Mehmet Mehmeti zëvendës i komandant i Brigadës së Zjarrfikësve në Mitrovicë tha se gjendja me zjarre është nën kontroll.


“Jemi përqendruar tek poligoni ku ka qenë më rrezik, në fshatin Zasellë. Shkaqet e zjarrit ende nuk dihen, janë organet e rendit ato që merren me to”, tha ai për RTK.

Sipas tij ekipet e zjarrfikësve janë në terren dhe për këtë i kanë ardhur në ndihmë edhe ekipet e zjarrfikësve nga Komuna e Vushtrisë.

“Në të njëjtën kohë kemi pasur tri vatra të zjarrit dhe jemi munduar të menaxhojmë sa më mirë situatën”, tha ai.

Zjarri më i madh është ai në malet e fshatit Zasellë, më saktësisht në Kodrën e Cërrnushës.

Zjarret në disa fshatra të Mitrovicës - Policia, FSK-ja dhe KFOR-i u dalin në ndihmë banorëve
Lexo po ashtu Zjarret në disa fshatra të Mitrovicës - Policia, FSK-ja dhe KFOR-i u dalin në ndihmë banorëve

Zjarri atje është duke vazhduar, ndërkohë që drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Mitrovicë, Bahtir Maxhuni tha për RTV Dukagjini se nuk ka nevojë për evakuim të banorëve.

“Për momentin janë tri makineri të zjarrfikësve dhe diku 23 zjarrfikës. Zjarri është duke vazhduar, është i lokalizuar me përmasa goxha të mëdha mirëpo për momentin nuk paraqet rrezik”, ka deklaruar Maxhuni.

Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se kanë biseduar me banorët në Zasellë dhe se ata u kanë ofruar ndihmë zjarrfikësve, ndërsa, nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca u është thënë se nuk ka nevojë për tu shqetësuar, apo për të bërë ndonjë evakuim.