LAJMI I FUNDIT:

Viti 1945, Viti Zero: qeveria nuk i zgjidh problemet, por i subvencionon!

Viti 1945, Viti Zero: qeveria nuk i zgjidh problemet, por i subvencionon!
OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, si fituesit ashtu edhe humbësit kërkonin me zë të lartë ndryshime sociale të përmasave epokale. Ëndrrat e tyre u bënë realitet?

Keith Lowe

Lufta e Dytë Botërore qe një prej evenimenteve më të mëdha të historisë njerëzore. Midis viteve 1937 dhe 1945, më shumë se 100 milionë burra e gra u mobilizuan në forcat e armatosura në të gjithë sipërfaqen e globit, pa llogaritur qindra milionë civilët e përfshirë në konflikt si punëtorë, robër, skllevër dhe shënjestra. Çdo cep i planetit, edhe më i largëti nga frontet ku luftohej, u përfshi në këtë katastrofë çnjerëzore. Kështu, pyetja që shtrohet është: në çfarë mënyre kjo përvojë e përbashkët na ka influencuar pas përfundimit të saj? Sigurisht që ka krijuar një mentalitet të përbashkët për të gjithë. Atëherë si është manifestuar? Ose, më mirë: në çfarë mënyre kujtimi i Luftës së Dytë Botërore e ka ndryshuar botën?

Shpesh momenti i përfundimit të luftës kujtohet në mënyrë fuqimisht të idealizuar. Festohej në mënyrë të shfrenuar në Londër e në Paris në VE Day (Victory in Europe Day – Dita e Fitores në Evropë, 8 maji 1945) dhe në VJ Day (Victory over Japan Day – Dita e Fitores mbi japoninë, 15 gusht 1945), ndërsa në qiejt mbi Kremlin shpërthenin fishekzjarrët dhe në Times Square të New Yorkut marinarët puthnin infermieret.

Presidenti amerikan Hendry Truman ia përsëriti shumë herë popullit të tij se ishin “në pragun e një bote të re” dhe se pas vdekjes së “një bote në luftë” do të lindte një “botë në paqe”. Me 16 gusht 1945, të nesërmen e dorëzimit japonez, Truman shpalli se ajo në të cilën po asistohej ishte “një fillim i ri për historinë e lirisë në Tokë”. Por, në momentin kur shpreheshin, këto ndjenja përfaqësonin një vizion shumë të anshëm të valës emotive që shoqëroi mbarimin e luftës.

Përkrah haresë dhe festimeve pati reagime të çdo lloji: në shumë anë të globit emocionet predominuese më 1945 qenë turpi dhe zemërimi. Në Evropën Perëndimore, pamja e gruas me kokën tullë që ia kishte dhënë trupin e saj armikut, u bë një simbol i fuqishëm kolaboracionizmi dhe kundër kolaboracionistëve. Si në Evropë ashtu edhe në Azi shpërtheu një valë e dhunshme hakmarrjeje. Në shumë prej zonave më të shkatërruara, sidomos në vendet e mundura, njerëzit ju dorëzuan dëshpërimit – asaj që korrespondentja e luftës Janet Flanner e quajti “vetmia e disfatës së plotë fizike”. Por, edhe në vendet fituese ndjenjat nuk qenë aq të qarta e të prera, siç është zakon të kujtohen sot: “Provova vetëm një ndjesi të çuditshme humbjeje”, kujtoi John MacAuslan, ish-zyrtar i inteligjencës britanike. “Gjithçka që kisha njohur prej shumë kohë sapo ishte zhdukur dhe dukej se nuk kishte asgjë për ta zëvendësuar… Ishte zhdukur çdo gjë”.

Domethënë, është korrekte të pohohet se kujtimi i vitit 1945 si agimi i një erë të re shprese është patjetër i anshëm, pavarësisht se përfaqëson zemrën e mentalitetit të pasluftës. Motivi i vazhdimit duhet kërkuar pjesërisht në faktin se mjetet e komunikimit të kohës e paraqitën fundin e konfliktit pak a shumë kudo. Ata që drejtuan korin qenë Shtetet e Bashkuara, fitues të padiskutueshëm të luftës, që më 1945 kishin marinën dhe aviacionin më të madh të planetit dhe një ushtri me të cilën vetëm ajo sovjetikja mund ta rivalizonte. Po ashtu, në atë moment ishte fuqia e vetme bërthamore në botë. Konflikti edhe pasuruar e kishte pasuruar jo pak Amerikën: midis viteve 1939 dhe 1945 ekonomia amerikane ishte pothuajse dyfishuar në vëllim dhe në fund të konfliktit përfaqësonte gjysmën e PBB-së e të gjithë botës.

