LAJMI I FUNDIT:

Varshmëria vdekjeprurëse

Varshmëria vdekjeprurëse

Varshmëria është formë e jetesës në botën e sotme, e cila është e tëra thirrje për konsum, ftesë për blerje. Është e pamundshme që njeriu t’i shmanget kësaj ftese: Është e përhershme, është gjithpërfshirëse, është e domosdoshme. Njeriu që nuk korrespondon me ofertën, i ngjan një kompjuteri që nuk ka kurrfarë programi të instaluar. Si i tillë ai nuk vlen gjë. Njeriu nuk mund të ekzistojë sot pa “sotfwaren” e përgatitur prej sistemit që funksionon mbi konceptin e varshmërisë.

Shkrim nga Blerim Shala, i publikuar më 2000 në Javoren Politike Shqiptare – Zëri


Çfarë kërkon njeriu kur shkon në kinema? Çfarë pret ai në të vërtetë prej një filmi? A është argëtimi caku kryesor, shmangia nga përditshmëria, shikimi i ëndrrës syçelë, kapja për ngushëllimin që ofron një iluzion, apo cak është që një film të ofrojë një pikëshikim të veçantë të realitetit, i cili nuk mund të kapet dot prej secilit prej nesh, por vetëm prej atyre që janë artistë?

Nëse statistika është çdo gjë, atëherë përgjigjja në këto pyetje tashmë është e njohur dhe brutalisht e qartë. Filmi për shumicën absolute të shikuesve përbën një botë tjetër, më të mirë, më të lumtur, më optimiste sesa njëmendësia. Për këtë shkak, zatën, dogma e filmit hollivudian është hepiendi. Filmi hollivudian është me ngjyra të ndezura, ka karaktere gjithfare në të, të mirë, të këqij dhe asnjanës, por fundi i tij duhet të jetë gjithmonë i bardhë.

FILMIN “PI” ARONOFSKY E KISHTE XHIRUAR ME 60 MIJË DOLLARË

Por, ja që ka edhe regjisorë e artistë të tillë të cilët nuk i besojnë fort kësaj teorie e cila ka verifikimin më të mirë të mundshëm: fitimin dhe famën. Në mesin e tyre është edhe regjisori i ri amerikan, 33-vjeçari Darren Aronofsky, regjisor i filmit “Requiem for a dream”. Aronofsky së pari u shqua me filmin e tij “Pi”, të cilin e kishte xhiruar për një kohë shumë të shkurtër, me vetëm 60 mijë dollarë, me aktorë të panjohur, me teknikën bardhezi, duke vrapuar me kamerë nëpër lagjet e Nju-Jorkut. Filmi “Pi” bën fjalë për ëndrrën e kamotshme të njeriut që të gjejë rrënjën katrore të ekzistencës njerëzore, që matematikisht të shpjegojë fenomenet dhe, çka është më e rëndësishmja, t’i parashikojë zhvillimet në të njëjtën mënyrë. Kjo ëndërr i bëhet makth kryeprotagonistit, një gjeniu matematikor, i cili shpërbëhet dhe shkatërrohet si njeri në kërkim të numrit magjik i cili korrespondon me Zotin. Dituria e këtillë është një dritë që verbon, na thotë Aronofsky.

Në filmin “Requiem for a dream”, Aronofsky u gjet në një pozitë shumë më të volitshme si regjisor, sepse pati mundësi të angazhojë aktorë të njohur dhe të xhirojë me teknikë më të përsosur. Kështu, në këtë film aktrojnë Ellen Burstyn, Jared Leto, Jennifer Connelly (të cilën shikuesit e kujtojnë me rolin në filmin “Beatiful Mind”, me Russell Crowen), Marlon Wayans. Pastaj, Aronofsky në film përdori kamerat e veçanta të cilat ngjiten për trupi të aktorit dhe kështu ato xhirojnë nga një perspektivë shumë interesante lëvizjen e një njeriu.

