Vëllezër në familje, rivalë në Kampionatin Botëror: Katër histori të veçanta që tregojnë fuqinë e migrimit në futboll


Kupa e Botës që nis këtë javë do të sjellë jo vetëm përballje mes kombëtareve më të mira të planetit, por edhe histori të veçanta familjare. Në këtë Botëror do të jenë katër raste kur vëllezër të së njëjtës familje do të përfaqësojnë shtete të ndryshme, një pasqyrim i qartë i ndikimit që migrimi ka pasur në futbollin modern.
Një nga rastet më interesante është ai i vëllezërve Doue. Ylli i PSG-së, Desire Doue, do të luajë për Francën, ndërsa vëllai i tij më i madh, Guela Doue, është pjesë e Bregut të Fildishtë.
Të dy kanë lindur në Francë, por origjina e babait të tyre nga Bregu i Fildishtë bëri që Guela të zgjedhë vendin e prejardhjes familjare.
Vetëm javën e kaluar, Guela shënoi në fitoren 2-1 të Bregut të Fildishtë ndaj Francës në një ndeshje miqësore, ndërsa Desire e ndoqi takimin nga tribunat në Nantes.
“Sigurisht që u ngacmuam pak pas ndeshjes, por në fund jemi familje dhe jemi shumë krenarë për njëri-tjetrin”, deklaroi Guela.

Vëllezërit e tjerë
Një tjetër histori e njohur është ajo e vëllezërve Williams. Nico Williams, një nga yjet e Spanjës dhe lojtari më i mirë i finales së Euro 2024 kundër Anglisë, do të përfaqësojë “La Rojan” edhe në Botëror. Ndërkohë, vëllai i tij më i madh, Inaki Williams, luan për Ganën.
Edhe pse kishte zhvilluar një ndeshje miqësore me Spanjën, Inaki më vonë vendosi të përfaqësojë vendin e origjinës së prindërve të tij, Ganën.

Në përfaqësuesen ganeze është edhe Derrick Luckassen, mbrojtësi 30-vjeçar i lindur në Holandë, i cili në Botëror do të jetë në anën tjetër të vëllait të tij nga nëna, Brian Brobbey. Sulmuesi 24-vjeçar është pjesë e Holandës, pasi siguroi ftesën falë paraqitjeve të mira në pjesën e dytë të sezonit.
Ndërkohë, Australia dhe Skocia do të kenë gjithashtu dy vëllezër në këtë Botëror. Harry Souttar, mbrojtësi i Australisë, ka lindur në Aberdeen të Skocisë, por zgjodhi të luajë për vendin e nënës së tij australiane. Në anën tjetër, vëllai i tij John Souttar do të përfaqësojë Skocinë.
Harry ndërroi përfaqësuese shtatë vite më parë, pasi kishte luajtur vetëm në kategoritë e reja të Skocisë.

Megjithëse këta vëllezër do të jenë pjesë e të njëjtit turne, asnjë prej tyre nuk do të përballet me njëri-tjetrin gjatë fazës së grupeve.
Rezultat i migrimit
Këto histori janë rezultat i valëve të mëdha të migrimit që kanë formësuar futbollin modern. Vitet e fundit, shumë përfaqësuese afrikane kanë përfituar nga talentet e lindura dhe të rritura në Evropë.
Algjeria, Maroku, Senegali, Tunizia, Kongo dhe Kepi i Gjelbër janë vetëm disa nga kombëtaret që kanë në përbërje më shumë futbollistë të lindur në Evropë sesa në vendet e tyre.
Historia e Botërorëve njeh vetëm një rast kur dy vëllezër janë përballur drejtpërdrejt në fushë. Bëhet fjalë për Jerome Boatengun, që luante për Gjermaninë, dhe gjysmëvëllain e tij Kevin-Prince Boateng, i cili përfaqësonte Ganën.

Ata u përballën në Kupën e Botës 2010 dhe më pas përsëri në Botërorin e vitit 2014, duke shkruar një nga historitë më të veçanta familjare në historinë e futbollit. /Telegrafi/





