Kur në Amerikë figurat publike lajmëronin fillimin e “shekullit amerikan”, nuk është se vetëm po uronin: po tentonin që të përqaseshin me përgjegjësinë e madhe të re me të cilën ishte ngarkuar vendi i tyre. Në një goditje të vetme, Shtetet e Bashkuara e shikonin veten se u bënë polici i racës njerëzore, financieri i votës dhe përfaqësuesi më i afërt me një Samaritan të Mirë që planeti kishte patur ndonjëherë. Ndaj, nuk është çudi që amerikanët do të donin të bindnin si vetveten, ashtu edhe të tjerët, se bota do të bëhej një vend më i mirë falë përpjekjeve të tyre.

NJË VALË E KUQE

Fituesi tjetër i madh i konfliktit qe Bashkimi Sovjetik dhe, për pasojë, Partia Komuniste. Komunistët e kishin ëndërruar gjithmonë revolucionin dhe Lufta e Dytë Botërore ua kishte shërbyer në një pjatë të argjendtë. Deri në rënien e Perdes së Hekurt, në Evropën Lindore është vazhduar të përkujtohet mbarimi i kësaj lufte si “një prej evenimenteve më të mëdha të historisë njerëzore, që i ka dhënë një goditje vdekjeprurëse kapitalizmit” (me fjalët e ministrit shqiptar të Mbrojtjes, Prokop Murra më 1985). Është jashtë çdo dyshimi që falë luftës komunizmi përjetoi një rritje të jashtëzakonshme popullariteti: në tri vite nga përfundimi i konfliktit, ju bashkuan Partisë Komuniste më shumë se 900 mijë francezë, mbi një milion rumunë, 1.4 milion çekosllovakë dhe 2.2 milionë italianë. Një situatë e ngjashme u verifikua në Kinë (ku pak më vonë komunistët do të merrnin pushtetin), në Amerikën Latine (ku anëtarësimet në parti u pesëfishuan midis viteve 1939 e 1947) dhe në vetë Bashkimin Sovjetik (ku partia u rrit me pothuajse 50 për qind midis viteve 1941 e 1945, pavarësisht të gjitha humbjeve të shkaktuara nga lufta). Siç komentoi filozofi franko-lituanez Emmanuel Levinas në vitet ’50, rritja eksponenciale e komunizmit në atë periudhë “na mësoi që të ndjenim në ecjen përpara të kësaj lëvizjeje hapat e vetë fatit”.

Ka mundësi që zërat të cilat bënin thirrje për ardhjen e një “bote të re të shkëlqyer” u ngritën më fort nga vendet që kishin vuajtur shkatërrimet më të mëdha. Qeveritë e pjesës më të madhe të Evropës nuk mund të lejonin ndjenja zemërimi apo dëshpërimi: detyra e tyre tani ishte që të merrnin kontrollin e vendeve respektive, të vendosnin stabilitetin dhe të rindërtonin. Në të gjithë kontinentin u spastruan forcat e policisë, u arrestuan kolaboracionistët dhe u nisën proceset, por ishte edhe e nevojshme që t’u ofrohej popullsive ndonjë shpresë që të kundërbalanconte zemërimin dhe demoralizimin. Kështu, është aspak për t’u mrekulluar nëse në Francë Charles de Gaulle premtonte që “të fillonte udhëtimin drejt shpëtimit”, nëse në Jugosllavi Mareshali Tito ofronte “vizionin e mrekullueshëm e një jete të re” të përbërë nga “bashkim-vëllazërimi” dhe nëse në Britaninë e Madhe qeveria laburiste e pasluftës premtonte krijimin e një “Jerusalemi të ri”.

