LAJMI I FUNDIT:

VAR-i poli(e)tik: Borrelli dhe barrikadimi i krimit multietnik në veri

VAR-i poli(e)tik: Borrelli dhe barrikadimi i krimit multietnik në veri

Një situatë hipotetike në veri të Kosovës: “Patrulla e Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës e ndalon një veturë për tejkalim ekstrem të shpejtësisë në qytet, të cilën po e ngiste një shofer i nacionalitetit serb. Dhe, sipas ligjeve në fuqi, policia do të duhej t’i shqiptojë gjobën. Shoferi serb do të dalë nga vetura dhe jo vetëm që do ta kundërshtojë gjobën, mbase edhe do ta sulmojë verbalisht policin. Sado që me shpejtësinë që zhvilloi rrezikoi jetën e bashkëqytetarëve, kryesisht bashkëkombës të tij, ata [qytetarët serbë] do të solidarizohen me të dhe do të grumbullohen sa çel e mshel sytë, për t’iu bashkëngjitur në kundërshtimin e shqiptimit të gjobës. Polici, i gjetur në sherr s’do të dijë çfarë të bëjë. Të vazhdojë ta bëjë punën e tij, apo të dorëzohet para shoferit shkelës të rregullave në trafik dhe përkrahësve të tij”.

Në këtë rast, shoferit nuk do të duhej t’i shqiptohet gjoba nga polici i trafikut, para se të vijë KFOR-i, EULEX-i dhe të informohej Beogradi e Brukseli.


Krejt kjo do të bëhej sipas recetës së shefit të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, i cili aksionin e Policisë së Kosovës kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës e cilësoi unilateral dhe të pakoordinuar me mekanizmat tjerë. Ai tha se të gjitha çështjet e hapura [kur bëhet fjalë për serbët] duhet të adresohen përmes dialogut. Me demek, sipas Borrellit, edhe krimi i organizuar, kontrabanda e korrupsioni duhet të jenë pjesë e negociatave në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

Kontrabandistë, kriminelë e banditë, përgatituni për dialog të lehtësuar, sipas kritereve të kreut të Politikës së jashtme të BE-së.

Përgatiteni platformën e ruajtjes së oazës së krimit e kontrabandës në veri. Tregoni nëse për ruajtjen e El Dorados së krimit multietnik, përveç kamionëve e buldozerëve për barrikada ju duhen edhe mjete më të rënda; nëse përveç bombave të dorës dhe armëve të lehta, ju duhen edhe armë të rënda për ballafaqim me mbrojtësit e rendit!?

Krejt kjo në emër të ruajtjes së stabilitetit të strukturave kriminale dhe krimit multietnik në veri.

Borrell, a bën një pyetje?

A nuk është pikërisht lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit A-ja e kërkesës dhe kushtit të BE-së ndaj Kosovës për liberalizimin e vizave?

Nëse po, a na qenka kusht për liberalizim të vizave luftimi i krimit në gjithë territorin e Kosovës, përveç në El Doradon e strukturave kriminale të Veselinoviqit e Radoiçiqit, në veri?

Për dijeninë tuaj, në emër të ruajtjes së “paqes e stabilitetit”, bandat kriminale multietnike tash e 21 vjet veprojnë lirshëm, kurse qytetarët serbë të asaj pjese vazhdojnë ta gëzojnë statusin e të privilegjuarve.

Derisa qytetarët tjerë të vendit tonë në ethe e presin fundin e muajit kur u vijnë faturat e rrymës, ujit … ata në veri idenë s’e kanë sa është çmimi i rrymës, çmimi i ujit e taksave të tjera. Në emër të një shteti multietnik, tash e 22 vjet ata i kanë të drejtat e rezervuara për refuzim dhe barrikadim të krimit multietnik, por edhe pararojë e agjendave të shtetit serb në Kosovë.

Ata e kanë të drejtën e rezervuar për të sulmuar, madje edhe për të vrarë pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Në operacionin e fundit u plagosën gjashtë policë. U plagos nga arma e zjarrit edhe një serb, por nuk dihet prej nga erdhi predha që e goditi pasi mbrojtësit e krimit përdorën edhe armët e zjarrit kundër policisë në veri. Dëshmi: gjurmët e predhave nëpër automjetet e policisë.

Dhe, asgjë atje nuk ndodh rastësisht. Asgjë atje nuk bëhet pa bekimin nga Beogradi, të shefit të strukturave kriminale.

Vuçiqi, derisa vajton për presionin e fuqive të mëdha për Kosovën, vazhdon të shtyjë përpara projektin e tij për ndarjen e Kosovës. Projekti hegjemonist dhe ekspansionit i elitës serbe nga “Serbia e Madhe” tani ka avancuar në “Botën Serbe”. Dhe, për të realizuar projektet e tyre, kreu shtetit serb, bashkë me Kishën Serbe, do të provojnë me zbatimin e politikave milosheviqiane të viteve 1980-‘90.

Pamjet nga takimi i së mërkurës në Rashkë nuk ishin asgjë tjetër veçse një reprizë e pamjeve nga takimet e Sllobodan Millosheviqit në fundvitet ’80 të shekullit të kaluar, me serbët “e viktimizuar” në Kosovë.

