LAJMI I FUNDIT:

10 transferimet më të suksesshme në Premierligë

10 transferimet më të suksesshme në Premierligë

Pas 10 transferimeve të dështuara në Premierligë, kësaj here ju sjellin edhe 10-shen e The Sun të futbollistëve që kanë shkëlqyer në sezonin e parë të tyre në këtë ligë. Si gjithmonë ka mjaft kandidatë për këto pozita, dhe vërehet mungesa e yjeve që kanë shkëlqyer, si Lassana Diarra, Mauro Zarate, Elano dhe dyshja e Arsenalit, Eduardo dhe Bacary Sagna.

10. Martin Skrtel


Mbrojtësi i Liverpoolit, nuk filloi mirë në Premierligë, duke shënuar autogol në ndeshjen e parë të tij, gjatë fitores në ndeshjen e Kupës FA ndaj Havant & Waterlooville. Por Skrtel, i cili erdhi nga Zenit St Petersburg për afro 9 milionë euro gjatë janarit, ka shkëlqyer që nga atëherë, në mungesë të Daniel Agger.

9. Wilson Palacios

Kur Steve Bruce u largua nga Birmingham, ai morri me vete në Wigan edhe lojtarin e tij favorit, Palacios. Mesfushori i cili kushtoi 1.25 milionë euro, ka qenë mjaft aktiv me klubin e tij të ri, pavarësisht se rrallë përfshihej gjatë kohës sa ishte si huazim tek Birmingham.

8. Martin Petrov

Bullgari ishte një prej nënshkrimeve të mëdha të trajnerit të Manchester Cityt, Sven Goran Eriksson. Por ish-ylli i Atleticos ka reaguar me sulm të menjëhershëm, me lëvizjet e tij të mahnitshme dhe gjuajtjet e tij nga e majta. Petrov po ashtu ka prekur rrjetën pesë herë.

7. Sulley Muntari

Harry Redknapp ‘ia ka pa hajrin’ harxhimit prej 8.9 milionë eurosh, pasi që Muntari ka dëshmuar të jetë një ujdi e qëlluar. Ganezi e ka stabilizuar veten në Premierligë me një varg paraqitjesh që bien në sy, përfshirë edhe disa gola të mrekullueshëm. Por, Redknapp do ta ketë vështirë ta mbajë atë në Fratton Park, me Liverpool dhe Arsenal të interesuar.

6. Jermain Defoe

Tifozët e Tottenham kanë mbetur të habitur kur sulmuesi Defoe ka shkëlqyer megjithëse kushtoi 9.5 milionë euro, derisa Darren Bent dështoi thellësisht të mbulojë 21.5 milionë eurot e harxhuara për të. Defoe tashmë ka dëshmuar se çfarë i ka munguar këtij ekipi, duke shënuar tetë gola në 10 ndeshjen e tij të para.

5. Carlos Tevez

Megjithëse Cristiano Ronaldo ka qenë ylli më i dalluar i Manchester Unitedit këtë sezon, Carlos Tevez ka bërë një start mjaft mbresëlënës në Old Trafford. Argjentinasi ka shënuar 10 gola deri tani dhe ka krijuar një partneritet stabil me Wayne Rooneyn.

4. Yakubu

Vetullat u ngritën kur Evertoni pagoi rekord 14 milionë euro për Yakubun. Ish-golashënuesi i Middlesbrough, ka shënuar 19 gola që kur kaloi në Goodison Park. Nigeriani ka kualitetet e duhura për ta çuar Evertonin një nivel më lartë.

3. Anderson

Manchester United pagoi afro 38 milionë euro për dyshen Anderson dhe Nani, të cilët sollën një shkëlqim të ri tek kampioni anglez. Por, ka qenë Anderson ai i cili ka shkëlqyer më së shumti në sezonin e tij debutues, derisa Nani ka kaluar pjesën më të madhe të sezonit duke shikuar dhe mësuar. Duket se Alex Ferguson ka gjetur një zëvendësim afat-gjatë për Paul Scholes.

2. Roque Santa Cruz

Sulmuesi i Blackburnit sigurisht është pazari më i mirë i sezonit, edhe pse nuk është nënshkrimi kryesues. Për vetëm 4.4 milionë euro, sulmuesi nga Paraguai ka shënuar 23 herë për Blackburnin. Mark Hughes bëri një hap të qëlluar kur e solli sulmuesin nga Bayern Munich, por edhe më tej ka punë të vështirë, kësaj here për ta mbajtur atë.

1. Fernando Torres

Duhet të jesh në lojtar i klasit të lartë për të dëshmuar vlerën e 33 milionë eurove, por Torres e ka bërë këtë. Pati shumë dyshime kur sulmuesi arriti nga Atletico Madrid, por spanjolli i ka hedhur poshtë ato duke shënuar 32 gola deri tash në sezonin debutues të tij. Liverpool ndoshta nuk arriti të ngrejë asnjë trofe këtë vit, por shpresat ekzistojnë për një të ardhme të mirë me Torres.