Zbulohet paga marramendëse e Salahut te Trabzonspori – rekord absolut në Turqi

Pas zyrtarizimit të një prej transferimeve më tronditëse të kësaj vere, me kalimin e Mohamed Salahut te Trabzonspori, është konfirmuar edhe se egjiptiani do të ketë një nga pagat më të larta në futbollin evropian.
Salah ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me Trabzonsporin, duke iu bashkuar klubit si lojtar i lirë, pasi kontrata e tij me Liverpoolin skadoi. Ai u prit në aeroport nga rreth 25 mijë tifozë, të cilët i rezervuan një pritje madhështore.
Shumëkush u befasua nga zgjedhja e tij. Duke pasur parasysh nivelin që vazhdon të tregojë, Salah mund të kishte vazhduar të luante në elitën e futbollit evropian.
Megjithatë, ai vendosi të transferohej te Trabzonspori, skuadra që sezonin e kaluar e mbylli kampionatin turk në vendin e tretë.
Nëse do të kishte zgjedhur një nga gjigantët e futbollit turk, si Galatasaray, Fenerbahçe apo Besiktas, vendimi nuk do të ishte aq befasues. Sidoqoftë, transferimi te Trabzonspori shpjegohet edhe nga aspekti financiar, pasi egjiptiani është bërë një nga futbollistët më të paguar në Evropë.
Salah do të përfitojë 17 milionë euro në sezon, duke vendosur një rekord të ri në futbollin turk. Rekordin e mëparshëm e mbante Victor Osimhen, i cili fiton 15 milionë euro në vit te Galatasaray.
Përveç pagës bazë, të ardhurat e Salahut mund të rriten edhe më shumë falë bonuseve të parashikuara në kontratën e tij.
Tashmë mbetet të shihet nëse investimi i madh i Trabzonsporit do të reflektohet edhe në fushë, ndërsa klubi synon t'i japë fund dominimit të Galatasarayt dhe të rikthehet në garën për titullin kampion./Telegrafi/













































