Viktima e radhës e luftës së Gjirit është tashmë këtu

Nëse bllokada e Ngushticës së Hormuzit vazhdon, mungesa e çipave mund të jetë e pritshme.
Burimi: The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Bota ka humbur 40 përqind të furnizimit të saj me helium që nga fillimi i luftës së Gjirit - fillimisht nga Katari dhe më pas nga Rusia.
Do të mësojmë shumë shpejt nëse ekonomia digjitale globale mund t’i përballojë humbjet në këtë shkallë dhe nëse udhëheqësit politikë do të lejojnë që bumi i inteligjencës artificiale [IA] të vazhdojë të gëlltisë një pjesë gjithnjë e më të madhe të heliumit të pakët që mbetet.
Industria nuk mund të prodhojë çipa të avancuar të IA-së ose gjysmëpërçues nën 10 nanometra pa helium me pastërti ultra të lartë për të ftohur pllakat [wafers] dhe për të stabilizuar plazmën për gdhendje [etching]. Edhe çipat standardë për makina dhe kompjuterë kërkojnë helium të një cilësie më të ulët me pastërti 99.999 për qind.
Por, ne gjithashtu kemi nevojë për helium për prioritete të tjera të larta: në energjinë bërthamore, armatimet e avancuara, hapësirën ajrore, kabllot me fibër optike, kompjuterizimin kuantik, kromatografinë ose për të ftohur magnetët superpërçues në makinat e rezonancës.
“Të gjithë po përpiqen me nxitim të marrin çfarëdo që mund të gjejnë në botë”, ka thënë Phil Kornbluth, themelues i Kornbluth Helium dhe ish-drejtues i sektorit të gazit në BOC.
Nuk ka zëvendësues të lehtë. Heliumi i lëngshëm është substanca më e ftohtë e njohur në Tokë, me një pikë vlimi prej -269 gradë celsius.
Ai nuk mund të sintetizohet artificialisht - vjen nga shpërbërja radioaktive e toriumit dhe uraniumit - dhe është i vështirë për t’u ruajtur. Kina ka rezerva strategjike për gjithçka, por jo për këtë burim jetik.
Heliumi është kosto e vogël për gjigantët digjitalë me burimet më të mëdha financiare në botë, të cilët mbështeten në “fabrika” [fab] ose shkritore që kushtojnë 20 miliardë dollarë [17.1 miliardë euro] secila. “Ata nuk do ta mbyllin një fabrikë prodhimi të pllakave [wafer], kështu që të gjithë e dimë çfarë do të bëjnë: thjesht do të paguajnë më shumë se kushdo tjetër”, tha Kornbluth.
Një proces tjetër tinëzar është në veprim. Industria e gjysmëpërçuesve në fakt po grumbullon furnizimin e saj të pakët për fabrikat më fitimprurëse të IA-së, ndërkohë që po racionon heliumin për çipat rutinë “me nyje të pjekura” [mature-node] që luajnë një rol shumë më të madh në ekonominë e përditshme.
“Bëjnë triazhimin”, tha Piers Nash, drejtues i IA-së në Farmers Insurance. Ata rezervojnë atë që kanë për përshpejtuesit e IA-së, memorien me brez të gjerë dhe çipat logjikë të avancuar për qendrat e të dhënave. Mbetet më pak për çipat në makina, laptopë dhe pajisjet elektronike të konsumit nga të cilat ne të gjithë varemi.
“Gjithkush po flet për çmimet e benzinës, por askush nuk po flet për heliumin”, tha Sepp Müller, politikan i Bashkimit Demokristian që drejton një grup pune për luftën në Iran në Bundestagun gjerman.
Frika është se mund të ketë përsëritje të mungesës së çipave që mbylli fabrikat evropiane të veturave gjatë pandemisë. Një bllokim nga koronavirusi në një fabrikë në Malajzi shkaktoi humbje shkatërruese në anën tjetër të globit.
“Nëse një fabrikë gjysmëpërçuesish, kudo në botë, thotë se nuk do të jetë në gjendje të furnizojë më shumë çipa, industria e makinave do të ketë probleme të mëdha në tremujorin e tretë dhe të katërt”, tha ai.
Katari zakonisht furnizon një të tretën e heliumit botëror, një nënprodukt i prodhimit të gazit natyror në fushën e tij gjigante, North Fild. Asnjë dërgesë e vetme nuk ka kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit që nga fillimi i luftës.

