eksperti-banner

Më 12 gusht 2026, do të jemi në gjendje të shohim një eklips diellor, kur rreth 90% e Diellit do të mbulohet nga Hëna.

Shikuesit në të gjithë Evropën, përfshirë Francën, Belgjikën, Zvicrën dhe rajonet veriore të Italisë, do të jenë në gjendje të shohin rreth 88-95% mbulim, ndërsa spektatorët në pjesë të Grenlandës, Islandës dhe Spanjës Veriore do të shohin një eklips total.


Eklipsi total i 12 gushtit 2026 është një nga ngjarjet astronomike më të pritura të dekadës në Evropë.

Këtë e ka bërë të ditur edhe astronomia nga Kosova, Pranvera Hyseni.

Me anë të një videoje në profilin e saj në Facebook, Pranvera ka njoftuar se fenomeni spektakolar do të jetë i dukshëm edhe në Kosovë.

“Eklipsi i Diellit është një fenomen natyror, kur Hëna kalon mes Diellit dhe Tokës, duke e mbuluar pjesërisht Diellin ose plotësisht”, njoftoi ajo.

“Eklipset e Diellit janë fenomene natyrore që paraqiten disa herë në vit, mirëpo jo çdoherë shihen prej çdo pjese të botës. Kësaj vere, më 12 gusht, Eklipsi i Diellit do të shihet nga një pjesë e madhe e botës, duke përfshirë edhe Kosovën”, deklaroi Pranvera.

“Mirëpo Eklipsi i plotë i Diellit shihet vetëm nga një pjesë specifike, ku Hëna do ta mbulojë diskun e Diellit për 2 minuta e 18 sekonda. Kosova do ta shohë eklipsin pjesor. Do të paraqitet nga ora 19:30, domethënë gati në perëndim të Diellit, kështu që nëse dëshironi ta shihni është mirë ta gjeni një vend pak më të lartë, ku mundet të shihet perëndimi”, na informon astronomia.



Pranvera thotë se eklipsi i plotë do të shihet nga një pjesë e Islandës, nga Oqeani Atlantik dhe një pjesë e Spanjës.

Sipas saj, një prej vendeve më të përshtatshme për ta parë eklipsin është Spanja.

“Nëse jeni në Kosovë, mund të shkoni te Observatori Kombëtar në Shtime dhe mund ta shihni eklipsin përmes teleskopëve solarë. Po ashtu do të mundohem të siguroj syze solare për observatorin e Kosovës që kushdo që shkon, ta shohë eklipsin në mënyrë të sigurt”, përfundon ajo. /Telegrafi/