Nga ana e tyre, edhe vendet e mundura duhej t’i rezistonin tundimit për t’ju nënshtruar dëshpërimit. Në Gjermani, 1945 u shpall “Viti Zero” jo vetëm për të treguar se bombardimet e kishin çuar vendin në Epokën e Gurit, por edhe për të shprehur shpresën që popullit gjerman t’i jepej mundësia të niste nga fillimi. Ndërkohë, Japonia i përsëriste vetes dhe të gjithë botës se kishte rilindur në flakët bërthamore të Hiroshimës dhe Nagasakit. Në një diskutim të famshëm, i mbijetuar i bombës atomike, Takashi Nagai, e paraqiti qytetin e tij të lindjes si një martir që kishte dhënë jetën e vet jo vetëm për Japoninë, por për gjithë botën: “Duhet të jemi mirënjohës që Nagasaki është zgjedhur për këtë holokaust”, tha në nëntor të 1945. “Duhet të jemi mirënjohës që nëpërmjet sakrificës së tij, bota ka mundur të ketë paqen”.

ETJA PËR NDRYSHIM

Edhe vende të qëndruara larg nga dhuna u prekën nga atmosfera revolucionare dhe rilindja e pasluftës. Amerika Latine u përpi nga një valë demokracie: diktaturat ushtarake nisën të bien një e nga një si birila në Ekuador, Venezuelë, Guatemalë e Bolivi dhe Peruja mbajti zgjedhjet e saj të para të lira më 1945. “Vitet 1944 dhe 1945”, referoi një raport vjetor i botuar pak pas përfundimit të konfliktit, “kanë çuar në më shumë ndryshime demokratike në vende të ndryshme latino-amerikane se çdo vit përpara qysh nga luftërat për pavarësi” e shekullit të XIX-të.

Edhe pjesa më e madhe e Azisë u kap nga një etje e pabesueshme për ndryshim. Kryeministri indian, Jawaharlal Nehru, e tregoi shpesh Luftën e Dytë Botërore si një prej faktorëve kryesorë për rilindjen e vendit të tij si shtet i pavarur: “Sapo kemi dalë nga ajo luftë dhe njerëzit tashmë flasin në terma të vagullta dhe po aq të rastësishëm për luftëra të tjera që do të vijnë”, tha përpara Parlamentit indian në dhjetorin e vitit 1946. “Dhe, është në këtë moment që India e Re po lind, vitale dhe e privuar nga frikërat”. Presidenti i ardhshëm indonezian arriti madje të falënderojë Qiellin për vitet e fundit të dhunës që kishin mundësuar lindjen e “një Indonezie të lirë, e farkëtuar në zjarrin e luftës”. Domethënë, në këto vende dhe në shumë të tjera në Azi e në Afrikë, 1945 u paraqit vërtet si agimi i një ere të re. E gjitha bota e adoptoi këtë mentalitet idealizmi dhe ndryshimi radikal, sepse u vinte për mbarë pothuajse të gjithëve: brenda një kohe të shkurtër, çdo lloj projekti në shkallë të gjerë filloi të prezantohej si vizioni i një të ardhmeje ideale.

Mbështetësit e planfikimit të centralizuar flisnin me tone entuziaste për të shtetëzuar industritë, kolektivizuar bujqësinë, rregulluar sistemet financiare dhe organizuar shoqëritë në pritje të një ndarjeje më të barabartë të begatisë, shëndetit dhe arsimit. Dhe, nuk qenë vetëm socialistët ata që i propozoni këta skenarë, por edhe të demokristianët në Evropë, si edhe në Azi, Afrikë e Amerikë Latine. “Planifikimi po bëhet një fenomen pothuajse universal”, shkruante gjatë luftës sociologu austriak në mërgim, Otto Neurath. “Planifikimi si masë lufte, planifikimi si ilaç kundër depresionit ekonomik, planifikimi si kënaqësi për arkitektët dhe si tipar i ri themelor i shoqërisë tonë”.

Midis vizionarëve më entuziastë qenë projektuesit urbanë që morën detyrën të rilindnin nga gërmadhat qytetet evropiane. Në 1945 arkitektët flisnin shpesh pa kurrfarë ironie për shkatërrimin si një e “mirë” dhe shikonin qytete si Coventry, Hamburg e Varshavë të ngriheshin drejt qiellit si feniksat nga hiri i tyre: më të bukura, më moderne, me një fjalë më të mirë se ato plot degradim që qenë shkatërruar në konflikt. Në Britaninë e Madhe entuziazmi me rindërtimin arriti maja të tilla sa të ngjallte zilinë e fshehtë e kolegëve amerikanë: “Nëse e gjitha kjo është vepër e Blicit”, arriti të shkruajë në 1944 ekspertja amerikane Catherine Bauer, “atëherë kjo shpjegon se pse kaq shumë liberalë në Shtetet e Bashkuara kultivojnë fshehurazi hidhërimin e nuk kanë mundur ta përjetojnë në vetën e parë këtë përvojë”.

