shkollën shqiptare dhe të kultivojë kulturën e vet nacionale,që të ketë kuadrot e veta, lirshëm të jetojë në tokën e vet dhe të mbajë flamurin kombëtar si simbol të popullit shqiptar.

Kohëve të fundit, si rezultat i kësaj vendosmërie të vazhdueshme dhe të luftës gjithnjë e më të vendosur të mbarë popullit të Kosovës dhe veçmas të intelektualëve patriotë dhe të rinisë patriotike kosovare, shqiptarët e Kosovës kanë arritur sukses të madh: kanë fituar të drejtën që të përdorin flamurin e tyre kombëtar, flamurin e kuq me shqiponjën dykrenëshe dhe me yllin e artë mbi te. Titoistët u detyruan të lëshojnë pe.

Kjo fitore dhe realizimi i ëndrrës së kahershme kanë gëzuar secilin shqiptar në Jugosllavi. Mu për këtë, çka është edhe krejt e natyrshme, tashti në të gjitha vendet në Kosovë në manifestimet zyrtare, ose në rastin e festave private dhe në dasma, kosovarët e mbajnë fuqishëm në duar dhe i zbukurojnë shtëpitë e tyre me flamurin kombëtar. Secili njeri i arsyeshëm e kupton këtë shprehje të gëzimit i cili i ka përfshirë shqiptarët e Kosovës, pra si diçka që është shumë e logjikshme dhe e arsyeshme.

Mirëpo, kështu nuk mendojnë as titoistët, as reaksioni serbomadh, të cilët shqiptarëve të Kosovës u lejuan ta bartin flamurin jo pse këtë e dëshiruan. Fitorja e përmendur dhe gëzimi i shqiptarëve të Kosovës pa masë i kanë shqetesuar, hidhëruar dhe lëkundur edhe pushtetin titoistë edhe shovinistët serbë. Prandaj, ata të alarmuar me këtë, kanë filluar të trumbetojnë de të ngrisin zërin e protestës, duke i akuzuar kosovarët për “shovinizëm shqiptaromadh”, “naconalizëm” etj.

Këto protesta dhe akuza janë të përcjellura me vërejtje dhe kërcënime se do të ndërmerren masa të rrepta dhe do të bëhen spastrime në arsim, kulturë dhe institucionet ndaj të gjithë atyre njerëzve të cilët “paraqesin pikëpamje ideore të huaja me LKJ-n”, përkatësisht kundër intelektualëve dhe patriotëve të Kosovës të cilët e ngrisin zërin dhe luftojnë për të drejtat nacionale të shqiptarëve.

Kështu krijohet terren për fushatë të re të represaljeve dhe për vuajtjet për shqiptarët e Kosovës, të ngjashme me ato të cilat ata shpesh i kanë ndjerë nga çlirimi e këndej.

DISKRIMINIMI I SHQIPTARËVE TË KOSOVËS

Pse dhe për çka e tërë kjo zhurmë, akuza dhe kërcënime kur është fjala për të drejtat minimale dhe të ligjshme të çdo populli? Për se e gjithë ajo zhurmë për të ashtuquajturin ” shovinizmin shqiptar”, në vend se të theksohen shkaqet reale të padrejtësisë të cilat gjatë tërë historisë i janë bërë popullit shqiptar në Kosovë?

Analiza e tillë, e mbështetur në mësimet e marksizëm – leninizmit dhe materializmin historik, do të shpjegonte arsyet e gëzimit që ka përfshirë shqiptarët e atjeshëm me rastin e fitimit të së drejtës që të kenë simbolet e tyre nacionale e jo akrobacionet antimarksiste të Eduard Kardelit, i cili në frymën shoviniste përpiqet të shpjegojë realizimin e principeve të vetëvendosjes. Pse nuk tregohet me gisht në ata të cilët me dekada në mënyrë barbare kanë robëruar shqiptarët në Jugosllavi, të cilët kanë nxitur kaq shumë mjerim, mallëngjim dhe lot në shtëpitë e tyre, duke filluar nga mbretërit serbë e deri te xhelatët titoistë të UDB-ës? Pse nuk akuzohet ai shovinizëm i tërbuar, por për shovinizëm cilësohet fakti se shqiptarët e përdorin flamurin e tyre kombëtar në tokën e tyre sa herë që duan? Ose kjo nuk bëhet që të mos hidhërohen shovinistët reaksionarë serbë dhe malazez?

Është e qartë se këtu kemi të bëjmë me diskriminimin e thellë dhe të vrazhdë ndaj shqiptarëve në Kosovë, të cilët paraqesin shumicë të rëndësishme nacionale. Maqedonia ka 1.800.000 banorë, prej të cilëve 300.000 janë shqiptarë,vendas e jo të ardhur. Udhëheqja titoiste ju pranoi maqedonëve të drejtat nacionale dhe po bë përpjekje për mbrojtjen e atyre të drejtave. Por ku është fjala për shqiptarët e Kosovës dhe përgjithësisht shqiptarët në Jugosllavi, klika titoiste mendon se shumë u ka ofruar. Të drejtat të cilat pas kaq shumë vuajtjeve u janë pranuar kosovarëve, madje edhe e drejta në përdorimin e flamurit kombëtar, edhe më tej janë tepër të vogla dhe shqiptarët e Kosovës do të duhej ta kuptojnë çka në të vërtetë realisht ato janë në suazat e gjendjes së tyre të përgjithshme të shtypjes dhe diskirminimit nacional.

