LAJMI I FUNDIT:

War Machine

War Machine

Monika Stafa

Me shkas nga një simpozium shkencor, organizuar nga Rrjeti Evropian i Kujtesës dhe Solidaritetit, me temë “Dhuna në historinë evropiane të shek. XX”


I zymtë, i përgjakshëm dhe i ashpër… Është përkufizuar kështu prej disa historianëve, panorama e kontinentit të vjetër, të paktën në gjysmën e parë të shekullit XX. Ngjyra për një epokë që dukshëm evokojnë errësirën, kaosin dhe vdekjen. Këto janë disa karakteristika të cilat ndoshta nuk mund ta përfshijnë gjithë shekullin në tërësi, por ngjarjet më të mëdha që ndodhën gjatë asaj periudhe, si Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, dëbimet apo deportimet e detyruara, tërheqin pas vetes një tablo të ngarkuar me një tension që zgjat deri sot.

Ngjarje të tilla, sigurisht nuk janë të lidhura aq shumë me historinë e një kontinenti si Evropa sesa me disa vende apo rajone të tij. Kujtojmë këtu Luftën Civile në Spanjë, fashizmin e Musolinit në Itali, Gjermaninë naziste të Hitlerit me “Final Solution” e deri Rumaninë komuniste të Çausheskut. Sido që, shekulli XX mbetet një prej shekujve më të rëndë për nga përmbajtja brutale e skenarëve të luftës, mbushur me konflikte e shfarosje masive, të cilat erdhën si rezultat i diskurseve të ashpra politike mes palësh, me bazë urrejtjen racore apo dhe ndëretnike. Shtete, para-shtete, grupe politike, madje edhe agjenci shtetërore shkaktuan miliona viktima mes radhëve të luftës dhe atyre që nuk deshën të merrnin pjesë në të. Popullsia civile, ishte ajo e cila u kthye në target-grupin e parë të viktimave. Megjithëse është e qartë se shekulli XX nuk mund të analizohet nisur vetëm prej elementëve të dhunës e terrorit, është e vështirë të mendohet që këto fenomene thelbësore të kësaj periudhe t’i lësh mënjanë. Për historinë e dhunës në kontinentin evropian gjatë kësaj periudhe, nuk ka ende një përfundim shkencor të padiskutueshëm.

Historia vetë është një proces kërkimi që nuk mbaron, ndaj dhe sot shumë ngjarje nuk kanë një qasje të qartë mbi palët. Për këtë arsye dhe shumë të tjera, Rrjeti Evropian i Kujtesës dhe Solidaritetit, me qendër në Varshavë, mbajti një simpozium mbi këtë temë në fillim të këtij muaji: Dhuna në historinë evropiane të shekullit XX. Mbi 150 përfaqësues të institucioneve të ndryshme shkencore nga Evropa, u takuan në Bruksel në takimin e tyre të gjashtë që prej krijimit të këtij rrjeti. I mbushur me konflikte të shumta që nxiti shumë gjak e ‘prodhoi’ miliona viktima, duke përfshirë së bashku dy luftërat botërore, si dhe agresionin e përsëritur të shteteve ndaj qytetarëve të tyre, 100 vitet e fundit në Evropë me të drejtë mund të quhen si “vitet e dhunës”. Duke projektuar ide të reja për të rritur reflektimin mbi këto ngjarje të vështira të së kaluarës së një kontinenti, simpoziumi evropian i këtij viti iu përkushtua fenomeneve të ndryshme të dhunës dhe pasojave të tyre në historinë e shekullit XX të Evropës. Gjatë tij, u diskutuan shumë qasje teorike, ku një nga çështjet kyçe që u shqyrtua, ishte bashkërendimi mes dhunës dhe pushtetit, me një fokus të veçantë në sferat e tij kulturore dhe politike.

Rrethe të ndryshme shkencore sot në Evropë duket se po i kushtojnë vazhdimisht një vëmendje gjithnjë e më të madhe fenomenit të terrorit, frikës, dëbimit dhe homogjenizimit të identitetit, si procese të cilat gjenerojnë dinamika të forta nënshtrimi, përuljeje dhe pushtimi, ku dhuna nuk është thjesht një fenomen fizik, por një mjet për të ushtruar kontrollin mbi turmën e zakonshme gjatë shekullit që lamë pas.

