Vëllaznimi merr edhe Mazrekajn

Vëllaznimi nga Gjakova ka realizuar përforcimin e dytë. Pas Bledor Alimusajt të marrë nga Deçani, ekipi gjakovar ka arritur marrëveshje edhe më një futbollist tjetër të këtij ekipi. Fjala është për mbrojtësin, Ragip Mazrekaj të Deçanit, i cili ishte njëri ndër shënuesit më të mirë të kësaj skuadre në stinorin vjeshtor në Ligën e Parë.
Lajmin e ka konfirmuar trajneri i Vëllaznimit, Genc Hoxha. “Pas Bledor Alimusajt, kemi arritur marrëveshje edhe me mbrojtësin e Deçanit, Ragip Mazrekajn. Marrëveshja është gjashtë mujore me mundësi vazhdimi edhe për gjashtë muaj të tjerë”, u shpreh fillimisht Hoxha për ‘Sport Plus’.
Ndërkohë, trajneri i skuadrës gjakovare ka thënë se është shumë afër arritjes së marrëveshjes edhe me futbollistin tjetër të Deçanit, Rexhep Daci.
“Po, ne jemi në bisedime edhe me Rexhep Dacin. Kanë mbetur vetëm edhe disa detaje për të arritur marrëveshje me të. Të presim, besoj që shumë shpejt do të mbyllim edhe këtë përforcim”, përfundoi Hoxha.
Nga Vëllaznimi deri më tani janë larguar Arjan Jasiqi, Yll Myrta dhe Roland Duraku, që kanë udhëtuar jashtë vendit. Kurse, largimin e ka paralajmëruar edhe Ylber Myrta. Ndërsa, gjatë kampionatit, në kurbet kishin shkuar Atdhe Gashi dhe Shpat Tetrica. /Telegrafi/




















