Për të tjerë, shpëtimi i njerëzimit do të vinte nga shkenca: mrekullitë teknologjike të lindura gjatë luftës- në mënyrë të veçantë shpikja e energjisë bërthamore – ushtruan mbi gjeneratën e pasluftës një efekt që vështirë se mund të imagjinohet sot. Gazetarë si ai i Timesit, Gerald Wendt, nisën të fantazojnë për një të ardhme në të cilën “shkenca do ta çlironte racën njerëzore jo vetëm nga zija e bukës, nga sëmundjes dhe nga vdekjet e parakohshme, por edhe nga varfëria dhe nga vetë nevoja e të punuarit”. Në të gjithë botën nisën të qarkullojnë histori imagjinare “makinash me energji bërthamore” dhe “burime energjetike jo të ezaurueshme”. Një revistë nga Berlini parashikoi ardhjen e një mjeti hapësinor në gjendje që t’i transportonte njerëzit në Hënë për tri orë e 27 minuta, ndërsa “Illustrated Weekly of India” më 1946 botonte pamje trenash futuristë që do ta mbulonin largësinë midis Bombait dhe Kalkutës në pothuajse një orë, bashkë me ilustrime shkretëtirash të transformuara në oazë dhe të Polit të Veriut të shndërruar në një vend turistik.

LINDJA E INSTITUCIONEVE TË MËDHA

Projekti më i madh nga të gjithë ishte ai i globalizimit. Duke u nisur nga bashkëpunimi i vendeve aleate gjatë luftës, në mbarim të kësaj të fundit u ngritën dhjetëra institucione të reja. Mjaftoi një konferencë trijavëshe në lokalitetin turistik amerikan të Bretton Woodsit, në pranverën 1944, për të krijuar si Fondin Monetar Ndërkombëtar ashtu edhe Bankën Botërore: thjesht, fakti që kaq shumë vende (44 në total) arritën që të bien dakord lidhur me një rishikim të plotë të sistemit financiar të planetit në një kohë kaq të shkurtër, e dëshmon mjaft mirë se sa e rëndësishme do t’i jetë dukur secilit prej tyre formimi i një ekonomie globale të integruar e të rregulluar. Një vit më vonë, kur në horizont po dukej përfundimi i luftës, në San Francisko u krijuan Kombet e Bashkuara, pasuar nga institucione të tjera të shumta: Organizata e Shteteve Amerika, Komuniteti Evropian, NATO, Traktati i Varshavës, Lëvizja e të Painkuadruarve, GATT-i dhe shumë të tjera, në një listë dukshëm të pafundme.

Projektet madhështore qenë në rend të ditës dhe nënshkruheshin marrëveshje ndërkombëtare për çfarëdo gjëje, nga aviacioni tek sistemet globale të postës, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë lansonte një seri fushatash planetare për të zhdukur “vrasësit e mëdhenj” të botës, si tuberkulozi, lija dhe malaria. Në pothuajse totalitetin e rasteve, këto institucione paraqiteshin si organizata të “lindura nga flakët e Luftës së Dytë Botërore”: vetë Kombet e Bashkuara kanë një feniks të madh që ngrihet nga flakët e luftës të pikturuar në një mur të sallës së Këshillit të Sigurimit. Domethënë, pavarësisht ndjenjave kontradiktore të shkaktuara nga Lufta e Dytë Botërore, më 1945 popullsitë nga çdo anë e botës zgjedhën që të përqafonin këto ide, por edhe ato që nuk e bënë gjithsesi qenë të gatshëm që të bashkëjetonin me to.

“Nuk mund të kthehemi prapa në strukturën ekonomike e sociale të vitit 1939 edhe sikur të donim”, shkroi me hidhërim historiani ultrakonservator britanik, Arthur Bryant, “pasi ky sistem nuk ekziston më”. Dhe, shumë historianë të sotëm bien dakord: “Bota nuk do të mund të kishte qenë e njëjta pas luftës”, thotë Ian Buruma. “Kishin ndodhur shumë gjëra. Qenë ndryshuar shumë gjëra”.

