LAJMI I FUNDIT:

Zbulohet se kush është shqiptari i vrarë dje në Itali

Zbulohet se kush është shqiptari i vrarë dje në Itali

Dritan Mali quhet 37 vjeçari shqiptari i vrarë dje me thikë në komunën Vobarno në provincën e Breshës.

Mali ishte rezident prej 20 vitesh në Itali, e ka ndërruar jetë pas një plage të thellë thike në trup.


Ngjarja ka ndodhur në brendësi të banesës së tij në rrugën Prada të komunës së Vobanos, ku Dritani jetonte me bashkëshorten e tij Jerina Kumaraku, vëllain e tij Lulzim Mali 33 vjeç, e kunatin, vëllain e Jerinës, Laert Kumaraku, i cili jetonte me ta prej pak kohësh ende i papunësuar në Itali.

Viktima Dritan Mali e vëllai i tij Lulzim Mali, ishin 2 vellezërit më të vegjël të 7 vëllezërve të familjes Mali. Të gjithë janë rezidentë në Itali.

Sipas hetimeve të para të Policisë Italiane ka qenë pikërisht kunati i tij Laert Kumaraku i cili ka goditur me thikë Dritan Malin, pas një grindje të dhunshme brenda banesës.

Por ende nuk është zbardhur plotësisht dinamika e kësaj ngjarje.

Laert Kumaraku ka reaguar për vetëmbrojtje, duke goditur me thikë Dritan Malin, apo ka ndodhur e kundërta?

shqiptari
Një goditje e vetme me thikë, e cila ka shkaktuar një plagë të thellë vdekjeprurëse mos ndoshta është shkaktuar nga luftimi trup më trup mes dy personave.

Këto janë disa pyetje të ngritura nga Prokurorja që ka marrë nën hetim këtë krim, Erica Battaglia, e cila gjatë gjithë natës ka marrë në pyetje shqiptarin Laert Kumaraku.

Në spitalin e komunës së Gavardos pranë qytezës ku jetonte familja shqiptare ndodhet në gjendje shoku Jerina Kumaraku, bashkëshortja e viktimës, e cila ka në trup disa plagë të lehta që supozohen të jenë marrë gjatë grindjes së dhunshme në familje.

Po në këtë spital ka marrë kurat mjekësore Lulzim Mali, vëllai i viktimës Dritan Mali, i cili menjëherë pas ngjarjes ka pasur probleme shëndetësore.

Ndërkohë përgjatë kësaj dite priten zhvillime të reja mbi zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje e mbi të gjitha rrëfimi i plotë i Laert Kumarakut i dyshuar i vetëm si autor i këtij krimi.

Banesa e familjes Mali në qytezën Vorbano është vënë në sekuestrimin e policisë italiane.