Xabi Alonso e ka nisur me fitore aventurën e tij në Ligën Premier si trajner i Chelseat, pasi skuadra londineze triumfoi 3-2 ndaj Fulhamit në javën e parë të kampionatit.

Në një përballje interesante mes dy trajnerëve që sezonin e kaluar ishin pjesë e Real Madridit, Alonso doli fitues ndaj Alvaro Arbeloas, duke e nisur me tre pikë mandatin e tij.


Chelsea e nisi ndeshjen në mënyrë perfekte dhe kaloi në epërsi që në minutën e parë. Joao Pedro u shërbye bukur nga Cole Palmer dhe me qetësi e kaloi portierin Bernd Leno, duke realizuar për 0-1.

Fulhami reagoi dhe në minutën e 23-të e barazoi rezultatin. Joshua King kontrolloi bukur një pasim në hyrje të zonës dhe me një goditje të saktë e dërgoi topin në këndin e poshtëm për 1-1.

Chelsea riktheu epërsinë në minutën e 41-të. Morgan Rogers përfitoi nga një asistim i bukur i Maxence Lacroix dhe nga afërsia nuk gaboi për 1-2.

Në pjesën e dytë, “Blutë” e nisën sërish furishëm. Vetëm katër minuta pas rifillimit, Cole Palmer shënoi për 1-3, duke përfituar nga një pasim që çau mbrojtjen e Fulhamit.

Vendasit nuk u dorëzuan dhe në minutën e 54-të ngushtuan rezultatin në 2-3. Gonzalo Garcia reagoi shpejt pas një topi të kthyer dhe me kokë shënoi duke goditur topin në traversë përpara se të përfundonte në rrjetë.

Në minutat e fundit, Fulhami kërkoi me ngulm golin e barazimit, por Chelsea arriti ta ruajë avantazhin.

Madje, në minutën e 91-të, Joao Pedro shënoi edhe një herë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.


Në fund, Chelsea fitoi 3-2 dhe Xabi Alonso e nis epokën e tij në Premier League me një fitore të rëndësishme. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app