Pavarësisht kësaj, pati shumë vijueshmëri. Përtej retorikës lidhur me spastrimin e institucioneve të Evropës nga fashistët e nga kolaboracionistët, qeveritë e pasluftës nuk patën sukses të veçantë: për shembull, shërbimi civil i Gjermanisë së pasluftës ishte plot me ish-nazistë, përfshirë personazhe që kishin qenë përgjegjës për masakra e mizori, si Wilhelm Hauser, kreu i policisë së Renani-Palatinatit. Në të gjithë Evropën, nevojat ekonomike të rindërtimit kaluan përpara atyre të drejtësisë: qysh më 1946, thuajse kudo proceset ndaj kolaboracionistëve u ndërprenë pa shumë bujë dhe shumë prej të arrestuarve u amnistuan. Në fakt, mbi këto themele u ndërtua mrekullia ekonomike e viteve ’50. E njëjta gjë ndodhi në Japoni, ku asnjë prej udhëheqësve industrial të vendit nuk e pa kurrë sallën e ndonjë gjyqi, pavarësisht nga krimet e luftës me të cilat qe njollosur. Për pasojë, përgjegjësia e tyre në ngjarjet e luftës nuk u përball kurrë në terma të hapura dhe, akoma sot, në shekullin e XXI-të, kompani si Mitsubishi, Mitsui dhe Nippon Steel u gjendën të përfshira në çështje ligjore për veprime të supozuara që i takonin Luftës së Dytë Botërore.

ZEMËRIM, TURP, FRIKË

Për më tepër, institucionet e reja globale nuk qenë pastaj edhe kaq të reja sa donin të dukeshin: vetë Kombet e Bashkuara qenë pak të ndryshme nga një riedicion i Ligës së Kombeve, nga e cila kishin trashëguar një pjesë të mirë të personelit, të statuteve dhe të agjencive (për shembull, Organizata Botërore e Punës). Më 1945, idealistët më të pastër i shikonin Kombet e Bashkuara jo si një shprehje të shpresave të pasluftës, por si një tradhti ndaj tyre. “Nuk ekziston një hap i parë drejt një qeverie botërore”, shkroi më 1945 gazetari Emery Reves. “Qeveria botërore është hapi i parë”.

Më magjepsëseve midis “flluskave” të periudhës së pasluftës nuk ju deshën shumë që të plasnin. Shkencëtarë atomike, si Otto Frisch, bënë të ditur se ëndrrat si ajo e makinave me energji bërthamore qenë në fakt të parealizueshme: “Do të mjaftonin pak minuta që një makinë e këtij lloji të vrasë”. Pastaj, në vitet ’60 vdiq besimi ndaj planifikimit urban, kur shkrimtarët si Jane Jacobs dhe Oscar Newman përshkruan sesi këto projekte kishin përfunduar për të krijuar pa dashje qytete distopike me qasje antisociale. Dhe, në vitet ’80 shumë projekte madhështore, centralizimi, shtetëzimi i industrive, u përmbysën të gjitha, ndërsa politikanët si Ronald Reagan filluan të mendonin se “qeveria nuk i zgjidh problemet: i subvencionon”.

Sot shumë projekte ndërkombëtare të lindura në 1945 kanë filluar që të shkërmoqen, i pari nga të gjithë sistemi financiar global i themeluar në Bretton Woods, i kolapsuar qysh në vitet ‘70 me tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga sistemi i arit. Kombet e Bashkuara rezistojnë akoma, me brekë nëpër këmbë, megjithëse për ditë e më shumë të injoruara nga po ato vende që janë anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të tyre. Edhe Bashkimi Evropian, ndoshta institucioni ndërkombëtar me sukses më të madh, “i lindur nga flakët e Luftës së Dytë Botërore”, kohët e fundit ka nisur të lëkundet.

Në kohën tonë ndjenjat e lidhura më rëndom me luftën nuk janë ato tipike të mentalitetit të pasluftës, domethënë idealizëm, ndjenjë komuniteti, besim tek ekspertët dhe tek institucionet. Nëse duam t’u japim të drejtë titujve të gazetave të të gjithë botës, ndjenjat e sotme janë në fakt ato që në 1945 u bë përpjekje që të shtypeshin: zemërim, turp, frikë! /Përgatiti: Armin Tirana/Bota.al/