“Requiem for a dream” ndërtohet mbi librin me të njëjtin titull të shkrimtarit të njohur amerikan (të cilësuar madje edhe si “legjendë e post-beatit”), Hubert Selby Jr.

Do të ishte gabim që “Requiem for a dream” të ngushtohet, në kategorizimin e tij, si një film për narkomanët dhe drogën. Pastaj, ata që e kanë shikuar filmin e dinë që skenat më tronditëse në të nuk përkojnë me momentet më kritike të një narkomani kur mbetet pa drogë, apo me pamjen kur kryeprotagonisti (e luan Jared Leto) mbetet pa dorë, për shkak që i pezmatohet damari. Skenat më të rënda janë ato të çmendisë së nënës së kryepersonazhit (e luan shkëlqyeshëm Ellen Burstyn), e cila fundoset në varshmërinë iracionale nga televizori dhe emisionet në të cilat prezantohen të famshmit dhe të suksesshmit.

Filmi bën fjalë pra për fenomenin masiv, mbase gjithpërfshirës të varshmërisë të qytetarit të rëndomtë të Perëndimit. Varshmëria ka trajta të ndryshme dhe objekte të shumta. Sipas shkrimtarit Selby dhe regjisorit Aronofsky, ajo njeh drogën, kafen, cigaren, barnat, televizorin, dietën, seksin, rrezitjen në diell dhe shumë të tjera.

Çka shkakton varshmërinë, pse njerëzit janë aq shumë të dhënë pas gjitha këtyre?

SI NJË KOMPJUTER PA KURRFARË PROGRAMI

Përgjigjja është e thjeshtë: Varshmëria është formë të thuash e paevitueshme e jetesës në botën e sotme, e cila është e tëra ofertë, thirrje për konsum, ftesë për blerje, për harxhim, për varshmëri. Ofertat vijnë në forma të ndryshme, në gazetë, në media, në televizor, në libra, në udhëkryq të qytetit, në mallin që blihet përditë, në mbështjellësin e sapunit, kudo. Është e pamundshme që njeriu t’i shmanget kësaj ftese: Është e përhershme, është gjithëpërfshirëse, është e domosdoshme. Ka pra tipare hyjnore. Pastaj, çdo përpjekje për t’i ikur kësaj oferte çon kah përballja me honin e brendshëm, me një zbrazëti që gëlltit, sepse njeriu që nuk korrespondon me ofertën, në fakt i ngjan një kompjuteri që nuk ka kurrfarë programi të instaluar dhe i cili, si i tillë, nuk vlen gjë, është një hiç, një zero.

Njeriu nuk mund të ekzistojë sot pa “sotfwaren” e përgatitur prej sistemit që funksionon mbi konceptin e varshmërisë.

Nëse njeriu i sotëm pra mendon që ka diçka tej kësaj bote të konsumit të përditshëm, ai mashtrohet shumë sepse në vetmi ai s’mund t’i ikë dot një ankthi që bluan njeriun apo e bën atë që me të shpejt të kërkojë ndihmën dhe shpëtimin, duke iu kthyer, tani madje me një lumturi a priori, botës së konsumit, ftesës dhe ofertës.

