LAJMI I FUNDIT:

Zbulimi arkeologjik në Durrës, u “gërrye” me ekskavator

Zbulimi arkeologjik në Durrës, u “gërrye” me ekskavator

Më 4 shkurt 2020, teksa po punohej në një “nyje komanduese” në rrjetin e shpërndarjes së ujit të pijshëm pranë Prefekturës në Durrës, dolën në dritë disa rrënoja që sipas arkeologëve i përkasin së paku periudhës së Antikitetit të Vonë.

“Aty ne kemi edhe gjurmët e para të prehistorisë së Durrësit brenda territorit të qytetit,” thotë arkeologu Fatos Tartari, i cili ka gërmuar në të njëjtën zonë disa dekada më parë, gjatë hapjes së themeleve për ngritjen e godinës së ish-Komitetit të Partisë përpara viteve 1990. “I përkasin periudhës para shekullit VII p.e.s. dhe lidhen me gjurmët ilire. U gjet ‘qeramika devollite’, një nga qeramikat më të bukura ilire”.


Një ditë më pas, arkeologët e Drejtorisë së Shërbimit Arkeologjik konstatuan pranë gropës së hapur nga Ujësjellësi, gjurmët e një strukture murature antike, ndërtuar me një bllok guri dhe disa rreshta tullash horizontale mbi të, të gjitha të lidhura me llaç.

Në zonën arkeologjike A të qytetit, punimet në rrjetin e ujit të pijshëm u bënë pa miratimin dhe monitorimin e Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM), duke vënë në rrezik dëmtimin e shtresave arkeologjike dhe memories së paçmuar historike që ato mbartin.

KKTKM, në vendimin e marrë më 19 shkurt, i kërkoi Ujësjellës-Kanalizimit në Durrës (UKD), që të sigurojë kantierin dhe gjetjet “in situ”, siç janë, por gjatë periudhës së ndalimit të qarkullimit për shkak të koronavirusit, gjetjet arkeologjike u mbuluan me inerte. Kjo nuk është hera e parë kur ndërmarrje publike apo sipërmarrje private kryejnë punime gërmimi pa leje nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ose pa monitorim dhe mbikëqyrje nga Drejtoria e Shërbimit Arkeologjik.

Të dhënat e mbledhura tregojnë se në mungesë të vigjilencës institucionale, të paktën dy raste të ngjashme u regjistruan në qytetin bregdetar gjatë periudhës së emergjencës shëndetësore të shkaktuar nga Covid-19. Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës u justifikua se investimi në nyjën komanduese po kryhej nga një projekt i Bankës Botërore dhe nuk zbatohej prej tij. /Geri Emiri/Reporter/