eksperti ad

FC Prishtina ka vazhduar kompletimin e skuadrës për sezonin e ri, duke zyrtarizuar afrimin e mesfushorit të ri, Arjanit Fazlija.

Futbollisti 21-vjeçar i bashkohet bardhekaltërve pas një rruge zhvillimi në futbollin gjerman. Fazlija së fundmi ishte pjesë e Greuther Fürth, ndërsa më herët ka luajtur edhe për ekipin U19 të Bayer Leverkusen. Hapat e parë në futboll i ka bërë në akademinë e Viktoria Köln.


Mesfushori ka përvojë edhe me grupmoshat e Përfaqësueses së Kosovës, pasi ka veshur fanellën e Kosovës U15, U17, U19 dhe U21.


Afrimi i tij shihet si një investim i rëndësishëm i klubit kryeqytetas, që po synon të ndërtojë një skuadër konkurruese për edicionin e ardhshëm.

Pas prezantimit, Fazlija shprehu emocionet e tij për kalimin te klubi me histori të madhe në futbollin kosovar.

“Është nder për mua të luaj për këtë klub me histori të pasur dhe për tifozët e tij të mrekullueshëm. Do të jap gjithçka për ekipin dhe kryeqytetin, në mënyrë që ta festojmë së bashku suksesin. Forca Prishtina!”, deklaroi Fazlija.

FC Prishtina pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim me lëvizje të tjera në këtë afat kalimtar, teksa po përgatitet për sfidat e sezonit të ri. /Telegrafi/

telegrafi sport app