LAJMI I FUNDIT:

Vetëvendosje sot “iu bashkua” atyre që i quante “jolegjitim dhe të dështuar”

Vetëvendosje sot “iu bashkua” atyre që i quante “jolegjitim dhe të dështuar”

Partia më e madhe opozitare në vend Lëvizja Vetëvendosje tash e sa kohë ka bojkotuar disa seanca në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për të bërë një kthesë në seancën e ditës së sotme me pjesëmarrjen e tyre.

Për të mos mjaftuar vetëm kjo, kjo opozitë me pjesëmarrjen e tyre në Kuvendin e Republikës së Kosovës ka marrë pjesë edhe në votimin e disa projektligjeve të cilat janë dërguar nga qeveria e Kosovës për tu miratuar në Kuvend.


Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, votuan disa nga këto projektligje duke i shtyrë proceset përpara të qeverisjes aktuale edhe pse për ta kjo qeverisje vlerësohej si “jo legjitime dhe e dështuar”.

Megjithatë, ata kanë vazhduar me deklarime, duke dhënë kritika për pushtetin aktual.

Deputetja nga kjo parti, Albulena Haxhiu, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se është dëshmuar që kjo Qeveri është vazhdimësi e keqqeverisjes së kaluar, është Qeveri e vendimeve kriminale dhe jo kushtetuese.

Sipas saj, kjo qeveri edhe përkundër faktit që ka hyrë në vitin e dytë të qeverisjes përgjatë gjithë kohës i ka shërbyer interesave të Serbisë në Kosovë dhe jo interesave të qytetarëve të Kosovës.

“Në kohën kur është vendosur për bojkotim të Kuvendit, njëanshëm nga AAK-ja, ne si subjekt politik nuk kemi qenë dakord për faktin se nuk po bëhet fjalë për një vend demokratik në të cilin do të përbënte problem serioz mungesa e opozitës”, tha ajo.

Ajo po ashtu tha se vendimin për të mos marrë pjesë në seancë ishte asokohe unitet i opozitës, përkatësisht vendim i AAK dhe Nismës.

“Sot po dëshmohet se ai vendim nuk e ka arritur efektin politik”.

Sipas saj, kryesia e VETËVENDOSJE!-s dhe grupi parlamentar ka vendosur që t’i kthehen punës në Komisionet parlamentare dhe seancave plenare, me qëllimin që t’ia vështirësojnë jetën kësaj qeverie.

“Me opozitarizmin tonë në Kuvend, jemi kthyer që t’ia vështirësojmë jetën kësaj Qeveria, ta sfidojmë atë, pasi që e njëjta gjatë kësaj kohe e ka bërë të parëndësishëm Kuvendin, sikur Kosova të ishte Republikë qeveritare dhe jo parlamentare”, tha Haxhiu duke shtuar se do të jenë në vazhdimësi brenda dhe jashtë Kuvendit.

Gjithashtu, ajo pohoi faktin se janë kundër ratifikimit të demarkacionit në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Nëse Qeveria tenton ta kontrabandoj çështjen e demarkacionit apo ndonjë dokument që ka të bëj me “Zajednicën”, do të has në rezistencën tonë edhe më fuqishëm”.

Ndërsa analistja e kësaj fushe Albana Rexha, ka thënë se rikthimi i sotshëm i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës pas një bojkoti të gjatë, duhet të mirëpritet nga të gjithë akterët politikë.

“Kthimi i tyre në Kuvend është shenjë e qartë se diskutimi mbi politikat e ndryshme është duke u zhvendosur prapë në Kuvend”, tha Rexha e cila shtoi se vet përbërja e parlamentit do duhej të reflektonte në diversitet mendimesh mbi procese dhe politika te ndryshme.

Ajo tha po ashtu se shpreson që pas kthimit të VV-së në Kuvend, diskutimet dhe vendimet rreth politikave të ndryshme të jenë frytdhënëse dhe jo të kalkuluar paraprakisht vetëm në numra.

“Në parim rikthimi i opozitës në parlament jep shpresë për politike-bërje më gjithëpërfshirëse, e mbase edhe më efikase”, tha njohësja e kësaj fushe Albana Rexha. /Telegrafi/