LAJMI I FUNDIT:

Ushtria izraelite sulmoi Rripin e Gazës, vritet komandanti i “Xhihadit Islamik”

Ushtria izraelite sulmoi Rripin e Gazës, vritet komandanti i “Xhihadit Islamik”

Izraeli njoftoi sot se ushtria ka sulmuar Rripin e Gazës dhe shpalli një “situatë të veçantë” pas disa ditësh tensioni për arrestimin e një ekstremisti në një territor tjetër palestinez, Bregun Perëndimor të pushtuar.

Katër persona u vranë, përfshirë një vajzë pesëvjeçare dhe të paktën 15 u plagosën, njoftoi Ministria e Shëndetësisë palestineze.


U vra edhe komandanti i Xhihadit Islamik në Gaza, Taisir al-Jabari. Një shpërthim u dëgjua në qytetin e Gazës dhe tym u pa në katin e shtatë të një ndërtese të lartë.

Ushtria izraelite mbylli rrugët rreth Gazës në fillim të kësaj jave dhe dërgoi përforcime në kufi në pritje të një sulmi pas arrestimit të një anëtari të shquar të Xhihadit Islamik në Bregun Perëndimor. Sot u tha se shkollat ishin të mbyllura dhe aktivitetet e tjera të kufizuara në vendet deri në 80 kilometra nga kufiri.

Nuk ishte menjëherë e qartë se sa më keq mund të përkeqësohej situata, por sulmet mund të ndezin një luftë të re në Gaza.

Ushtria njoftoi se qëllimi i saj është Xhihadi Islamik në kuadër të operacionit “Agimi”.

Izraeli dhe Hamasi, i cili sundon Rripin e Gazës, kanë hyrë në luftë katër herë dhe përleshje më të vogla kanë shpërthyer disa herë në 15 vitet e fundit që kur Hamasi mori pushtetin nga forcat besnike të rivalit, Fatahut më të moderuar. /Telegrafi/