LAJMI I FUNDIT:

Zeka kërkon nga Thaçi të mos dekretojë Ligjin për Paga

Zeka kërkon nga Thaçi të mos dekretojë Ligjin për Paga

Projektligji për pagat ka shkaktuar pakënaqësi të shumta si në sektorë publikë dhe privatë. Presidenti Thaçi ka pranuar se i kanë shkuar në zyrë të tij shumë ankesa, ndërsa drejtori i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka, kërkon që ligji të mos dekretohet nga presidenti, por të kthehet në forumet e diskutimit.

Protesta e greva të shumta janë mbajtur e janë paralajmëruar pas miratimit të Ligjit për Paga. Ankesa e kërkesa për mos-dekretim janë dërguar në zyrën e presidentit Hashim Thaçi, i cili tha se do të marrë një vendim në interesin e shoqërisë kosovare.


“Kanë ardhur shumë ankesa në zyrën time, të cilat Zyra ligjore do t’i shqyrtojë dhe natyrisht në përputhshmërinë me interesin e shoqërisë kosovare, do të ndërmarrim veprimet e nevojshme ligjore”, tha ai.

Kundërshtimin që nga fillimi ndaj Ligjit për Paga e ka shprehur edhe Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës, duke e parë si jo të mirë rritjen e hendekut ndërmjet sektorit publik dhe atij privat. Drejtori i Odës Amerikane, Arian Zeka, për Radio Kosovën ka deklaruar se absolutisht sektori privat e ka të pamundur t’i ndjekë trendët e rritjes së pagave në sektorin publik.

“Ajo çka është e rëndësishme se ne si përfaqësues i sektorit privat i kemi bërë thirrje Qeverisë edhe Kuvendit që të marrë parasysh edhe rekomandimet dhe shqetësimet e sektorit privat në të njëjtën kohë”, tha ai.

Zeka në këtë fazë shprehet kundër dekretimit të ligjit nga presidenti Thaçi.

“Prandaj do të ishte një zgjidhje e mirëpritur që ligji sërish të kthehej në forumet e diskutimit, në këtë rast në Kuvend, të lihet hapësira e diskutimit gjithëpërfshirës, edhe të marrjes parasysh të komenteve dhe sugjerimeve të të gjitha palëve”, pohoi ai.

Shkaku i grevës së Shoqatës Sindikale të Kontrollorëve të Trafikut Ajror, të mërkurën, është paralajmëruar edhe bllokimi i fluturimeve në aeroportin e Prishtinës për një orë. /Telegrafi/