LAJMI I FUNDIT:

“Zhanret e gazetarisë”, libri i ri për praktikën dhe teorinë e shkrimit gazetar

“Zhanret e gazetarisë”, libri i ri për praktikën dhe teorinë e shkrimit gazetar

Studentët e gazetarisë, prej tash mund do të mund ta kenë në duart e tyre librin, praktik e teorik, për zhanret e gazetarisë. Libri që tregon se si shkruhen tekstet gazetare prej lajmit e deri te tekstet ironike siç është kozeria. Sqarohet në detaje edhe teoria për ndarjen e zhanreve në informative, analitike, publicistike e argëtuese.

Libri “Zhanret e gazetarisë”, botues, “UBT, me autor profesorin e Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Bajram Kosumi, shtjellon praktikisht dhe teorikisht katër format e gazetarisë: gazetarinë informative (lajm, raport, flesh lajm, fotolajm, nekrologjinë); gazetarinë analitike (intervista, editoriali, komenti, analiza, kolumna); gazetarinë letrare (reportazhi, udhëpërshkrimi, polemika, pamfleti, kozeria, recensioni, portreti..); dhe gazetarinë argëtuese.

Libri ka 412 faqe dhe është i ndarë në pesë pjesë.

Në pjesën e parë trajtohet Teoria e zhanrit gazetar në të cilën jepen sqarime teorike e praktike për ndarjen e gazetarisë sipas faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm. Në këtë pjesë, autori argumenton se ekziston teoria e gazetarisë, se ekzistojnë tipat e saj, se ekzistojnë zhanret e saj, se ka edhe rregulla të shkrimit të lajmeve të saj, se ekziston një diskurs i veçantë i saj, se kjo gazetari ka parime, se nuk i ka vetëm pesë-gjashtë pyetje. Për të bërë ndarjen e zhanreve autori bazohet mbi dy parime mbi të cilat e bën emërtimin e secilit tekst që publikohet në media. Është qëllimi përmbajtjesor dhe struktura tekstore. Të dy këta janë faktorë të brendshëm, që janë brenda tekstit, jo jashtë tij. Mbi këto parime, autori e bën ndarjen e gazetarisë në katër zhanre kryesore. Në gazetari informative, analitike, publicistike dhe argëtuese.

Pjesa e dytë e librit fillon me “Gazetarinë informative” duke nisur nga shkrimi i lajmit e deri te format e shkurtra të lajmit. Në këtë kapitull, sqarohet shkrimi i lajmit prej titullit, kreut e deri te pjesa e fundit. Aty, trajtohet edhe shkrimet e veçanta (feature) e deri te nekrologjia, tekst ky që shkruhet për njerëzit që kanë vdekur por që kanë lënë diçka të veçantë në jetën e tyre.

Pjesa e tretë e librit shtjellon gazetarinë analitike. Nis prej editorialit, llojet e tij, vazhdon me komentin, analizën, kolumnen, intervistën dhe përfundon me anketën.

Në pjesën e katërt trajtohet gazetaria letrare ose publicistike. Autori konstaton se për dallim prej gazetarisë informative, analitike, gazetaria publicistike është kur autori merr edhe elemente prej letërsisë dhe i përdorë në gazetari siç janë përshkrimi, dialogu, monologu, personazhet etj. Në këtë zhanër të gazetarisë bëjnë pjesë: reportazhi; udhpërshkrimi; polemika; pamfleti; kozeria, recensioni; eseja; portreti e shënimi.

Në pjesën e fundit, profesori i gazetarisë në UP, klasifikon edhe gazetarinë argëtues, tekste këto që së pari kanë për qëllim të argëtojnë e pastaj të informojnë për gjëra që kanë ndodhur në fusha të ndryshme si në show biz etj.

Para këtij libri, Bajram Kosumi ka botuar edhe “Tipologji dhe zhanër’, ndërsa është autor edhe i veprave tjera që janë: “Koncept për subpolitikën”; “Fjalor i Barbarëve”,”Koncept për mendimin e ri politik”, “Lirika e Fishtës”, “Një vit vendimtar”, “Letërsia nga burgu”, “Fishta dhe tradita letrare shqiptare”.

Librin “Zhanret e gazetarisë” përpos për studentët e gazetarisë mund ta përdorin edhe studiuesit e tekstit dhe të zhanreve në gjuhësi, letërsi etj.

Promovimi i librit “Zhanret e gazetarisë” bëhet të martën në Bibliotekën Kombëtare, prej orës 12.