Dështimi i Trumpit me Iranin filloi në Grenlandë

Nga: Dan Perry / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com
Ndërsa Irani dhe Shtetet e Bashkuara afrohen drejt një lloj zgjidhjeje të luftës, ajo që tashmë është e qartë është se nuk do të ketë asnjë kapitullim ku Irani do të heq dorë nga armët e tij bërthamore, raketat dhe milicitë e tij përfaqësuese [proxy], ndërkohë që ndërmerr reforma demokratike brenda vendit. Gjithçka që presidenti Donald Trump shpreson të arrijë është rihapja e Ngushticës së Hormuzit, e cila ishte e hapur para luftës, dhe një marrëveshje për çështjen bërthamore që do të jetë jo më e mirë se ajo e Barack Obamas.
Nëse vërtet ndodh kështu, atëherë kemi të bëjmë me një tërheqje monumentale nga objektivat fillestare të luftës - kur ekzistonte madje shpresa për një kolaps të regjimit - dhe me një fitore strategjike iraniane. Dhe, pjesërisht, kjo ndodhi sepse kur Trumpit i duhej Evropa gjatë krizës me Iranin, Evropa thjesht nuk ishte aty për të. Dhe, kjo ishte vendimtare.
Pas rreth gjashtë javësh bombardimesh të vazhdueshme, me drejtuesit kryesorë të vrarë dhe ushtrinë e dëmtuar, Irani hyri në negociata me vetëbesim dhe kokëfortësi befasuese. Kjo sepse Irani zbuloi se mbyllja e Ngushticës jetike të Hormuzit - diçka plotësisht e parashikueshme dhe qartazi jo e planifikuar siç duhet - mund të ishte një manovër jashtëzakonisht efektive asimetrike.
Kjo e futi botën në kaos, por nuk e bashkoi botën kundër Iranit. Kur udhëheqja iraniane hodhi sytë përtej tryezës së negociatave, ajo nuk pa izolim global, por një aleancë të përçarë perëndimore. Qeveritë evropiane dukeshin mosbesuese ndaj Uashingtonit dhe të pavullnetshme për t’u rreshtuar plotësisht pas një strategjie amerikane për përshkallëzim. Aleatët e Gjirit dukeshin nervozë dhe të ekspozuar. Teherani pa përçarje dhe përshtati llogaritjet e veta.
Tani, kornizat e marrëveshjes që po formohet me Iranin pasqyrojnë atë dobësi. Marrëveshja që po merr formë duket se ka gjasa të lërë të paprekur infrastrukturën e mbetur raketore të Iranit, të shmangë një përballje serioze me arkitekturën e forcave përfaqësuese të Teheranit në gjithë rajonin, si dhe të anashkalojë tërësisht çështjen e demokracisë së brendshme. Në të njëjtën kohë, Irani mund të përfitojë një lehtësim të konsiderueshëm të sanksioneve dhe qasje në asete të ngrira me vlerë prej dhjetëra miliardë dollarësh. Teherani përballoi ndëshkimin dhe megjithatë arriti të ruajë instrumentet kryesore të pushtetit.
Rrënjët e kësaj përçarjeje shkatërrimtare perëndimore nuk e kanë burimin te Teherani, Hormuzi apo tregjet e naftës, por te Grenlanda.
Kërcënimet e Trumpit për të përdorur forcën për të marrë Grenlandën, qoftë për pasuritë e saj minerale apo për qasjen në Arktik, shënuan momentin kur shumë qeveri evropiane vendosën se ShBA-ja në thelb nuk ishte më aleate - të paktën jo për sa kohë që Trumpi sillet vërdallë.
Çështja nuk kishte të bënte realisht me faktin nëse Amerika do të pushtonte fjalë për fjalë një territor danez. Zyrtarët evropianë i konsideronin ato kërcënime kryesisht si një teatër tipik trumpian, por njëkohësisht i shihnin si dëshmi se kjo Shtëpi e Bardhë nuk i kupton themelet politike të aleancës perëndimore. Ky ndryshim pati pasoja të mëdha strategjike.
Në disa takime strategjike gjatë këtij viti, përfshirë Takimin Vjetor të Forumit Ekonomik Botëror dhe Konferencën e Sigurisë në Munih, Grenlanda qëndroi pezull mbi diskutimet private mes diplomatëve, ministrave, zyrtarëve ushtarakë dhe politologëve. E njëjta gjë vlente edhe për disa konferenca mbi gjeopolitikën dhe strategjinë ku mora pjesë së fundmi në Evropë. Çështja mbartte një intensitet të pazakontë, sepse prekte një supozim themelor të rendit pas Luftës së Dytë Botërore: aleatët e NATO-s nuk kërcënojnë njëri-tjetrin për territore, qoftë për shaka.
Sepse, dobësimi i aleancës sjell pasoja shumë reale lidhur me shqetësimin e tyre kryesor, që është frenimi i Rusisë dhe, në një masë më të vogël, frenimi i Kinës për çështjen e Tajvanit.
Evropianët prisnin debate të vështira me Trumpin, për tarifat, ndarjen e barrës dhe politikën tregtare. Këto mosmarrëveshje hynin brenda politikës së zakonshme të aleancës. Grenlanda, që erdhi pas një viti gjatë të cilit Trumpi i kishte nënçmuar dhe sulmuar vazhdimisht me kritika, hyri në një kategori krejtësisht tjetër.
Gabimi pasqyroi një dështim të thellë strategjik: të mos e shohësh thelbin e ndikimit amerikan. Fuqia amerikane, pas Luftës së Dytë Botërore, mbështetej pjesërisht në dominimin ekonomik dhe ushtarak, por edhe në bindjen se Uashingtoni vepronte brenda një kuadri të qëndrueshëm të rregullave të aleancës dhe respektit të ndërsjellë mes aleatëve.
