Ylli i Anglisë zbulon prapaskenat e Euro 2024: Kishim probleme brenda ekipit


Jude Bellingham ka reflektuar mbi dështimin e Anglisë në finalen e Euro 2024 ndaj Italisë, duke pranuar se skuadra bëri disa gabime jashtë fushës dhe se ato përvoja mund t’i ndihmojnë “Tre Luanët” në Kupën e Botës.
Mesfushori i Real Madridit foli në podcastin e Kombëtares së Anglisë, “Lions’ Den”, ku analizoi atmosferën brenda ekipit gjatë Kampionatit Evropian.
“Në Euro bëmë disa gjëra paksa gabim jashtë fushës.
“Nuk mendoj se grupi ishte aq i lidhur sa mund të ishte, për disa arsye. Pritshmëritë ishin pjesë e kësaj, sepse kishim bërë mirë në vitin 2018 dhe gjithashtu në Katar në vitin 2022. Kur erdhi ai turne, ne konsideroheshim si një nga dy ose tre skuadrat që duhej ta fitonin.
“Nuk po luanim veçanërisht mirë, kështu që edhe kur fitonim, nuk kishe ndjesinë se ishe aq i lumtur sa duhej të ishe”, tha Bellingham.

Ylli anglez theksoi se dëshira për të fituar duhet të jetë gjithmonë e pranishme, por se skuadra duhet të mësojë edhe të shijojë momentet pozitive.
“Duhet të ekzistojë ai mentaliteti i pandalshëm për të fituar, por natyra e futbollit është e tillë që fitoret harrohen shumë shpejt dhe ne ndoshta duhet t’i shijojmë ato momente pak më gjatë.
“Mendoj se këtë herë, duke pasur këto përvoja pas vetes dhe duke e ditur, për shembull, se lojtari që shënon golin e fitores në finalen e Kupës së Botës nuk është gjithmonë ai për të cilin do të vije bast, duhet të jesh gjithmonë gati.
“Të gjithë duhet të ndihen të vlerësuar dhe pjesë e rëndësishme e ekipit. Gjëja tjetër është thjesht ta shijosh këtë eksperiencë”, përfundoi Bellingham.
Anglia e nisi Kupën e Botës me synimin për të shkuar një hap më tej se në Euro 2024, ndërsa Bellingham beson se mësimet e nxjerra nga ai turne mund të jenë vendimtare në rrugëtimin e tyre drejt trofeut më të madh në futbollin botëror./Telegrafi/




































