Në fundjavën që e lamë pas në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren në prani të rreth 1200 shikuesve skuadra e Prishtinës ka arritur të triumfoj ndaj Bashkimit me rezultat 76-71 në ndeshjen e pestë finale të ‘play-offit’ dhe kështu është stolisur me titullin e kampionit të Kosovës për edicionin 2018/19. Krahas titullit KBF Prishtina në këtë edicion e ka fituar edhe trofeun e Kupës së Kosovës.

Seria finale e ‘play-offit’ ndërmjet Bashkimit dhe Prishtinës ka qenë jashtëzakonisht interesante dhe këtë e dëshmon më së miri fakti se kjo seri ka shkuar deri në pesë ndeshje dhe se fituesi i titullit të kampionit është vendosur vetëm në minutat e fundit të ndeshjes së pestë.

Prishtina mposht Bashkimin në finale dhe shpallet kampione e Kosovës në konkurrencën e femrave Prishtina mposht Bashkimin në finale dhe shpallet kampione e Kosovës në konkurrencën e femrave

Ajo çfarë ia vlen të theksohet për këtë seri finale është fakti se në të pesë ndeshjet ka pasur interesim të shikuesve, ku minimumi kanë qenë të pranishëm rreth 500 shikues, fakt ky që e gëzon pa masë Federatën e Basketbollit të Kosovës, por që është edhe dëshmia më e mirë se me vullnet dhe energji pozitive, si dhe me një investim modest si të këtyre dy skuadrave mund të bëhet punë shumë e madhe.

Prishtina pas këtij titulli vazhdon të mbajë primatin në basketbollin femëror, ku që nga paslufta është stolisur me gjithsej 10 tituj të kampionit, derisa Bashkimi dhe Penza i kanë nga pesë tituj të fituar në histori të klubit – shkruan FBK.

Prishtina i ka të trashëguar edhe titujt e KB Universitetit (gjashtë tituj), derisa katër të tjerë i ka të fituar me emrin KB Prishtina.