Përmes NATO-s - që në fakt i kushton taksapaguesit amerikan vetëm rreth gjysmë miliardi dollarë në vit - Amerika siguroi eksporte të mëdha armësh, qasje në dhjetëra baza në Evropë dhe më gjerë, si dhe udhëheqjen e botës së lirë. Megjithatë, Trumpi dukej sikur nuk e dinte këtë, ose nuk i interesonte.
Tronditja e plotë për këtë gjë formësoi qasjen e Evropës ndaj Iranit.
Nga këndvështrimi i Uashingtonit, Grenlanda dhe Hormuzi ndodheshin në dosje të ndara. Nga këndvështrimi i Evropës, ato u lidhën me njëra-tjetrën. Një qeveri e gatshme të ushtronte haptazi presion ndaj Danimarkës për çështje territoriale, nuk mund të priste më që aleatët automatikisht do t’i besonin gjykimit të saj lidhur me përshkallëzimin në Gjirin Persik.
Kjo nuk do të thotë se qeveritë evropiane mbështetën Iranin. Përkundrazi. Shumica e qeverive evropiane mbeten thellësisht të shqetësuara për ambiciet bërthamore të Iranit, destabilizimin rajonal dhe kërcënimet ndaj sigurisë detare. Ato ndajnë shumë nga objektivat e Uashingtonit. Por, besimi ka rëndësi në menaxhimin e aleancave. Dhe, besimi u zhduk pas Grenlandës.
Keqkuptimi u bë i qartë kur administrata amerikane u duk sinqerisht e befasuar nga kujdesi dhe hezitimi që hasi te qeveritë evropiane gjatë diskutimeve për një përgjigje të përbashkët ndaj mbylljes së Ngushticës së Hormuzit. Mund të ketë qenë një gabim nga ana e evropianëve - në fakt, kreu i NATO-s, Mark Rutte, duket se mendon kështu - por, krerët evropianë e shihnin çdo kërkesë amerikane përmes një lente të re: administrata është një lojtar faqezi.
Prandaj, edhe pse qeveritë evropiane vazhdonin të dëshironin stabilitet detar dhe frenim në Gjirin Persik, ato kërkonin vetëm angazhime më të ngushta, kufizime ligjore dhe autonomi operative të përshkruar në mënyrë të paqartë nga Uashingtoni. Disa qeveri filluan madje të diskutonin mënyrat për të zvogëluar ekspozimin ndaj skenarëve të përshkallëzimit të formësuar kryesisht nga vendimmarrja amerikane.
Irani e vërejti. Dhe, gjithashtu kuptoi se shtetet e Gjirit, të cilat në shumicë e urrejnë regjimin e Republikës Islamike, ndienin se ShBA-ja nuk ishte përgatitur për t’i mbrojtur ato nga raketat e lëshuara vetëm disa dhjetëra milje larg nga territori iranian. Udhëheqja aktuale iraniane kuptoi se Uashingtoni po kërkonte një rrugëdalje dhe se shtetet e Gjirit kishin hequr dorë, për momentin, nga aspiratat për ndryshim regjimi, duke kërkuar qetësinë që është jetike për modelin e tyre ekonomik: tërheqjen e biznesit perëndimor në një oazë vezulluese, jo në një zonë lufte.
Një qëndrim i bashkuar perëndimor mund të kishte prodhuar një tjetër rezultat. Një aleancë kohezive e NATO-s mund të kishte rritur presionin ndaj Teheranit në aspektin diplomatik dhe ekonomik, ndërkohë që do të forconte frenimin në Gjirin Persik. Në vend të kësaj, Irani u përball me një peizazh të përçarë strategjik dhe e shfrytëzoi këtë me mjeshtëri.
Në këtë pikë, kishte tri mënyra se si mund të zhvillohej situata:
- Rifillimi i luftës: Sulme masive dhe të pamëshirshme për ta gjymtuar vërtet regjimin, kësaj here pa afat të përcaktuar dhe duke përfshirë infrastrukturën e naftës në mënyrë që regjimi të mos mendojë se mund ta përballojë sulmin duke pritur - pavarësisht çfarë dëmi politik mund të pësonte Trumpi në zgjedhjet afatmesme.
- Vazhdimi i bllokadës: Po, regjimi përfundimisht do të mbytej ekonomikisht, por kjo mund të zgjaste shumë muaj, në mos një vit, dhe ekonomia globale do të hynte në recesion, shoqëruar me ndërprerje potencialisht të përhershme të zinxhirëve të furnizimit.
- Pranimi i kushteve të Iranit: Një marrëveshje për armët bërthamore në këmbim të lehtësimit masiv të sanksioneve dhe zhbllokimit të aseteve që do t’i japin jetë regjimit, do të shkatërrojnë opozitën iraniane dhe nuk do të përbëjnë asnjë përmirësim krahasuar me marrëveshjen e vitit 2015 nga e cila Trumpi u tërhoq nën presionin izraelit.
Ky është qorrsokaku strategjik ku Trumpi hyri vetë, dhe siç duket ai po zgjedh opsionin e fundit, duke shpresuar ta paraqesë atë si fitore përpara një numri të mjaftueshëm njerëzish naivë. Ky kapitullim mund të mos kishte qenë i nevojshëm nëse Irani do ta shihte veten përballë gjithë NATO-s. E gjithë kjo buron nga një gabim i panevojshëm, sepse administrata kishte interesa legjitime strategjike në Arktik pa pasur nevojë të kërcënonte Grenlandën.
Diçka patjetër është kalbur, por jo në Danimarkë. /Telegrafi/






































