LAJMI I FUNDIT:

Yahya Sinwar, lider i ri i Hamasit në Gaza

Yahya Sinwar, lider i ri i Hamasit në Gaza

Grupi palestinez i rezistencës Hamas ka zgjedhur udhëheqësin e ri të lëvizjes në Rripin e bllokuar të Gazës, bënë të ditur një burim nga Hamasi të hënën, raporton Anadolu Agency (AA).

Yahya Sinwar u zgjodh si lider i ri i Hamasit në Gaza pas zgjedhjeve të brendshme, duke zëvendësuar Ismail Haniyeh, tha burimi për AA duke kërkuar që të mbetet anonim për shkak të kufizimeve që të flasë për mediat.


Po ashtu Khalil al-Hayya u zgjodh si zëvendës i Sinwar, tha burimi.

Haniyeh pritet të zëvendësojë shefin politik të Hamasit në ekzil, Khaled Meshaal.

I lindur në vitin 1962 në kampin e refugjatëve Khan Younis në Rripin e Gazës, Sinwar është njëri prej themeluesve të krahut të armatosur të Hamasit, Brigada al-Qassam Ezzeddin.

Ai u arrestua nga Izraeli në vitin 1988 dhe u dënua me katër burgime të përjetshme për gjoja komplotin e sulmeve kundër Izraelit.

Në vitin 2011, Sinwar u lirua pas kishte kaluar 23 vjet në burg, si pjesë e një shkëmbimi të burgosurve të mbështetur nga Egjipti mes Hamasit dhe Izraelit, ku u liruan 1.027 palestinezë në këmbim të ushtarit të kapur izraelit Gilad Shalit. Në vitin 2012, ai u zgjodh anëtar i byrosë politike të Hamasit.

Në shtator të vitit 2015, SHBA-të e kishin vendosur Sinwar në listën e saj të zezë të terrorizmit.

Hamasi sundon në Rripin e Gazës që nga viti 2007, kur forcat e saj rrëzuan forcat besnike të Autoriteteve Palestineze me seli në Ramallah në një përleshje të përgjakshme.

Që nga kjo periudhë, Gaza ndodhet nën një bllokadë të plotë nga Izraeli, e cila ka ndikuar shumë negativisht në jetesën e banorëve në territorin e vogël palestinez.