Titoistët dhe shovinistët serbë deklarojnë se shqiptarët e Kosovës, duke e dëshmuar patriotizmin e tyre dhe duke shfrytëzuar të drejtën në përdorimin e flamurit, gjëja se po shkatërrojnë miqësinë e popullit shqitra të Kosovës me popujt tjerë të Jugosllavisë. Kjo deklaratë është krejtësisht absurde dhe një pikëpamje reaksionare, prapa të cilës fshihet shovinizmi i fuqisë së madhe. Jemi të bindur se populli i Kosovës nuk është dhe nuk ka pse të jetë kundër popujve të Jugosllavisë, por ishte, është dhe do të jetë kundër reaksionit serb e malazez, si dhe kundër regjimit i cili e mbron. Duhet qartësuar këtë ndryshim esencial.

Neve na është krejt e kuptueshme se argumenti i mësipërm i shpifur, me qëllim theksohet në mënyrë që të drejtën që shqiptarët e Kosovës e fituan të mbetet vetëm formale, por edhe të shfrytëzohet si mjet për provokim, për të ndërmarrë masa shtypëse, ndëshkuese kundër popullit të Kosovës , në mënyrë që t’i dilet në rrugë në përpjekjet e tij që të siguroj të drejtat e veta të plota nacionale.

Udhëheqësit titoistë, veçmas ata në Kosovë, kanë thënë se nuk duhet të harrojmë se në Jugosllavi ka 1,200.000 shqiptarë. Ne i falënderojmë në faktin se po na kujtojnë në këtë.

TË MARRIN FUND NDJEKJET BARBARE KUNDËR SHQIPTARËVE

Dëshirojmë t’u themi udhëheqësve titoistë se marrëdhëniet e mira me RP të Shqipërisë nuk bazohen në këmbimin e disa mallrave për konsum të përgjithshëm, por në respektimin e mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar .Themi se nuk i kemi harruar dhe kurrë nuk do t’i harrojmë vëllezërit tanë shqiptarë në Jugosllavi.

Pikërisht për këtë pse nuk i kemi harruar dhe kurrë nuk do t’i harrojmë, përherë e kemi ngritur zërin në mbrojtjen e interesave dhe të drejtave t tyre, kemi kërkuar dhe kërkojmë që një herë e përgjithmonë të marrin fund ndjekjet barbare të shqiptarëve dhe të vihen para gjyqit e të dënohen me meritë autorët e krimeve përbindëshe, të ndalet me politikën shovinise të denacionalizimit, serbizimit dhe shpërnguljen e banorëve shqiptarë nga Kosova, të marrin fund diskriminimi dhe padrejtësitë ndaj popullatës shqiptare në fushën e punësimit, gjuhës, arsimit, kulturës dhe administratën shtetërore, të marrë fund kolonizimi dhe politike shoviniste ekonomike, eksploatimi i Kosovës, që të ndërmerren masa efikase për tejkalimin e prapambeturisë së thellë ekonomike të Kosovës, për likuidimin e pabarazisë në raport me pjesët tjera të Jugosllavisë, që popullit shqiptar në Kosovë në tërësi t’i pranohen të drejtat nacionale.

Do t’ju përsërisim titoistëve që të mos harrojnë se në Jugosllavi jetojnë më së paku 1,200.000 shqiptarë. Si gjithnjë, me rrugën marksisto – leniniste do ti mbrojmë vëllezërit e Kosovës dhe u themi titoistëve që të heqin dorë nga politika e tyre shovinste e shtypjes dhe përndjekjes të banorëve shqiptarë të Kosovës, të cilët i kërkojnë të drejtat e tyre nacionale.

U themi udhëheqësve të sotëm të Kosovës të jenë më real, që më thellë të studiojnë historinë e lavdishme të popullit shqiptar të Kosovës, i cili kurrë nuk është nënshtruar para robërisë, pavarësisht se në ç’masë ajo ishte e ashpër dhe e pamëshirshme. Nëse këtë e bëjnë do t’u jetë e qartë se çfarëdo masë e shtypjes dhe e diskreminimit dhe çfarëdo ndjekje kundër popullit të Kosovës do të sjellë vetëm humbjet e reja dhe të vazhdueshme. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

Kulture
Binjaket magjepsëse dhe shkrimtarët e famshëm

Binjaket magjepsëse dhe shkrimtarët e famshëm

Kulture
KATËR GJËRA

KATËR GJËRA

Poezi
EZRA POUND

EZRA POUND

Poezi
DREJTËSIA!

DREJTËSIA!

Fjala+
DUART E NËNËS

DUART E NËNËS

Poezi
Kalo në kategori