Zbulohen shifrat e transferimit të Gabriel Jesus te Barcelona

Gabriel Jesus është zyrtarisht lojtari më i ri i Barcelonës, pasi sulmuesi brazilian kompletoi transferimin nga Arsenali në ditët e fundit të afatit kalimtar veror. Ai ka firmosur kontratë me klubin katalanas deri në qershor të vitit 2029.
Barcelona dhe Arsenali kanë arritur marrëveshje për një shumë prej 10 milionë eurosh fikse, ndërsa në varësi të bonuseve, shuma totale e transferimit mund të shkojë deri në 14 milionë euro.
Për më tepër, klubi londinez ka siguruar edhe 20 për qind të përfitimit nga një shitje e ardhshme e sulmuesit.
Sipas raportimeve të SPORT, Barcelona ka punuar me kujdes brenda kufizimeve të Fair Play Financiar për ta bërë të mundur transferimin e brazilianit.
Pjesa më interesante e marrëveshjes lidhet me pagën e lojtarit. Jesus ka pranuar një ulje të konsiderueshme të pagës për t’iu bashkuar Barcelonës dhe për ta bërë më të lehtë regjistrimin e tij në skuadrën e parë.
29-vjeçari fitonte rreth 16 milionë euro bruto në vit te Arsenali, ndërsa në Barcelonë do të përfitojë rreth 13 milionë euro bruto në sezon.

Pra, Jesus ka pranuar të heqë dorë nga afërsisht 3 milionë euro në vit për të realizuar transferimin te gjiganti katalanas.
Vetë sulmuesi brazilian ka pranuar se ka bërë një sakrificë financiare për të veshur fanellën e Barcelonës, duke e cilësuar transferimin si një ëndërr të realizuar.
Në këtë mënyrë, Barcelona e ka siguruar Jesusin me një investim relativisht të ulët fillestar, ndërsa lojtari ka zgjedhur të sakrifikojë një pjesë të pagës së tij për mundësinë për të luajtur në “Camp Nou”. /Telegrafi/














































