LAJMI I FUNDIT:

UBT e nderon me Çmimin “Excellence Lidership Award”, Driton Kukën

UBT e nderon me Çmimin “Excellence Lidership Award”, Driton Kukën

Çmimi më i lartë i UBT-së “Excellence Lidership Award”, sivjet i është dhënë selektorit të reprezentacionit të xhudos së Kosovës, Driton Kuka.

Atë ia ka dhënë rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, sipas të cilit UBT në vazhdimësi i vlerëson atributet e njerëzve dhe i promovon ata si vlerë dhe si shembull që duhet ndjekur.

Kuka u nderua për kontributin e dhënë në përfaqësimin, njohjen dhe sukseset e sportit të xhudos në arenën ndërkombëtare.

“Çmimi i zhvilluar nga UBT nderon dhe shpërblen personalitetet, të cilët përmes punës dhe përpjekjeve të tyre, shndërrohen në shembuj dhe modele për të rinjtë”, theksoi Hajrizi, teksa jepte çmimin.

Duke e falënderuar UBT-në për vlerësimin, Driton Kuka tha se ky Çmim është i një rëndësie të veçantë për faktin se sipas tij, ky institucion është një tempull i dijes, që gëzon reputacion ndër qytetarë.

“Ky çmim i ndarë nga UBT për mua, në mesin e shumë mirënjohjeve dhe titujve evropianë, është specifik, sepse po dhurohet nga një tempull i dijes, që gëzon kredibilitet të lartë në vend, por edhe sepse është dhuruar nga njerëz që e vlerësojnë punën e atyre që e meritojnë”, vlerësoi Kuka.

Gjatë kësaj ceremonie, UBT ndau bursa dhe i shpërbleu me mirënjohje mbi 100 studentë të dalluar të këtij institucioni, të cilët kanë arritur nota të larta me punë dhe angazhim të vazhdueshëm.

“Ne jemi krenarë me atë që studentët tanë po arrijnë, e në veçanti me studentët e dalluar”, tha rektori, i cili duke shpjeguar qëllimin e bursave, shtoi se përmes bursave “po mundohemi t’i motivojmë, t’i ndihmojmë në aspektin financiar, por edhe t’i promovojmë studentët tanë të dalluar”, përfundoi ai.

Në fund të këtij organizimi, u promovua edhe monografia e 15-vjetorit të themelimit të UBT-së, si përmbledhje e punës dhe të arriturave të këtij institucioni gjatë kësaj periudhe kohore.

“Përmes këtij libri kemi menduar të prezantojmë angazhimin, faktet, zhvillimin dhe ndikimin e UBT-së në zhvillimin dhe njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, theksoi Hajrizi, teksa e prezantoi librin për të pranishmit.

Artikull i sponzorizuar