Trump thotë se "nuk i intereson fare" nëse bisedimet me Iranin kanë mbaruar, ndërsa Irani fajëson SHBA-në për sulmet izraelite

Donald Trump ka thënë në një intervistë për CNBC se "nuk i intereson fare" nëse negociatat me Iranin kanë mbaruar.
Presidenti amerikan tha gjithashtu se nuk shqetësohet për çmimet e naftës nëse Irani bllokon plotësisht Ngushticën e Hormuzit, siç ka kërcënuar, transmeton Telegrafi.
Lajmi erdhi pak para se ministria e Jashtme e Iranit të thoshte se SHBA-të mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për shkeljet e armëpushimit me Iranin dhe shkeljet e armëpushimit të kryera nga Izraeli në Liban.
Ajo shtoi se një shkelje e armëpushimit në një front ishte ekuivalente me shkelje në të gjitha frontet.
Deklarata vjen ndërsa presidenti Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu thuhet se kanë folur në telefon, raportojnë mediat izraelite.
SHBA-të dhe Irani kishin punuar për një marrëveshje të propozuar për të zgjatur një armëpushim, i cili u njoftua për herë të parë në fillim të prillit.
Megjithatë, ekipi negociator i Iranit thuhet se ka ndaluar shkëmbimet e mesazheve me SHBA-në pas sulmeve izraelite në Liban.
Komanda Qendrore e SHBA-së tha më herët sot se kreu "sulme vetëmbrojtëse" në bazat ushtarake iraniane të shtunën dhe të dielën.
Menjëherë pasi CENTCOM publikoi deklaratën e saj, Trupa e Gardës Revolucionare Islamike e Iranit tha se kishte synuar një bazë ajrore që SHBA-të e kishin përdorur për një sulm në Iranin jugor. /Telegrafi/










