Sipas studiuesve të kohës, dhuna në shek. XX është parë të shfaqet në disa forma të reja. Ajo është ushtruar në aspektin e spastrimit etnik të popujve, të dëbimit të popullatave, të eliminimit të grupeve me bindje të ndryshme politike, sociale dhe kulturore ku lufta dhe terrori kolektiv nuk janë më rezultat i një kolapsi politik i proceseve të pashmangshme dhe të brendshme njerëzore. Tashmë ajo vjen me një histori të re: një dhune që precipitoi deri në rritjen e fuqisë së fashizmit dhe antifashizmit, e që u bë mjeti kryesor i veprimit politik nën mbulesën e luftërave civile dhe botërore. Historia e saj nisi që prej masakrave ndëretnike që prodhoi Lufta e Parë Botërore, deri në kauzën e “Zgjidhjes Përfundimtare” që krijoi Hitleri në prag të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, duke e kthyer shek. XX në shekullin më brutal, po aq të përgjakshëm e rrjedhimisht më fondamentalin për ngjarjet që rrodhën më pas në historinë e mijëvjeçarit të fundit.

Nuk ka asnjë dyshim se në të vërtetë, më shumë se disa historianë e konsiderojnë atë, si shekullin më të dhunshëm në historinë e njerëzimit, nisur prej humbjeve të shumta të jetëve njerëzore. Shekulli XX u karakterizua nga fenomene tepër të ndërlikuara, përfshirë kryengritjen, represionin, revolucionin, konfliktin etnik dhe gjenocidin.

Gjithashtu ai u karakterizua nga luftërat botërore dhe civile, bashkë me periudhat e tyre post-luftë, pushtimet që erdhën pas kësaj periudhe, shfarosjet masive, deportimet dhe dëbimet, me qëllimin e vetëm shpeshherë të zhdukjes së identitetit të kombeve të vogla. Të gjitha këto ishin pjesë e proceseve të dhunës ekstreme ndaj individëve dhe grupeve të tëra. Por gjithsesi shekulli XX, prej Azisë në Amerikë, prej Afrikës në Evropë, mbetet shekulli i demokracisë dhe i shkencës, i revolucionit dhe i fashizmit, i dhunës dhe i terrorit. Por si erdhi ky shekull deri në këto ngjarje të paprecedenta se kurrë më parë? Përse konfliktet gjeneruan aq shpejt në një situatë ku betejat u bënë sheshet e zgjidhjeve përfundimtare dhe përse historia e shekullit XX ishte një histori dhune në tërësi në kontinentin e vjetër?

Disa historianë mendojnë se përmbysjet e mëdha që ndodhën gjatë gjysmës së parë të këtij shekulli, si konvergjenca ndaj “konflikteve etnike, paqëndrueshmëria ekonomike dhe rënia e perandorive”, ishin vetëm disa nga shkaqet që çuan në këtë trazim identitar edhe të Evropës vetë. Ngjarja e fundit e kësaj periudhe, L.II.B. dhe fundi i saj, sipas tyre shënoi dhe nisjen e një kapitulli të ri të historisë së kontinentit të vjetër; triumfin e ideve perëndimore mbi totalitarizmin. Vetëm atëherë kur ‘shtrirja e dominimit perëndimor filloi të vlerësohej’ dalloi një prej pjesëmarrësve gjatë një diskutimi, vetëm atëherë shekulli XX filloi të shfaqej në sfond, si një shekull që po zbulon veten. Bëhet fjalë për vitin 1900, dhe ky në fakt nuk ishte më triumfi i Perëndimit, por kriza që kish përfshirë perandoritë evropiane, rezultati i së cilës ishte ringjallja e paepur e fuqisë aziatike dhe tatëpjeta që po merrte Perëndimi.