Rreth 200 kontejnerë kriogjenikë janë të bllokuar në Gjirin Persik dhe po ngrohen ngadalë, duke shkaktuar rrjedhjen e gazit përmes valvulave të presionit për të shmangur një shpërthim vdekjeprurës.
Vladimir Putini e ka përkeqësuar mungesën duke vendosur atë që në thelb është ndalim i eksporteve të heliumit jashtë Bashkimit Ekonomik Euroaziatik, kinse për të siguruar furnizimin për ekonominë e brendshme të Rusisë dhe industrinë e saj të fibrave optikë.
Kjo rrezikon edhe nëntë përqind të tjera deri në fund të vitit 2027.
Tash është Kina ajo që po përballon menjëherë goditjen e zinxhirit të furnizimit. Ajo prodhon 15 përqind të nevojave të saj për helium. E gjithë pjesa tjetër vjen nga Katari dhe Rusia.
“Fabrikat (shkritoret) në Kinën kontinentale mund të mbesin pa furnizim brenda pak javësh”, tha grupi kërkimor Trivium China. Air Liquide tashmë ka shpallur “forcën madhore” [force majeure] për shitjet e saj drejt Kinës.
Amerika është në një pozicion të favorshëm - në njëfarë kuptimi. Ajo është prodhuesi më i madh i heliumit në botë me dy të pestat e tregut.
Por, kjo nuk i mbron qytetarët amerikanë nga pasojat më të gjera të zinxhirit të furnizimit, ashtu siç dominimi i ShBA-së në naftë nuk i shpëton ata nga rritja e çmimeve të naftës bruto ose nga mungesat në rritje e karburantit të aeroplanëve dhe dizelit.

ShBA-ja nënkontrakton pjesën më të madhe të prodhimit të saj të çipave në Azi. Pjesa e saj në prodhimin global të gjysmëpërçuesve ka rënë në 10 përqind nga 37 përqind në vitet ’90 të shekullit XX. Do të duhen vite të tëra para se akti amerikan për çipat dhe riarmatosja industriale e prodhimit ta ndryshojnë këtë gjendje.
Mbi 75 përqind e gjysmëpërçuesve në botë prodhohen në Lindjen e Largët. Nvidia ose prodhon ose përfundon të gjithë çipat e saj më të avancuar Blackwell në fabrikat e TSMC-së në Tajvan, ndërsa Samsung-u prodhon çipa të IA-së me gjerësi të lartë brezi për Google-in në Korenë e Jugut. Të dyja vendet zakonisht mbështeten te Katari për dy të tretat e heliumit të tyre.
Sasi të mëdha çipash standardë për pothuajse gjithçka tjetër prodhohen në Vietnam, Malajzi dhe Tajlandë, shpesh si operacione në distancë për Kinën.
Kornbluthi thotë se bota kishte mjaft helium para se të shpërthente lufta dhe ndoshta mund të mbulojë gjysmën e humbjes nga Katari në rast nevoje. Industria ka një sistem joformal për shpërndarjen e furnizimit të pakët te nevojat më kritike.
“Në krye të zinxhirit të furnizimit janë makinat e rezonancës magnetike, prodhimi i çipave, hapësira ajrore dhe energjia bërthamore. Në fund janë gjërat si saldimi. Disa njerëz do të goditen rëndë”, tha ai.
Një gjë që duhet ta kishim mësuar nga koronavirusi është se sapo zinxhiri global i furnizimit “i momentit të fundit” [just-in-time] hyn në kriza të forta, me anije të shpërndara në të katër anët dhe të bllokuara në vende të gabuara, efektet mund të jenë drastike, afatgjata dhe krejtësisht jashtë përpjesëtimit me vlerën nominale të vetë mallrave.
Nëse lufta zgjat edhe disa javë - siç mund të ndodhë duke qenë se si Donald Trump ashtu edhe Garda Revolucionare e Iranit mendojnë se po fitojnë - ekzistojnë vetëm dy zgjidhje.
Ose tregu e shkatërron kërkesën në mënyrën e tij të pamëshirshme, ose qeveritë ndërhyjnë me masa emergjente dhe marrin vendime të vështira, diçka që qeveria e Keir Starmerit [në Mbretërinë e Bashkuar] duket e paaftë ta bëjë ndonjëherë.
Për karburantin e aeroplanëve, dizelin apo naftën [naphtha], kjo mund të nënkuptojë një dozë të racionimit të kohës së luftës. Për heliumin, së shpejti mund të bëhet çështje nëse demokracitë liberale do t’i lejojnë miliarderët e teknologjisë të tejkalojnë ofertat e të gjithëve dhe të grumbullojnë gazin e pakët për zgjerimin jopopullor të IA-së.
A do të përballen më në fund politikanët me gjigantët [hyperscaler] dhe të ridrejtojnë furnizimet me helium drejt prioriteteve urgjente të riarmatosjes ushtarake dhe energjetike, si dhe për të mbështetur sektorët rutinë të ekonomisë që punësojnë pafundësisht më shumë njerëz?
Marco Rubio, sekretari amerikan i Shtetit, pak a shumë pranoi të hënën se regjimi i Iranit tani ka fuqi të madhe për të shkaktuar dëm dhe se Uashingtoni nuk ka plan koherent për të rikthyer gjendjen e mëparshme dhe aq më pak për të arritur një rezultat më të mirë që justifikon luftën.
“Ngushtica e Hormuzit është në thelb armë ekonomike bërthamore që ata po përpiqen ta përdorin kundër botës”, tha ai.
Vërtet, zotëri, dhe çfarë do të bëni për këtë? /Telegrafi/



















