Dëftimi i varshmërisë në filmin “Requiem for a dream” është i shkëlqyeshëm. Që të katër protagonistët kryesorë të tij duan të jenë të lumtur, të suksesshëm, të famshëm dhe atë me çdo kusht, sepse kjo është logjika mbizotëruese në shoqërinë bashkëkohore. Tre prej tyre shesin dhe përdorin drogë, fitojnë dhe harxhojnë para në shkatërrimin e tyre, në kalbjen dhe shpërbërjen e tyre. Amvisja e lënë pas prej të birit (narkomanit), e cila është e vetmuar (i ka vdekur burri), “drogohet” tërë kohën me televizorin dhe emisionet e ndryshme ku komunikohet me publikun në sallë. Ajo merr një ftesë për të marrë pjesë në njërin prej këtyre emisioneve dhe nis të dobësohet, sepse nuk mund ta veshë fustanin e vetëm të bukur që e ka, të cilin, përndryshe, nuk e ka vënë në trup për vite të tëra. Ajo përdor receta të ndryshme të dietës, pastaj nis të marrë hapa për humbjen e peshës, të cilët kanë pasoja fatale për të, sepse ndikojnë që ajo të humbë edhe atë pak drejtpeshim që e kishte dhe që të çmendet në pritje të thirrjes për të marrë pjesë në emisionin televiziv, ku kjo, siç paramendon tërë kohën, do të përmendë që ka një djalë të mirë, i cili është i suksesshëm. Kjo përfundon në një klinikë neuro-psikiatrike, ku mjekët nuk mund ta kthejnë në normalitet as me elektroshok. I biri i saj humb dorën, shoku i tij burgoset, ndërsa dashnorja e tij shndërrohet në një lavire që përdoret për orgji nga një bos i drogës. Të gjithë pra janë humbës, sepse nuk mund të jetë ndryshe.

FUNDI I BOTËS PËR KATËR VETA

Është interesant të theksohet që Aronofsky, sipas kallëzimit të tij, ndarjen e filmit në tre kapituj apo akte (“Vera”, “Vjeshta”, “Dimri”) e ka bërë i ndikuar nga piktori i madh spanjoll Francisco Goya, i cili muralet e tij, të cilat përndryshe janë të ekspozuara në muzeun “Prado” të Madridit, i ka ndarë pikërisht në bazë të stinëve.

Regjisori Aronofsky pohon që Hollivudi e ka mbytur tragjedinë, duke këmbëngulur në happy endin. Tragjedia, në këtë mënyrë, sipas Aronofskyt, nuk ekziston më si zhanër filmik. Edhe kur filmi mundohet të mbulojë diç reale, ta zëmë, jetën e narkomanëve, të gjithë ata në fund shërohen dhe mëkëmben, gjë që nuk është edhe aq dukuri e shpeshtë në realitet. Aronofsky në filmin “Requiem for a dream” ka një rrëfim ndryshe, i cili pikërisht kah fundi i tij merr ngjyrime më të zeza, më shqetësuese dhe më dëshpëruese, por kjo ndodh si konsekuencë e logjikshme e rrjedhës së filmit. Ky nuk dëshiron të kumtojë farë “Manifesti të nihilizmit” përmes këtij filmi, nuk ka këtu porosi testamentare as mesazhe të cilat mbesin gjatë në kujtesë. Aronofsky nuk merret me fundin e botës, por me shkatërrimin e katër vetave si pasojë e varshmërisë, konceptit sundues të botës së qytetëruar. Filmi vetë, natyrisht, teksa ecë në rrjedhën e tij, krijon po të njëjtën ndjenjë (të varshmërisë pra) te ne shikuesit. Deri kah gjysma e tij ne mbajmë një distancë ndaj tij, ndaj ngjarjeve të cilat na dëftohen përmes tij, por pastaj, kur e tëra merr tatëpjetën dhe kur kjo na tregohet me një ritëm marramendës, ne të thuash e humbim çdo distancë dhe bëhemi pjesëmarrës të kësaj tragjedie. Kuptojmë se jemi përcjellës të një kobi i cili zhvillohet para nesh dhe që ne, ashtu si edhe vetë kryeprotagonistët, nuk mund të ndryshojmë fatin e këtyre katër vetave.

Gjithsesi, filmi është i rëndë për t’u shikuar, jo vetëm për shkak të pamjeve të cilat i afrohen një qasjeje dokumentariste, por pikërisht për shkak të pafuqisë për të ndryshuar fatin, e cila përcjell gjithë kohën kryeprotagonistët.

Ai i cili megjithatë e shikon këtë film, do të kuptojë që ka edhe filma të cilët nuk bëhen si pasojë e varshmërisë nga fama dhe suksesi.