Tuchel pas fitores ndaj Francës: Do ta ndiejmë ende dhimbjen kur të luhet finalja


Pavarësisht fitores spektakolare 6-4 ndaj Francës në ndeshjen për vendin e tretë të Kupës së Botës 2026, përzgjedhësi i Anglisë, Thomas Tuchel, pranoi se ekipi i tij do ta ndiejë mungesën e finales, por theksoi se triumfi ndaj francezëve është një hap i rëndësishëm drejt ngushtimit të diferencës me kombëtaret më të mira në botë.
Pas një përballjeje plot emocione, ku Anglia krijoi disa herë epërsi, ndërsa Franca rikthehej vazhdimisht në lojë, trajneri gjerman vlerësoi karakterin dhe rezistencën e futbollistëve të tij.

“Mendoj se në këtë ndeshje u pa gjithçka. Ne kemi aftësinë për ta mbyllur ndeshjen, por ata kanë aftësinë për ta hapur sërish. Kjo e tregon nivelin e tyre”, deklaroi Tuchel.
Ai kujtoi sukseset e Francës në vitet e fundit, duke theksuar se Anglia ende ka punë për të bërë për të arritur në atë nivel.
“Tetë vjet më parë ata ishin kampionë bote. Katër vjet më parë luajtën në finale. Ekziston ende një diferencë e vogël mes nesh, por nuk është problem. Ne duam ta mbyllim atë hendek”.
Sipas Tuchel, fitorja ndaj Francës është hapi i parë në këtë rrugëtim.
“E thashë edhe dje se sot ishte hapi i parë për ta mbyllur atë diferencë. Ne e bëmë. I mposhtëm. Sfida e radhës do të jetë ndaj Spanjës në Ligën e Kombeve”.
Në fund, trajneri anglez pranoi se, pavarësisht suksesit, do të jetë e vështirë të mos mendojnë për finalen.

“Kur sheh një skuadër që lufton në këtë mënyrë, kjo të jep energji. Lodhja do të vijë më vonë. Megjithatë, ne do ta ndiejmë ende dhimbjen kur të luhet finalja”.
“Do të duhet pak kohë që ta kapërcejmë këtë ndjenjë, por në përgjithësi kjo fitore më jep më shumë energji sesa më merr”, përfundoi Tuchel. /Telegrafi/













