Për këtë arsye, Evropa jetoi një prej trajektoreve më të gjata historike të saj; vitet e L.I.B., vitet mes dy luftërave dhe tjetrën, L.II.B., si një njësi e plotë dhe tepër diskrete. Në vitin 1900, reduktimi gradual i ndikimit global të Perëndimit ishte një ndër elementët kyç që çuan në atë gjendje konfliktuale të Evropës në tërësi. Më kot është të kërkojmë shkaqe të tjera të mëdha rrugës. Sigurisht, konfliktet ndëretnike dhe ato etnike ishin baza e një terreni me gjak të trazuar. Por kjo ishte periudha më e përndezur, ku urrejtjet mes etnive filluan të ishin gjithmonë e më të pranishme, duke krijuar një terren shumë të favorshëm për urrejtje nacionaliste. Vetë dhuna që shkaktoi Holokausti u trajtua si një dhunë etnike gjithashtu, duke shënuar kthesën e një shekulli tjetër.

Holokausti ishte i jashtëzakonshëm, sigurisht, por studiuesit mendojnë se ai shpërtheu në një moment surprize, në skenën e një Evrope krejtësisht të turbulluar prej hutesës që sjell rënia e perandorive dhe tablosë së saj të pariformatuar kufijsh e gjithfarë. Po t’i vëresh me kujdes vendet ku ai shpërtheu, karakterizoheshin nga popullsi multietnike, paqëndrueshmëri të balancave demografike dhe ndarje të thikëta grupimesh dhe organizatash politike. Evropa në atë kohë vibronte nën një adrenalinë të fortë krize identitetesh. Të gjitha këto me ndikimin e tyre shumëplanësh kishin çuar në shpërthimin e një dhune vdekjeprurëse me tipare etnike e racore që prej pogromeve të viteve 1880-1881. Intensiteti i ri i konfliktit që u ndez me shpërthimin e L.I.B. e që vazhdoi deri në përfundim të luftës tjetër, ishte një prej metodave legjitime të betejave nga vetë fuqitë e mëdha.

Perandoritë dhe etnitë, do të ishin dy kauzat e reja të betejave ku pikëtakimi mes tyre shkaktoi një trazirë të parikuperueshme edhe sot, në trekëndëshin fatal të territoreve mes vendeve baltike, Ballkanit dhe vendeve të Detit të Zi. Kjo u kthye në një zonë konflikti jo vetëm sepse ishte tërësisht e përbërë prej grupeve të ndryshme etnike, por sepse u kthye në kryqëzimin ku përthyheshin katër perandoritë e mëdha; Hohenzollerns, Habsburgasit, Romanovët dhe Osmanët. Në fakt, që atëherë ka rrjedhur shumë kohë, por a ka pasur njerëzimi histori planifikimi të shfarosjes së vet më të sofistikuar, por edhe më të drejtpërdrejtë se dhuna që u ushtrua në 100 vitet e shekullit të kaluar?

Kjo mbeti një pyetje pa përfundime të qarta mes studiuesve që kishin mbushur sallën në Akademinë Mbretërore të Shkencave dhe Arteve në Bruksel. Po një gjë ishte e kuptueshme mes shumë mistereve të pazbardhura ende; çdo gjë vazhdon po njëlloj, por në çdo kohë, me mjete dhe rrugë të tjera, ndaj e çuditshme është që raca njerëzore vazhdon të mbijetojë në planetin tonë mes shumë metodave e metodologjive që njeriu vetë, ka prodhuar kundër të ngjashmit të vet. Ndaj sot e gjykoj të arsyeshme të jem me Stephen Hawking, një prej mendjeve më të bukura të kohës sonë, kur ai ngre pyetjen e madhe në një diskutim mes dijetarëve të botës: Në një botë që ndodhet mes një kaosi politik, social dhe mjedisor, si ka mundësi që raca njerëzore vazhdon të mbështesë edhe një shekull tjetër konfliktesh dhe betejash të përgjakshme siç po ndodh sot? Nuk e di arsyen, – shton më tej Hawking, – ndaj kjo është dhe çudia, përse unë ngrita në të vërtetë këtë pyetje.