LAJMI I FUNDIT:

Urime dita e të dashuruarve, i dashur

Urime dita e të dashuruarve, i dashur

Të dashur të dashuruar, urime ditën tonë… sot, nesër dhe përherë - GËZUAR PËR DASHURINË!

Nga: Getoarbë Mulliqi

Dita e të dashuruarve. Është kaq e rëndësishme dita e 14 e muajit shkurt; sepse është dita që u dedikohet ekskluzivisht të dashuruarve. Apo njihet, si e tillë botërisht. Ndërsa, unë mendoj se kur jeni të dashuruar, çdo ditë është dita e juaj. Mirëpo, jo detyrimisht duhet t’i besojmë kësaj teorie, pasi që tek e fundit, nga obligimet e shumta ditore dhe jeta dinamike, që gjithsecili nga ne e bën, a nuk e meritojmë një ditë, të pakën një, potencoj, që t’ia dedikojmë dashurisë; të ndalojmë për një moment, dhe të mendojmë për gjithë ato gjëra që na bëjnë të dashurojmë, të mirat që na i sjell një dashuri, dhe bukurinë e të qenurit të dashuruar.


Fjala dashuri, në gjuhën shqipe nënkupton më shumë se sa vetëm kuptimi i saj që interpretohet nëpërmjet të thënit të saj, pra vetëm të dashurosh; në gjuhën tonë të dashurosh do të thotë, t’ia ndjesh dikujt nevojën, ta dëshirosh dhe ta dashurosh. Dhe a nuk është kjo e bukur! Dhe pikërisht për këtë arsye, 14 shkurtit, do t’i drejtohem si DITA E TË DASHURUARVE, dhe jo Shën Valentini; apo siç edhe njihet botërisht – pasi që në gjuhën shqipe, ka më shumë fuqi si emër, dashuria, sesa çdo histori e bukur e thurur për këtë datë.

HISTORIKU I DITËS SË DASHURUARVE
Në legjendat urbane thuhet se Shën Valentini vjen nga romakët e lashtë, por edhe nga kristianizmi; të paktën kështu besohet! Kur Klaudi i dytë, erdhi në përfundim se burrat e pamartuar, janë më të devotshëm dhe aftë për luftë, vendosi që t’ua ndalojë “të dashuruarit”. Mirëpo, Valentini duke e konsideruar këtë si padrejtësi, nuk iu bind Klaudit dhe vazhdoi që fshehurazi të kurorëzoj çifte të dashuruarish. Dhe kur Klaudi e kuptoi këtë, ai urdhëroi vdekjen e tij. Andaj, a mund të vijmë në një përfundim që kjo ditë në fakt i dedikohet më shumë atyre të cilët “luftojnë” për dashurinë?
Dikush mund ta konsiderojë të njëjtë, dhe se të gjithë të dashuruarit në fakt janë në gjendje të luftojnë për më të dashurit; andaj, mbase mund të kuptohet pak më përtokë, me kalimin e kohës, kjo “festë” u adaptua dhe iu përshtat nevojave të njerëzimit, duke u kthyer në ditën e të dashuruarve, e quajtur në emrin e atij që dha jetën për dashurinë. Është kaq e bukur, si histori, saqë në këtë ditë të bën të mendosh se sa të bekuar jemi që nuk do na duhet të jemi Valentin, por vetëm të festojmë në emër të tij; por, pyetja është a do të kishte Valentin sot?

VALENTINËT E EPOKËS SË RE
Të dashur, të dashuruar/valentin të kohës moderne, a do të ishit në gjendje që të sakrifikoheshit sa edhe shenjtori Valentin, për dashurinë tuaj? Edhe pse nuk do ju duhet të bëni këso lloj sakrifice, në botën demokratike; mendoni dhe reflektoni. E nga kjo, vijmë tek më e bukura nga të gjitha, dhuroni dashuri në këtë ditë – tregoni më të dashurve tuaj, që kjo ditë do të thotë më shumë se vetëm lule apo çokollata në formë zemrash për ju, që do të thotë se, jeni në gjendje të bëni çdo gjë për atë dashuri.

DHURO DASHURI ÇDO DITË
Një dhuratë, tregon se një person ka rëndësi për ju, se është i veçantë. Kur dhuroni një dhuratë, pranuesi e ndjenë veten të rëndësishëm. Mirëpo, më e bukur është dhurata që nuk e prisni – BEFASI! Unë nga burri im e pres dhuratën me 14 shkurt, andaj nuk është befasi, mirëpo, më e bukura ishte dhurata e vitit të kaluar, ku në vend se të blinte dhuratë, më dhuroi një album të punuar me dorë, me fotografi nga hera e parë që jemi takuar dhe me nga një thënie të tijën, si legjendë nën çdo fotografi! Kjo tha më shumë se çfarëdo dhurate që do të mund të më bënte – ai më dhuroi dashuri, dhe diçka që do më mbetet përgjithmonë. E thënia më e bukur ishte “Të dua më shumë se dje, dhe më pak se nesër” në foton e fundit. Dhe e shihni se sa përshtypje më ka bërë kjo dhuratë kaq kreative – e mbaj mend çdo detaj, e ruaj me delikatë dhe e çmoj pafundësisht shumë!
Dhe teksa e shikoja, atë dhuratë në mendje më erdhi në mendje një thënie e Kurt Lagner, në ë cilën thuhet – “Dashuria është dhuratë. Nuk blihet dot, nuk gjendet dot, por dikush duhet t’ua dhurojë. Mësohuni të jeni “pranues” të kësaj dhurate” – domethënëse apo jo? Mesa duket, Lagner e ka kuptuar që dhurata më e shtrenjtë, e që njëkohësisht nuk ka para që mund ta paguaj, është dashuria.
Prandaj, edhe unë si Lagner them të dhurojmë dashuri, sepse është gjëja më e bukur që mund të dhurohet.

Oh, dhe gjithashtu, nuk është e thënë të visheni kuq që të reflektoni si të dashuruar, sepse aureola me zemra dhe sytë me shkëlqim, reflektojnë kështu!

Më duhet ta personalizoj, pasi që unë çdo ditë e kam ditë të të dashuruarve – andaj urime Robert dhe faleminderit për dashurinë e pafundme që ma dhuron – po shpresoj që di ta pranoj, atë që më dhuron! TË DUA! /Telegrafi/