Xi Jinping sapo ka treguar se si lufta me Iranin mund të bëhet shpejt luftë globale

Kina nuk do të qëndrojë duarkryq nëse ShBA-ja ndërpret furnizimin me naftë drejt Pekinit.
Burimi: The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Pas dështimit të bisedimeve të paqes midis Iranit dhe ShBA-së në Pakistan, Donald Trumpi mori iniciativën duke shpallur një bllokadë detare ndaj Iranit. Për sa kohë që ajo vazhdon, do ta përmbysë situatën kundër Teheranit i cili, deri më tani, kishte mbajtur vetë - nën kontrollin e tij efektiv ushtarak - Ngushticën e Hormuzit.
Qëllimi, me sa duket, është të ndalohet Irani nga eksportimi i naftës së tij - burim ky jetik i regjimit për valutë të huaj, veçanërisht drejt aleatit të madh të tij, Kinës.
Por, ka ndodhur diçka mjaft e jashtëzakonshme. Kina ka qenë prej kohësh blerësi kryesor i naftës iraniane. Që nga fillimi i ofensivës amerikane, cisternat kineze, nën flamuj të ndryshëm, vazhdonin të lundronin drejt vendit - të ngarkuara me naftë bruto - përmes Ngushticës së Hormuzit. Po tani? Raportet janë të paqarta, por duket se një cisternë që dukej se kishte thyer bllokadën amerikane, është kthyer mbrapsht në Gjirin e Omanit.
Kina reagoi ashpër ndaj bllokadës amerikane. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, duke shprehur autoritetin e plotë të Xi Jinpingut dhe Partisë Komuniste Kineze, e ka dënuar atë si “të rrezikshme dhe të papërgjegjshme”. Kjo erdhi menjëherë pasi Xi, sipas mediave shtetërore kineze, i tha Princit të Kurorës së Abu Dabit: “Nuk duhet të lejojmë që bota të kthehet në ligjin e xhunglës”.
Kjo, në gjuhën zyrtare të elitës kineze në pushtet, është sulm i drejtpërdrejtë ndaj ShBA-së dhe Izraelit. Në kontekstin aktual, dërgon një sinjal për botën mbi synimet e Xisë. Çfarë do të ndodhte nëse Trumpi arrin të ndalojë të gjitha cisternat kineze që hyjnë në Gjirin Persik dhe kështu ndërpret furnizimin me naftë iraniane drejt Pekinit? Xi po e bën të qartë se Kina nuk do të qëndrojë duarkryq. Sipas vlerësimit tim, kjo mund të përfshijë potencialisht edhe një përgjigje ushtarake kineze.

Në retrospektivë, ky shkëmbim mund të rezultojë të ketë qenë një pikë kthese në betejën ekzistenciale që po zhvillohet midis SHBA-së dhe rivalëve të saj autoritarë - Kinës, Rusisë dhe të tjerëve - për hegjemoninë globale.
Edhe nëse nuk arrin deri aty, Xi në fakt po u ofron zgjedhje klientëve të tij në Lindjen e Mesme, në Jugun Global dhe në rajone të tjera të kontestuara: të braktisin besimin dhe shpresën në atë që ai e sheh si një “pax Americana” e vjetruar globale dhe kaotike, dhe të përqafojnë Kinën si superfuqinë në ngritje në një rend të ri botëror të cilin, me fjali të gjata karakteristike e të lodhshme, ai e quan “epoka e re e komunitetit me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin”.
Njëkohësisht, ai përpiqet të ndikojë në favor të tij te regjimet hezituese në Evropë dhe Azi si mbrojtësi i vetëm i së drejtës ndërkombëtare - përkundër përbuzjes së plotë të Xisë ndaj zbatimit të saj për pretendimet territoriale kineze në Detin e Kinës Jugore dhe Detin e Kinës Lindore.
Shumë vëzhgues do të pyesin se si kjo përballje mes fuqive të mëdha lidhet me synimet e Xisë për Tajvanin. Kjo nuk është e thjeshtë. Nëse ai përballet me sukses me Trumpin tani - dhe kjo nuk është aspak e sigurt - kjo do ta forcojë shumë pozitën e Xisë dhe do të avancojë synimin e tij të preferuar që të detyrojë Tajvanin të heqë dorë nga shpresa për mbështetje amerikane dhe të dorëzohet pa pasur nevojë që të pushtohet.
Dhe çfarë na tregon kjo për atë që Xi ka në mendje për samitin e planifikuar me Trumpin në mes të majit? Si gjithmonë, llogaritjet e tij për kosto dhe përfitim janë të panjohura; por, mund të arrihet në përfundimin se ai ndoshta do të preferonte të mos kishte fare takim sesa të ishte i detyruar të mirëpriste Trumpin e sapodalë nga një përballje vendimtare me një aleat të afërt të Kinës, pa u sfiduar dhe pa u zbutur.
Kina nuk i ka të gjitha opsionet në dorë. Ndërprerjet në energji po e tërheqin ekonominë e saj gjithnjë e më shpejt drejt rënies. Varësia në rritje nga karburanti rus nuk është diçka që Pekini e dëshiron. Por, a është Xi i gatshëm të provokojë forcën ushtarake të Trumpit? Paqja botërore gjithnjë e më shumë varet nga kjo balancë. /Telegrafi/



















































