LAJMI I FUNDIT:

Vetëvendosje refuzon debatin zgjedhor në RTK

Vetëvendosje refuzon debatin zgjedhor në RTK

Partia Vetëvendosje ka refuzuar të marrë pjesë në debatin zgjedhor në televizionin publik duke e dështuar kështu emisionin e së premtes që ishte rezervuar për këtë parti.

Autori i emisionit në RTK ka lexuar edhe arsyen e partisë për mospjesëmarrje fillimisht duke treguar se VV ka kërkuar që në debat të jenë edhe përfaqësuesit e partive të tjera, koalicionit PKD-AAK-NISMA dhe LDK-AKR-Alternativa.

RTK sipas autorit të emisionit e ka pasur të pamundur që të aranzhojë një format të tillë të emisionit.

Në përgjigjen e tyre drejtuar RTK-së për të shfrytëzuar hapësirën e tyre e cila është e barabartë më të gjitha subjektet e tjera, Vetëvendosje ndër të tjera thotë:

VETËVENDOSJE! nuk mund të marrë pjesë në emisione të dizajnuara nga zyret e PDK-së, me qëllimin e vetëm, pamundësimin e debatit. Nënshtrimi kaq i lehtë i RTK-së ndaj presionit të PDK-së tregon më së miri nivelin e pavarësisë redaksionale të këtij institucioni dhe vënien e tij në shërbim të interesave antikombëtare të koalicionit PAN-iku.

Vetevendosje kishte kritikuar Ramush Haradinajn që kishte anuluar debatin me kundërkandidatët e tij.

Ndërsa RTK-ja i ka bërë thirrje këtij subjekti politik dhe subjekteve të tjera që ta shfrytëzojnë kohën e paraparë, pasi që “RTK i nënshtrohet ligjeve në fuqi për mbulimin e fushatës zgjedhore në mënyrë fer dhe të balancuar duke iu dhënë hapësirë të barabartë të gjitha subjekteve politike për ta shpalosur programin e tyre para elektoratit”.

Subjekti politik Vetëvendosje, ka qenë i ftuar dhe ka pasur hapësirën e rezervuar dhe kjo hapësirë do t’i llogaritet, pavarësisht mospjesëmarrjes së tyre në emisionin zgjedhor.