0Shares

Hapja e negociatave për pranimin në BE në qershorin e ardhshëm do të jetë e mundur vetëm nëse marrëveshja me Greqinë do të zbatohet plotësisht, thotë ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar, në një intervistë për ueb portalin rajonal “Ballkani Perëndimor Evropjan”, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Referendumi është një ditë e rëndësishme për vendin, sepse qytetarët jo vetëm që do të vendosin për marrëveshjen me Greqinë, por për atë se çfarë të ardhme ata dëshirojnë. Pyetja në vetvete është e lidhur me anëtarësimin në BE dhe NATO, por edhe nëse jo, është shumë e qartë se suksesi i referendumit dhe pasojat që do të pasojnë, ndryshimi i Kushtetutës, është një parakusht për vendin që të ecë përpara në lidhje me eurointegrimet e saj”, tha Zhbogar.

Ai kujton se anëtarët e BE-së vendosën në qershor të hapin negociatat për një vit dhe procesi i skrriningut tashmë ka filluar, që të jetë gati për qershorin tjetër kur ministrat duhet të marrin një vendim të ri. Një parakusht për këtë, thotë ai, është zbatimi i marrëveshjes.

“E kuptoj se ky është një vendim i vështirë, emri i vendit është në diskutim. E kuptoj emocionalitetin e njerëzve që po luftojnë me këtë, por jam gjithashtu i bindur se arsyeja do të mbizotërojë mbi emocionet. Njerëzit duhet ta dinë se ne do ta respektojmë vendimin e tyre, sepse ata duhet të jetojnë me pasojat e vendimit, por ne të gjithë shpresojmë, dhe liderët tanë ishin shumë të qartë se rezultatet do të na lejojnë të vazhdojmë punën e hapjes së negociatave për anëtarësim në vitin e ardhshëm”, tha Zhbogar. /Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)