LAJMI I FUNDIT:

ZRRE-ja të premten shqyrton kërkesën për dhënien e licencës për Elektroseverin

ZRRE-ja të premten shqyrton kërkesën për dhënien e licencës për Elektroseverin

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) pritet ta shqyrtoj kërkesën për dhënien e lejes për operim në veri të vendit kompanisë Drustvo Elektrosever.

Sipas ZRRE-së, të premten duke filluar nga ora 13:00, nga 24 pikat që janë në rend dite, njëra prej tyre është edhe shqyrtimi i kërkesës për dhënie të licencës për furnizim me energji elektrike kompanisë serbe, shkruan Telegrafi.

“Shqyrtimi i kërkesës/aplikacionit për dhënie të licencës për Furnizim me Energji Elektrike për Drustvo Elektrosever D.O.O.”, thuhet në pikën e 7 të rendit të ditës.

Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Brukselit kanë arritur të nënshkruajnë të martën Marrëveshjen për Energjinë.

Marrëveshja parasheh që ZRRE-ja do t’i lëshojë licencën për furnizim Elektroseverit.

Çfarë përmbante Marrëveshja për Energjinë 2013 – dallimet me Marrëveshjen e 2022-së të nënshkruar në Bruksel
Lexo po ashtu Çfarë përmbante Marrëveshja për Energjinë 2013 – dallimet me Marrëveshjen e 2022-së të nënshkruar në Bruksel

Pas kësaj, Elektroseveri do t’i ofrojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët, përmes BE-së.

“ZRRE-ja do t’i lëshojë licencën për furnizim Elektroseverit. ZRRE-ja do të sigurojë zbatueshmërinë me kushtet e përcaktuara me licencën e furnizimit, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës”, thuhet në pikën e parë të Udhërrëfyesit.

“Brenda shtatë ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do t’i ofrojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët, përmes BE-së”, theksohet në pikën e radhës.

Të dhënat e Drustvo Elektrosever D. O. O. e regjistruar në ARBK

Kosova ishte pajtuar paraprakisht që t’i japë Elektroseverit leje për të operuar në veri të vendit. Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai serb Petar Petkoviq e nënshkruan të martën Udhërrëfyesin për zbatim e marrëveshjeve të viteve 2013 dhe 2015 për energjinë.

Kjo kompani është e regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë që në nëntor të vitit 2018. Pronare e saj rezulton të jetë shteti serb.

Nga të dhënat e ARBK-së, kompania publike serbe për prodhimin, furnizimin dhe tregtimin e energjisë elektrike JP Elektroprivreda Srbije, posedon 100 për qind të aksioneve të Drustvo Elektrosever, ku Boban Novakoviq është i regjistruar si drejtor i kësaj kompanie, që si aktivitet primar e ka tregtinë e energjisë elektrike. /Telegrafi/