Punëtorët e “Prishtina Parking” protestojnë për pagat, paralajmërojnë ndërprerje të punës


Punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Prishtina Parking” kanë protestuar të hënën para objektit të ndërmarrjes, duke kërkuar ekzekutimin e pagave dhe zgjidhjen e krizës financiare me të cilën, sipas tyre, po përballen prej kohësh.
Sindikalistët kanë bërë të ditur se pagat e muajit nuk janë realizuar brenda afatit të përcaktuar, ndërsa kanë paralajmëruar se nëse situata nuk ndryshon, punëtorët do të ndërpresin punën.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Prishtina Parking”, Flamur Hajdari, ka thënë se rreth 200 punëtorë janë prekur nga vonesa e pagave dhe ka kërkuar reagim nga Komuna e Prishtinës për të ndihmuar ndërmarrjen.
“Paga që ka pasur të jetë e ekzekutuar nuk është ekzekutuar ende. Me kontratë kemi të drejtë deri më datën 5 të muajit, ndërsa tashmë kemi kaluar këtë afat”, ka deklaruar Hajdari.
Ai ka thënë se kjo nuk është hera e parë që punëtorët përballen me vonesa në pagesa, duke theksuar se çdo muaj janë në pritje të një zgjidhjeje.
“Nuk është hera e parë që kemi telashe për paga, por pothuajse çdo muaj jemi duke pritur a do të dalë apo jo. Po presim një reagim nga kryetari i komunës, Përparim Rama, dhe një zgjidhje konkrete për ndërmarrjen”, ka thënë Hajdari.
Sipas tij, nëse pagat nuk realizohen gjatë ditës, sindikata do të vazhdojë protestën dhe punëtorët do të pezullojnë aktivitetet e tyre.
“Nëse sot nuk ekzekutohen pagat, punëtorët nuk do të punojnë deri në momentin që ato të realizohen”, ka deklaruar ai.
Edhe anëtari i sindikatës, Safet Zuka, ka thënë se punëtorët e kanë paralajmëruar më herët ndërmarrjen për veprime protestuese, në rast se vonesat në paga vazhdojnë.
“E kemi paralajmëruar se nëse pagesat nuk dalin në kohën e caktuar, do të ndërmarrim masa. Kjo situatë po përsëritet prej rreth tri vitesh dhe nuk mund të vazhdojë kështu”, ka thënë Zuka.
Ai ka theksuar se punëtorët janë duke i kryer detyrat e tyre, ndërsa ka kërkuar që përgjegjësit për menaxhimin e ndërmarrjes të ndërmarrin hapa për zgjidhjen e problemeve financiare.
Nga sindikata kanë bërë të ditur se punëtorët do të rikthehen në punë në rast se pagat ekzekutohen, por kanë paralajmëruar se protesta dhe ndërprerjet e punës mund të përsëriten nëse problemi nuk zgjidhet në mënyrë të qëndrueshme. /Telegrafi/






