Të mërkurën, në karrigen e Milosheviqit ishte ulur nxënësi dhe pasuesi i politikës së tij në Beograd, Vuçiqi. Ndërsa, Rakiqi (ministri i Kurtit), sikurse dikur Zoran Angjelkoviq (kryetar i Qeverisë së Kosovës në vitet e okupimit), po thoshte se durimit të serbëve në Kosovë i ka ardhur fundi … U dëgjuan edhe folës të tjerë, jeta e të cilëve në Kosovë “po bëhej ferr”, sepse po rrezikohen nga “šiptari” (term pezhorativ e fyes që e përdor edhe ministri serb i Mbrojtjes që rrinte ulur pranë Vuçiqit), pasi që edhe në Rashkë u tha se “albanci su u Albaniji” (shqiptarët janë në Shqipëri).

Në krejt këtë maskaradë që po bëhej në një objekt të ushtrisë serbe, të pranishmit po prisnin që pasuesi i Millosheviqit t’u thoshte: “Niko ne sme da vas bije … Ni dlaka sa glave neće vam faliti … (Askush nuk guxon t’ju rrahë. Asnjë fije floku në kokë nuk do t’ju mungojë).

Vuçiqi nuk e tha këtë edhe pse derisa po hynte në objektin ku do të dëgjonte rrëfimet e “viktimave” dhe atyre që po kërkonin të armatoseshin, për ta mbrojtur krimin multietnik, e priti togu i rreshtuar i xhandarmërisë serbe duke kënduar këngë për Kosovën.

Presidenti serb deri diku u mundua të përmbahej, i vetëdijshëm se nuk ishte ai Milosheviqi i viteve 1980 ’90 që mbushte sheshin e Fushë Kosovës e Gazimestanin me qytetarët që i sillnin me autobusë e trena nga Serbia; ishte i vetëdijshëm se nuk do të mund të plasojë vetëm të “vërtetën serbe” në opinionin serb dhe botëror.

Për më tepër, Vuçiqi nuk do të kishte dashur që në opinion të dilte as fjalia e famshme që e tha vartësi i tij kryesor në Kosovë, Milan Rakiq, i cili aksionin e policisë, doganës dhe AVUK-ut kundër kontrabanduesve e krahasoi me “Natën e Kristaltë”. Të trimëruar nga Rakiqi, folës të tjerë në Rashkë kërkuan armë nga shteti serb për t’u mbrojtur. Njësoj, kishin vepruar edhe në vitet 1980-‘90.

Prandaj, z. Borrell duhet ta kuptojë se zëdhënësit e bandave kriminale në veri po kërkojnë më shumë armë, jo vetëm për ta mbrojtur krimin multietnik atje, por edhe për ta çuar përpara projektin e “Botës Serbe”.

Mëtuesit e “Botës Serbe” mund të vazhdojnë lojën e rrezikshme me zjarrin, por janë të dështuar ta plasojnë “të vërtetën serbe” në botën perëndimore në emër të viktimizimit të krimit.

Deklaratat e Borrellit dhe Rakiqit morën përgjigje nga Uashingtoni, Berlini e Londra dhe dikush nga BE-ja.

Qendrat e shteteve të mëdha të botës dhe NATO e përkrahën aksionin e policisë në Kosovë, pra edhe në veri të saj, kundër krimit të organizuar.

Barrikadat e “stickers”-ave dhe mbrojtja e krimit dhe kontrabandës në veri nuk është asgjë tjetër veçse mbrojtje dhe përpjekje për shtyrjen përpara të agjendave të Beogradit për ndarjen ose krijimin e një tjetër “Republika Srpska” në Kosovë.

Në trend

Më shumë
Ronaldo largohet papritur nga Arabia Saudite dhe kthehet në Evropë?

Ronaldo largohet papritur nga Arabia Saudite dhe kthehet në Evropë?

Ndërkombëtare

"Kurrë në jetë nuk kam pas tokë, vetëm kur e pash që mi kanë bartur 10 hektarë", Peci citon serbin që i ishte bartur pronësia me një vendim të vitit 1976

Lajme
Nuk fshihen më, ish-konkurrentët e Big Brother VIP Albania konfirmojnë romancën?

Nuk fshihen më, ish-konkurrentët e Big Brother VIP Albania konfirmojnë romancën?

Magazina
I dyshuari për vrasjen në Pejë ishte i dënuar për dhunë në familje, prokurori Qavolli: Vrasje makabre, i pandehuri është ndaluar për 48 orë

I dyshuari për vrasjen në Pejë ishte i dënuar për dhunë në familje, prokurori Qavolli: Vrasje makabre, i pandehuri është ndaluar për 48 orë

Lajme
Gjira reagon për vrasjen e gruas në Pejë: Ku s’dul kurrë një femër që e mbyt burrin, s’është që se lypni edhe ju

Gjira reagon për vrasjen e gruas në Pejë: Ku s’dul kurrë një femër që e mbyt burrin, s’është që se lypni edhe ju

Magazina
Gruaja që u vra në Pejë ishte punëtore shëndetësore që 20 vjet, Drejtoria e Shëndetësisë: Do të mbetet në kujtime për urtësinë

Gruaja që u vra në Pejë ishte punëtore shëndetësore që 20 vjet, Drejtoria e Shëndetësisë: Do të mbetet në kujtime për urtësinë

Lajme
Kalo në kategori