Vozinha, heroi 40-vjeçar që mahniti botën ndaj Spanjës


Portieri i Kepit të Gjelbër, Vozinha, u bë një nga emrat më të përfolur të Kupës së Botës 2026 pas paraqitjes së jashtëzakonshme në barazimin pa gola ndaj Spanjës.
Me disa pritje spektakolare, veterani 40-vjeçar i mohoi kampionët e Evropës dhe i siguroi vendit të tij pikën e parë historike në një Kampionat Botëror.
Emri i tij i vërtetë është Josimar Jose Evora Dias, ndërsa nofkën “Vozinha” e mori që në fëmijëri. Ai luan aktualisht për klubin portugez Chaves dhe ka një karrierë të gjatë që përfshin ekipe në Portugali, Qipro, Moldavi dhe Angola.

I lindur më 3 qershor 1986, Vozinha është një nga figurat më të rëndësishme në historinë e futbollit të Kepit të Gjelbër.
Ai ka qenë pjesë e katër edicioneve të Kupës së Kombeve të Afrikës dhe luajti rol kyç në kualifikimin historik të vendit për Kampionatin Botërorin 2026.
Në sfidën ndaj Spanjës, portieri veteran ishte i pakalueshëm. Ai ndali përpjekjet e Ferran Torres, Mikel Oyarzabal, Aymeric Laporte dhe Marc Cucurella, duke u shndërruar në heroin e mbrëmjes.
Fal pritjeve, ai u konfirmua "Lojtar i Ndeshjes" nga FIFA dhe platforma SofaScore, me notë 9.7.
Performanca e tij bëri që shumë tifozë në rrjetet sociale ta krahasonin me Manuel Neuerin dhe portierë të tjerë që kanë bërë histori.
Pas përfundimit të ndeshjes, emocionet e pushtuan Vozinhën. Ai shpërtheu në lot, teksa festonte pikën e parë historike të Kepit të Gjelbër në Kupën e Botës, një moment që do të mbetet përgjithmonë në historinë e futbollit të këtij vendi afrikan. /Telegrafi/
Vozinha was in tears after his heroic performance earned a clean sheet and Cabo Verde's first-ever World Cup point 🥺 pic.twitter.com/1W7urCuAKQ
— B/R Football (@brfootball) June 15, 2026






































